Shqipëria vijon të mbetet në tri vendet e para për numrin e azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian edhe në tremujorin e dytë të vitit 2015, pas Sirisë e Afganistanit me 8% të numrit të kërkesave për azil në vendet e BE-së. Kosova është e pesta me pjesëmarrje 5%, me gjithë 21% të kërkesave që vijnë nga shtetas të Sirisë dhe 13% të Afganistanit. Para Kosovës janë edhe shtetasit e Shqipërisë dhe ata të Irakut (6%).
”Me 17.700 aplikime të reja gjatë tremujorit të dytë të vitit 2015 (ose 8% e totalit të aplikimeve në BE”, Shqipëria renditet e treta”, shkruan Eurostat, ku pothuaj se 90% e tyre kanë aplikuar në Gjermani. Por sipas shifrave të publikuara nga Eurostat bie në sy ulja e numrit të azilkërkuesve nga Kosova.
”Kosovarët ishin në krye të kërkesave për azil për herë të parë në tremujorin e parë të vitit 2015, por tashmë kërkesat e tyre janë ulur pothuajse në 10.000 persona në tremujorin e dytë”, citon Eurostat, shkruan sot Koha Ditore.
Gjithsesi, shifrat e Eurostatit janë kontradiktore me ato të Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë. Ministria e Brendshme Gjermane ka bërë publike në mesin e muajit korrik, shifrat e gjysmës parë të këtij viti për numrin e azilkërkuesve në këtë vend. Sipas kësaj ministrie, Shqipëria renditet e treta për numrin e azilkërkueseve ku për periudhën 6-mujore kërkuan azil në Gjermani 22.209 persona nga Shqipëria, duke u renditur në vendin e tretë.
Ndërkohë që sipas Eurostat, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria në vendet e BE-së është 17.700 persona ku 90% e tyre kanë aplikuar në Gjermani. Kështu që i bie që numri i aplikimeve sipas Eurostat të jetë 15.930 persona, apo 6.279 persona më pak se sa ato të publikuara nga Ministria e Brendshme Gjermane. Megjithatë shtetet e BE-së janë duke u përballur me një numër gjithnjë e në rritje të emigrantëve edhe në tremujorin e dytë dhe 1/3 janë nga Siria e Afganistani. (javanews.al / a.n)









