Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Kosovën për 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Ai vuri në dukje se ky 18-vjetor rikujton se shqiptarët, ashtu si ishin bashkë në ditë të vështira të mbijetesës, do të jenë bashkë edhe në tryezat e Brukselit për të dëshmuar se shpirti i tyre ka qenë dhe do të mbetet përjetësisht euroatlantik.
Presidenti Begaj shtoi se shqiptarët në rajon, në Shqipëri, Kosovë, RMV, Mal të Zi dhe Serbi, kanë qenë dhe mbeten faktor i rëndësishëm emancipues, integrues dhe evropianizues, kontribues për paqen, stabilitetin dhe begatinë.
Duke folur në Kuvendin e Kosovës, kreu i shtetit theksoi se Shqipëria do qëndrojë në krah të Kosovës dhe do jetë zëri i saj në tryezat ndërkombëtare.
“Kosova e sotme na bën krenarë; ka konsoliduar institucionet demokratike, ka zhvilluar procese të qeta dhe gjithëpërfshirëse dhe ka shfaqur pjekuri demokratike. Vullneti i qytetarëve u shpreh qartë në zgjedhjet e fundit; tashmë ka marrë formë institucionale me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re. Sfida e tanishme është që ky mandat i besuar nga qytetarët të përkthehet në qeverisje të përgjegjshme, vendimmarrje të guximshme dhe përballim me guxim dhe me mençuri të sfidave të dialogut dhe të integrimit europian.
Ne jemi një komb, që rreh në dy shtete. Shqipëria është shtëpia e juaj, ashtu si Kosova është shpirti ynë. Bashkëpunimi ynë në çdo fushë nuk është zgjedhje politike, as interes i përkohshëm; është detyrim ndaj brezave.Ky 18-vjetor na rikujton se ashtu si ishim bashkë më ditë e vështira të mbijetesës, do të jemi bashkë dhe në tryezat e Brukselit për të dëshmuar se shpirti i shqiptarëve ka qenë dhe do të mbetet përjetësisht euroatlantik.Shqiptarët në rajon, si në Shqipëri, Kosovë, RMV, Mal të Zi dhe Serbi kanë qenë dhe mbeten një faktor i rëndësishëm emancipues, integrues dhe evropianizues, dhe kontribuues për paqen, stabilitetin dhe begatinë në rajonin tonë, por edhe më gjerë.
Nuk mund të ketë Evropë të plotë pa një Kosovë të barabartë mes të barabartëve. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një zë i Kosovës në çdo tryezë ndërkombëtare derisa flamuri i saj të valëvitet në OKB dhe NATO. Republika e Kosovës e meriton statusin e vendit kandidat në BE dhe heqjen e çdo mase kufizuese.”, tha Bajram Begaj.











