Një ndërtim i ri betoni në bulevardin “Republika” në Korçë! Ndërtimi me tri kate ndodhet në zonën muzeale të qytetit, çka është edhe zonë e mbrojtur. Alarmi është dhënë nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, i cili përkrah dy fotografive të godinës në ndërtim shkruan: Po ndodh në Korçë – në bulevardin “Republika”.
Nën sytë e Ministrisë së Kulturës, e cila është e zënë me lejen e HEC në kanionet e Nivicës. QUO VADIS Mirela Kumbaro!!! Ku është Instituti yt i Monumenteve të Kulturës, që është shndërruar në një organ që jep leje ndërtimi nëpër Shqipëri dhe terrorizon profesionistët e sektorit që hapin gojën? Ku është Ministria e Kulturës, që po mbulohet me turp dhe po merr pjesë me mosveprimin e saj në shkatërrimin e aseteve kulturore e trashëgimore të vendit që duhet t’i ruajë?”. “GSH” ka kërkuar dje një sqarim nga Ministria e Kulturës për çështjen e mësipërme, por nuk ka marrë përgjigje. Ndërkaq, drejtoresha e IMK-së interesimit të “GSH” i është përgjigjur me premtimin se do të japë sqarime ditën e hënë.