Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas një denoncimi publik të deputetit demokrat Saimir Korreshi lidhur me disa pamje nga Spitali Bashkiak i Lushnjës.
Sipas denoncimit të Korreshit, në Repartin e Oksigjenit të spitalit, kushtet aktuale nuk përmbushin standardet minimale të sigurisë për pacientët dhe stafin mjekësor. Deputeti theksoi se mungesa e investimeve dhe infrastruktura e amortizuar përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e pacientëve.
Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë sqaroi se bëhet fjalë për një godinë që aktualisht nuk është në përdorim dhe është pjesë e procesit të rikonstruksionit të plotë. Sipas Ministrisë, repartet e asaj godine janë transferuar në ambiente funksionale dhe garanton se shërbimet për pacientët vijojnë të ofrohen në kushte të sigurta.
“Në lidhje me pamjet dhe deklaratat e fundit për Spitalin Bashkiak Lushnjë, sqarojmë se ato i referohen godinës nr. 3, aktualisht jashtë përdorimit dhe në pritje të rikonstruksionit të plotë, për të cilin procesi i tenderimit ka përfunduar dhe pritet leja e ndërtimit. Repartet janë transferuar në ambiente funksionale, ndërsa gjendja në bodrume dhe në hapësirat e jashtme ka karakter të përkohshëm dhe do të sistemohen. Spitali Bashkiak Lushnjë garanton se shërbimet për pacientët vijojnë të ofrohen në kushte të sigurta dhe mbetet i hapur për çdo verifikim nga autoritetet kompetente”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Deputeti Korreshi publikoi një ditë më parë video nga godina e spitalit, duke denoncuar rreziqet potenciale për pacientët, veçanërisht në repartin e oksigjenit, që është një repart jetik.











