Dialogu i nivelit të lartë politik mes Serbisë dhe Kosovës në Bruksel nuk do të vazhdojë deri sa të implementohen të gjitha marrëveshjet e arritura për normalizimin e marrëdhënieve.
Është Ministrja e Kosovës për Dialog, Edita Tahiri, e cila theksoi se nuk do të ketë asnjë takim ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në nivel kryeministrash deri sa të arrihet progres në zbatimin e marrëveshjeve paraprake.
“Nuk do të ketë ndonjë takim të nivelit politik para se të arrihen rezultate konkrete”, apo derisa të dyja palët të arrijnë në qëndrime të njëjta rreth çështjeve, tha Tahiri për Balkan Insight.
Tahiri tha se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme Federica Mogherini “beson se nuk ka arsye për takime të tilla” nëse progresi në marrëveshjet e arritura nuk është i dukshëm.
Ndërkohë grupet punuese do të vazhdojnë të takohen gjatë majit, dhe progresi në këto takime do ta përcaktojë datën e takimit të ardhshëm ndërmjet dy kryeministrave.
“Ne do të kemi një seri takimesh këtë muaj. Suksesi i këtyre takimeve do ta përcaktojë datën e takimit të ardhshëm të nivelit politik”, tha Tahiri.
Takimet do të përqendrohen në sigurimin e automjeteve, aspekte të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) dhe mundësinë e hapjes së dy pikave të reja kufitare.









