Nga Mero Baze
Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike me Kosovën, është në të vërtetë ngrirje e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe SHBA.
SHBA ka identifikuar edhe shkakun, dhe ai është Albin Kurti, i cili – siç thotë deklarata e ambasadës së SHBA në Kosovë – me “veprimet dhe deklaratat e fundit ka vënë në rrezik progresin e bërë ndër vite”.
Kjo është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në historinë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA, që prej viteve ‘90 kur Ibrahim Rugova filloi të ndërtojë raportin me SHBA si një identitet të lirisë së Kosovës.
Situata është dhe më e rëndë, pasi SHBA ka ngrirë raportet me Kosovën për një arsye që ka të bëjë me aftësinë shtetformuese të Kosovës dhe funksionet e Republikës së saj. Shkeljet kushtetuese në konstituimin e Kuvendit dhe mospërfillja e tyre, me qëllim që të mbahet Kosova në një krizë afatgjatë për arsye thellësisht politike, janë në të vërtetë pika e fundit që ka derdhur gotën në Uashington.
Kjo ngrirje e raporteve diplomatike pason sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, që janë ende në fuqi, duke e rrënuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe duke rrezikuar ta nxjerrin atë jashtë çdo procesi në rajon.
Përpara SHBA dhe Bashkimit Evropian, Albin Kurti u kujdes në mënyrë personale të përkeqësonte raportet me Shqipërinë, po për arsye politike, duke shpikur fabulën se Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, i sugjeronte atij, madje i bënte presion që të zbatonte politikat dhe propozimet e Serbisë. Kjo retorikë helmuese për faktorin shqiptar në rajon, detyroi Kryeministrin e Shqipërisë të zbehte deri në shuarje përfshirjen e tij në debatet ndërkombëtare për Kosovën, duke i lënë fushën e lirë Albin Kurtit për të mbrojtur idetë e veta kundër SHBA dhe Bashkimit Evropian që e çuan këtu ku e çuan.
Edhe tërheqja e Edi Ramës nga debatet për Kosovën nuk është një ide e mirë, pasi pavarësisht Albin Kurtit, Shqipëria ka përgjegjësi për Kosovën. Por kjo tërheqje zbuloi se Shqipëria ka qenë në linjë me BE dhe SHBA në raport me Kosovën, ndërsa Albin Kurti fatkeqësisht po bën atë që ka ëndërruar prej vitit 1999 Serbia: kthimin e Kosovës në një armike të Perëndimit.
Aktualisht Albin Kurti e ka futur Kosovën në embargo nga Bashkimi Evropian, në ngrirje me SHBA dhe Shqipërinë, dhe ka marrëdhënie të mira me të vetmen qeveri antishqiptare në rajon – atë të Maqedonisë së Veriut.
Ky bilanc tragjik për Kosovën, në mes të një krize politike të pështirë, ku shquhet mungesa e përgjegjësisë për shtetin e ri të Kosovës, bëhet edhe më i dhimbshëm pasi është një bilanc tragjik që Albin Kurti kërkon ta përkthejë në vota.
Pra, gjithë strategjia e tij e izolimit të Kosovës nga aleatët perëndimorë dhe “irredentistët e Shqipërisë”, është në funksion të krijimit të një fabule, që Kosova është e rrethuar nga armiq dhe ai ka nevojë për 50 për qind të votave që ta shpëtojë atë popull me kaq shumë armiq përreth – përveç Mickovskit në Shkup që e ka shpallur “vëlla”.
Duke qenë se Kosova është në mes të fushatës elektorale lokale dhe para zgjedhjeve të reja që do të duhen të bëhen për të rizgjidhur krizën artificiale të krijuar prej Kurtit në Parlament, kjo krizë bëhet edhe më kanceroze për Kosovën, pasi do të duhet të kthejë zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare në një lloj referendumi për Kosovën, që duhet të zgjedhë mes Albin Kurtit dhe Perëndimit.
Referendume të tilla të pashpallura, por që çojnë mesazhe të gabuara tek aleatët perëndimorë të Kosovës, janë pabesia më e madhe që i bëhet Kosovës, pasi vihen në të njëjtën peshore interesat elektorale me ato kombëtare.
Në vende si Kosova, ku populizmi është ideologji sunduese, mos u çudisni që ky referendum i rremë të lexohet si një votë e Kosovës kundër Perëndimit.
Kjo është dhe gjëja më e rëndë që po i ndodh Kosovës: përpjekja për të ngatërruar interesin kombëtar të saj – që është aleanca me Perëndimin dhe Shqipërinë – me një votë elektorale, që dominohet nga populizmi, paranojat e armiqve të jashtëm dhe të brendshëm, dhe mbi të gjitha nga kufizimi i zgjedhjes: “Ose Albinin, ose Kosovën me Perëndimin.”
Milosheviçi i pati fituar të gjitha referendumet kundër Perëndimit para bombardimeve. Madje referendumin e fundit kundër Perëndimit e pati fituar pas konferencës së Rambujes, por nuk pati kohë ta zbatonte sepse nisën bombardimet dhe ia hoqën Kosovën nga duart.












Mos ndofta ka ardhur koha, që Shqipëria e PARA, ta shpallë NON GRATA – kryeministrin në detyrë të Kosovës Albin Kurti ?
Mendoj që do të ishte edhe një orientim për popullin “druvar e dru me pre” të Kosovës, për zgjedhjet që do të vijnë.
Injorancinë e popullit kosovar, shfrytezon mjeshterisht dhelpra skuthe e tinzare Albin Kurti, duke e poshteruar Kosovën, dhe duke e derguar këtë shtet, përseri nën Serbi.
Kambanat po bien thellë dhe rëndë.
Kush ka veshë, të dëgjojë.
Kush ka sy, të shikojë.
O sot, o kurrë.
Duhet zhdukur klika uzurpuese e Albin Kurtit.
Evropa Plakë dhe e bija e saj Amerika, në vazhdimësi “këshillojnë” të tjerët, se si duhet të ndërtohet vendi, duke zbatuar ligjet dhe normat demokratike. Ndërsa kur janë në pyetje interesat e tyre, ata, nuk zgjedhin as mjete dhe as veprime për t’i përmbushur, çoftë edhe në dëm të atyre që këshillonin.
Evropa Plakë dhe e bija e saj Amerika, kërkojnë me ngulm nga të “këshilluarit” e tyre, që të vejnë në jetë diçka, që në vendet e tyre as që lejohet të përmendet. Kjo i bie, “duhet të bësh ashtu si po të them dhe jo të bazohesh në atë çka bej unë”!!!
Çka është edhe më keq, në sjelljet përfaqësuesve të Evropës Plakë dhe bijës së saj Amerikës, vërehet qartë, se ato nuk zgjodhën mjete në të shkuarën dhe nuk zgjedhin as sot, për t’i mbrojtur në të gjitha drejtimet dobiçin e tyre të përkëdhelur serbo-çetnik dhe si vëllezërit e tij sllavo-grek.