SPAK tashmë ka hapur “kapakët” e pluhurosur të dosjes së “Gërdecit”, e cila është endur gjykatave të të gjitha shkallëve pa gjetur askund karar që të hetohet deri në fund dhe të mbajnë përgjegjësi autorët e vërtetë.
Ankesa e familjes Durda e cila humbi në këtë krim shtetëror djalin 7 vjeçar, e bashkë me të dhe 25 viktima të tjera të pafajshme, si dhe mbi 300 të plagosur pa llogaritur dëmet materiale ku u shkatërrua një fshat i tërë e bizneset përreth, ka gjetur me sa duket interesimin e drejtësisë së re.
Nëpër panelet televizive, nuk mungojnë as panelistët që kërkojnë që të devijojnë me dashje hetimin, duke e orientuar tek ideja e përshkueshmërisë, apo se nuk ka elementë dokumentarë që lidh strukturat e shtetit, përkatësisht të Ministrisë së Mbrojtjes por dhe të qeverisë me këtë krim, i cili renditet në krimet më të mëdha shtetërore dhe maja e “ajszbergut” të korrupsionit me pasojë vdekjen e të pafajshmëve në Shqipëri.
Eshtë një tentativë e përllogaritur mirë për të mbyllur çështjen sërish me procedurë, sikurse ka ndodhur deri më tani, ku herë përmes zvarritjeve herë nga pengimi i hetimit për shkak të imunitetit të deputetit të ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, çështja ka mbërritur në këtë gradë, sa u desh drejtësia e re që ta marrë përsipër hetimin e zbardhjen e plotë të saj.
Në krye të të gjithë “punëve” për mbylljen e kësaj dosjeje qëndronte dhe qëndron as më pak dhe as më shumë por kryeministri i atëhershëm Sali Berisha, pasi prapa biznesit të demontimit të municioneve dhe të tregtisë së fishekëve kishte akuza se fshihej djali i tij, Shkelzen Berisha.
Berisha përmes presionit të drejtëpërdrejtë në emër të qeverisë në atë kohë ishte ai që firmosi hapjen e kësaj punishteje demontimi, ushtroi presion mbi Mediun që të mos hapë gojën për të nxjerrë të gjitha të palarat e skemës së ngritjes së biznesit të vdekjes.
Por dhe Mediu nga ana tjetër ka mbetur si “gozhdë” në politikën shqiptare, një sponsorizim i Berishës për të heshtur dhe jo vetë ai. Kanë mbetur në politikë dhe ish ministrat e drejtësisë Aldo Bumçi dhe më pak dhe Enkelejd Alibeaj, të cilët ishin “ushtarët” për ngritjen e këtij biznesi vdekjeje direkt të Shkelzen Berishës. Bumçi përmes letrave dërguar ministrisë së Mbrojtjes “për Shkelzenin”, ndërsa tjetri përmes kopsitjes së dosjes së këtij biznesi në fillim si kreu i antikorrupsionit në kryeministri dhe më pas si ministër, deri në presionin ndaj prokurorisë për të marrë serverat dhe për t’i kontrolluar ato. Por ndoshta dhe për t’i fshirë!
Eshtë një skemë në të cilën ishin përfshirë të gjithë segmentet shtetërore të kohës së Berishës në fillim në funksion të ngritjes së punishtes së vdekjes, pronar i të cilës akuzohet se ishte Shkelzen Berisha dhe më pas mbrojtjen e djalit të Berishës, pas shpërthimit dhe masakrës njerëzore që ndodhi në këtë fshat.
Ndonëse në SHBA ortaku i këtij biznesi, Efraim Diveroli dhe bashkëpunëtori i tij Alexander Podrizki, si drejtues kryesorë të kompanisë së tregtimit të fishekëve shqiptare për në Afganistan, jo vetëm janë pyetur por dhe janë dënuar për veprën penale të kryer në SHBA, në Shqipëri janë dënuar vetëm drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari disa zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe biznesmeni Mihal Delijorgji. Dënime të “përkora” këto.
Ndërsa “kapot” e këtij biznesi Sali Berisha kryeministër, Fatmir Mediu Ministër Mbrojtjeje dhe Shkelzen Berisha, njeriu që akuzohet se qëndronte prapa biznesit, jo vetëm që nuk janë dënuar por as nuk janë pyetur nga drejtësia për këtë krim makabër që shkatërroi një fshat të tërë.
Nuk është vështirë për të depërtuar në lambirinthet e skemës që çuan në ngritjen e këtij biznesi, pasi vendimet e këshillit të Ministrave aty janë, apo dhe dokumentet e sakta janë në Ministrinë e Mbrojtjes. Mund të kërkohet dhe ndihma amerikane, pas dënimit të Diverolit.
Por një element që askush nuk përmend, duke e shpërndarë përgjegjësinë dhe hallakatur hetimin nëpër shtigje të tjera, është fakti se përse u përfshi Kosta Trebicka në biznesin e vdekjes i cili më vonë vdiq apo u vra, ende mbetet mister. Por dhe dëshmia e ish shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë Gjeneral Luan Hoxha në ambasadën amerikane, kabllogrami i ambasadorit Xhon Udhers e ka shpjeguar qartë këtë fakt, i cili ka përshkruar me detaje ecurinë e biznesit të demontimit të municioneve, tjetërsimit të tyre duke përmendur dhe emrat kryesorë të përfshirë në këtë aferë të rëndë korruptive që solli vdekjen e 26 personave.
Pra ishte një biznes mirëfilli vdekjeje, i ngritur përmes një organizimi mafioz, i cili me “kosën” e vdekjes përfshinte këdo që dilte kundër siç ndodhi me të ndjerin Kosta Trebicka, dhe të detyronte të arratiseshe nga vendi dhe të kërokje azil politik në vendin më të mbrojtur SHBA, siç ndodhi me ish shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Luan Hoxha.
Pikërisht elementët bazë për të nisur hetimi me themel i “Gërdecit” është evidentimi i faktit se si u ngrit ky biznes, roli i Trebickës dhe dëshmia e Luan Hoxhës për SHBA. Këto elementë shpangin dhe “klonin” e krijuar nga Berisha bashkë me drejtësinë e vjetër për të hetuar çështjen ku ishte përfshirë dhe djali i tij Shkelzen Berisha, por dhe për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij që kishin ndihmuar, në këmbim të heshtjes.
Si u ngrit biznesi i vdekjes në Gërdec dhe vdekja e Kosta Trebickës
Më 26 janar 2007, vetëm një vit përpara shpërthimit në Gërdec, Komanda e Mbarëvajtjes së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, me një vendim të sajin përzgjodhi kompaninë “AEY” për të përmbushur kontratën për gjetjen dhe dërgimin e municioneve të ndryshme në Republikën Islamike të Afganistanit, përfshirë këtu fishekë të kalibrit 7.62x54mm dhe 7.62×39 mm.
Drejtuesi dhe pronari i “AEY” për të rifreskuar kujtesën e atyre që e kanë harruar këtë fakt, ishte Efraim Diveroli, ndërsa zv.presidenti dhe konsulent ishte David Packouz , i cili ka qenë dhe një agjent shumëplanësh i “AEY”, që e kishte qendrën në Tiranë.
Kontrata ishte e majme dhe kishte një vlerë prej 298,000,000 dollarësh, por ajo përmbante një klauzolë sipas të cilës kompania “AEY” nuk lejohej të përmbushte kërkesat e kontratës me municion të blerë direkt ose indirekt nga kompani ushtarake kineze.
“AEY” mori nënkontraktore një kompani tjetër të huaj, “Evdin Ltd”, për prokurimin e fishekëve, por kjo kompani i mori këta fishekë nga Kompania për Import Eksportin Ushtarak në Shqipëri, MEICO. Fishekët shqiptarë ishin prodhuar nga fabrika në Republikën e Kinës, diku mes viteve 1958 dhe 1974. Kjo solli një konfuzion në marrëdhëniet me kontraktorit dhe nënkontraktorit.
Pasi fishekët që do të dërgoheshin nga Shqipëria në Afganistan përmes linjës ajrore të organizuar nga “AEY”, ishin prodhim kinez, në kundërshtim me kontratën e dhënë nga qeveria e SHBA, e cila nuk cedonte në këtë element thelbësor.
Gjetja dhe dërgimi i fishekëve të prodhuar në Kinë ishte një shkelje e klauzolës kontraktuale që ndalonte dërgesën e fishekëve të marrë në mënyrë indirekte nga kompani ushtarake komuniste kineze. Departamenti i Shtetit refuzoi prerë përdorimin e fishekëve të prodhuar në Kinë, ndërkohë që “AEY” e qeveria shqiptare gjetën mënyrën antiligjore se si të evitonim problemin.
Duke qënë se ato ishin mall skarco dhe në planin e masave të Ministrisë së Mbrojtjes për t’u asgjësuar, për të maksimilizuar fitimet e kompanisë së Diverolit por dhe për të pasur diçka për të “dorovitur” dhe zyrtarët shqiptarë, u vendos të realizohej mashtrimi i madh ndaj SHBA, duke ndryshuar etiketat e ambalazhimit. Kjo ulte kostot dhe fitimi ishte maksimal, pasi po hidheshin në treg fishekë të destinuar për t’u shkatërruar dhe që s’prodhonin asnjë lek.
“AEY” vendos të fshijë origjinën e fishekëve, duke e hequr paketimin origjinal që kishte shenjat kineze e elementët identifikues në gjuhën kineze dhe duke i ripaketuar fishekët në kuti kartoni.
Për këtë qëllim “AEY” në fillim punësoi “Xhoi Shpk”, një kompani shqiptare të drejtuar nga Kosta Trebicka, për të ripaketuar fishekët në kutitë e kartonit, pa etiketa kineze. Por për të maksimalizuar fitimin, kompania nënkontraktore “Evdin ltd” shmangu Trebickën dhe filloi t’i paketonte vetë fishekët kinezë.
Zyrtarët shqiptarë, palë në marrëveshje informuan Diverolin se Kosta Trebicka kishte nisur investigimet e tij private për kontratën e re të MEICO-s me “Evdin ltd”, e cila e kishte nxjerrë atë jashtë loje. Trebicka ishte i shqetësuar që “Evdin ltd” po e blinte municionin me një kosto prej 0.02 dollarësh për çdo fishek, ndërkohë që AEY kishte rënë dakord që të paguante 0.035 dollarë për fishek. “Evdin ltd” po paguante MEIKO-n për fishekët, pas të cilëve akuzohet se qëndronte dhe merrte fitimin e tij familja kryeministrore e atëhershme Berisha, ndërsa “AEY” kërkonte të rinegocionte marrëveshjen për shitblerjen e fishekëve direkt me zyrtarët e MEICO-s.
Në atë kohë Diveroli u takua në Tiranë me ish drejtorin e MEICO, Ylli Pinari për të negociuar një çmim të ri për fishekët. Pjesëmarrës të atij takimi ishin Podrizki, Pinari, Mihal Delijorgji e individë të tjerë, që nuk e identifikuan veten. Në takim Trebicka ka thënë se ishte dhe Shkelzen Berisha, i cili vetëm dëgjonte dhe zgurdullonte sytë, aq sa prandaj e quajtën “sypeshkaqeni”. Diverolit iu kërkua të prishte marrëveshjen me Trebickën pasi i binte më lirë tregtia e fishekëve.
Trebicka, pasi e ka kërcënuar Diverolin se do të informonte agjencitë ligjzbatuese amerikane dhe shqiptare për këtë maskarallëk, ndërkohë që pronari i “AEY” i kundërpërgjigjet në telefonatë me të tjerave se “më shumë, më shumë… ka shkuar lart deri tek kryeministri dhe djali i tij. Kjo është… kjo mafia është më e fuqishme se mua. Unë nuk mund ta luftoj këtë mafie. Eshtë shumë e fuqishme. Kafshët po dalin jashtë kontrollit. Shumë lojtarë…”. Kjo bëri që Trebicka të kontaktonte në SHBA shumë eksponentë të organve ligjzbatuese atje, duke bërë prezent shqetësimin e tij. Madje u hap dhe për mediat shqiptare dhe të huaja duke akuzuar kryeministrin Berisha se qëndron pas këtij biznesi të frikshëm të fishekëve kinezë, dhe që kishte mashtruar dhe Pentagonin, thjeshtë dhe vetëm për fitime.
Me sa duket kjo e rëndoi shumë situatën e Trebickës në raport me pronarët e vërtetë të këtij biznesi, aq sa u detyruar që më pas të mos pohonte prezencën e Shkelzen Berishës në takimin e Diverolit me Pinarin në Tiranë. Ndërkohë që u vu përballë kërcënimeve për jetën të tij dhe të familjes. Megjithatë biseda telefonike Diveroli-Trebicka ishte “arkivuar” nga organet ligjzbatuese amerikane, që shërbeu më pas për dënimin e kreut të “AEY” me burg në SHBA.
Ndërkohë që me sa duket për Trebickën kishin nisur ditët e fundit për të, pasi në një ditë “gjuetie” në Korçë, ai u gjend i vdekur në një aksident automobilistik në mes të një fushe dhe me një shapkë Myzeqeje “të vrarë” në malet e Korçës në brez. “Ustallarët” e mbyllën çështjen dhe e “dyllosën” si aksident automobilistik, pavarësisht se dhe sot e kësaj dite mbetet mister vdekja e Trebickës, që në mes të kërcënimeve del vetëm për gjueti shumë kilometra jashtë Tiranës, dhe elementë të tjerë që nuk bindin për këtë version zyrtar të dhënë për vdekjen e tij.
Pra elementi i parë, a kishte dijeni Ministria e Mbrojtjes dhe MEICO se fishekët kinezë nuk dërgoheshin për demontim, por ripaketoheshin me kontratë të rregullt me Trebickën dhe më vonë me “Evdin ltd”, u ndërrohej etiketa kineze dhe dërgoheshin në Afganistan. Këtu duhet të hetojë dokumentet zyrtare drejtësia e re, se si ka mundësi që zyrtarisht zhvillohet një proces që mashtron amerikanët që hodhën miliona dollarë për fishekë sagllam por morën fishekë skarco kinezë nga qeveria shqiptare e asaj kohe.
Dhe të hetohet dhe vdekja e Trebickës me këtë rast, pavarësisht se të gjitha palët e përfshira ishin të interesuara dhe punuan fort që vdekja e tij të “shitej” si një aksident atomobilistik. Për pasojë të gjithë ata që u morën me hetimin e vdekjes së Trebickës të kalojnë nëpër “çarkun” e drejtësisë së re, që nga vendngjarja e deri tek ekspertiza e të ndjerit apo balistike në këtë rast. Eshtë mister, i cili ka shumë gjasa që të zgjidhet me një hetim serioz, dhe për për pasojë do të hapte shumë dritare për të ndriçuar “Gërdecin” në tërësi.
Dëshmia e gjeneral Luan Hoxhës në ambasadën e SHBA, kërcënim i tij dhe azili politik
Elementi i dytë që mund të zbardhë detaje nga krimi shtetëror në Gërdec, është zbardhja e dëshmisë së ish shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA Gjeneral Luan Hoxha dhe futja e kësaj dëshmie, sëbashku dhe me atë të “pendesës” së tij, në dosjen e rëndë të Gërdecit.
SPAK e ka tërë mbështetjen e mundshme nga SHBA por dhe nga shteti shqiptar që të punojë lirshëm, pa frikë e me efektivitet për zbardhjen e këtij krimi që tronditi Shqipërinë në mars 2008.
Kjo do të lironte dhe vetë gjeneralin nga akuzat, pasi denoncimi i kërcënimeve dhe shantazheve, sikurse ka deklaruar ai në ambasadën amerikane në Tiranë, të djalit të kryeministrit Berisha, i kanë kushtuar atij një dënim me 6 vite burg në mungesë Luan Hoxhës.
Në kabllogramin e ambasadorit Uidhers për DASH thuhet se ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura shqiptare, Luan Hoxha, është shprehur se u kërcënua me jetë nga djali i Sali Berishës për të heshtur për Gërdecin dhe përfshirjen e familjes kryeministrore të asaj kohe në aferën e “punishtes së vdekjes”, ku humbën jetën 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën mbi 30 të tjerë. Gjeneral Luan Hoxha nga frika kërkoi mbrojtje tek amerikanët dhe denoncoi kërcënimet e Shkëlzen Berishës. Largimi i Luan Hoxhës nga Shqipëria ndodhi pak muaj pasi në shtator 2011, në kabllogramet e publikuara, ai përmendej për një bisedë në të cilën ai kishte informuar ambasadorin amerikan Uidhers në lidhje me Gërdecin. Kjo ia kishte komplikuar marrëdhëniet me qeverinë e asaj kohe.
Hoxha kishte denoncuar tk Uidhers kërcënimet e djalit të Berishës, nëpërmjet telefonit. Sipas kabllogramit, Luan Hoxha i kishte thënë ambasadorit amerikan se vendimmarrësi kryesor për Gërdecin ishte Mediu, nga zgjedhja e Gërdecit si vend për shkatërrimin e municioneve, deri tek llojet e municioneve që do shkatërroheshin dhe planifikimi i kohës se kur do bëhej shkatërrimi.
“Hoxha pranoi se stafit të tij i ishte thënë të transportonte municionin në atë vend dhe të ruante vendin. Hoxha tha se kur ai vizitoi Gërdecin në mes të 2007-ës, ushtarët e tij po bënin këto dy detyra, dhe në sipërfaqe u duk se nuk kishte asgjë të gabuar.
Gjatë pjesës së dytë të projektit, nisur në dhjetor 2007, ishte urdhëruar nga Mediu, pavarësisht shqetësimit të tij drejtuar me një letër kryeministrit Berisha, zonjës Topalli dhe Mediut. Pas kësaj, presioni mbërriti përmes telefonit nga një djalë i ri, i cili më pas u konfirmua si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit, që e urdhëroi të vijonte dërgimin e municionit të kalibrit të lartë në Gërdec, pa pasur asnjë vonesë. Ish-Shefi i Shtabit, Luan Hoxha, kërkoi një takim me ambasadorin për të diskutuar për atë që ndodhi në Gërdec.
Në takimin e realizuar më 17 qershor shefi i sapo shkarkuar i shtabit, Luan Hoxha tregoi anën e tij të historisë së Gërdecit. Ndryshe nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ia hedh fajin e Gërdecit ushtarakëve, Hoxha deklaron se nga këndvështrimi i tij, Mediu mori të gjitha vendimet që nga zgjedhja e Gërdecit për për të shkatërruar municionet, te çfarë lloj municionesh do të përdoreshin, në çfarë kohe dhe cili do të ishte programi. Hoxha thotë se stafi i tij kishte për detyrë vetëm transportimin e municioneve dhe të ruanin perimetrin e jashtëm, asgjë tjetër.
Ai shpjegon se Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit i kishte bërë presion që “të vazhdonte të dorëzonte municione të një kalibri më të lartë në Gërdec” dhe këtë gjë “ta kryente pa vonesa”.
I pyetur nga Ambasada nëse ia kishte raportuar këtë fakt Prokurores së Përgjithshme, Hoxha u përgjigj: PO. Por zyrtarisht ai kishte dorëzuar të gjitha informacionet e dokumentet prokurorëve, përveç informacionit në lidhje me djalin e Sali Berishës. Për këtë ai tha se kishte frikë të fliste.
Ambasadori i shpjegoi se hetimi i prokurorisë mund të ishte i suksesshëm vetëm nëse ata që dinin gjëra, do thoshin të vërtetën. Hoxha pranoi që në interes të drejtësisë ai duhet të fliste, por nuk konfirmoi që do ta bënte një gjë të tillë. Hoxha tha se shumë të tjerë kishin dijeni për këtë informacion. Disa prova të jashtme konfirmojnë variantin e Hoxhës. Ai mund të ndihmojë për të shpjeguar pyetjen më të rëndësishme të momentit: Pse kryeministri(Berisha) ka nisur sulme kaq të fuqishme kundër institucioneve kushtetuese duke alarmuar komunitetin ndërkombëtar aq sa të vërë në diskutim kredencialet demokratike të Shqipërisë në një kohë kur kaq shumë gjëra janë në tavë në lidhje me NATO-n…” thuhet mes të tjerave në kabllogramin e ambasadorit amerikan në Tiranë. Një element bazë që mund të shërbejë bindshëm për hetimin e “Gërdecit” nga drejtësia e re, tashmë kur kjo çështje është hapur për hetim të thelluar nga SPAK.
Mjaftojnë këto elementë, si dhe vendimet e gjykatave të Floridas, ku Shkelzen Berisha humbet gjyqet me gazetarin amerikan Guy Lawson, i cili në librin ‘Armët dhe Çunat’, që ka në thelb tragjedinë e Gërdecit, Laëson ka shkruar specifikisht edhe për djalin e ish-kryeministrit, Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, duke nxjerrë fakte dhe prova, që sipas autorit, provojnë se Berisha ka qenë i përfshirë në biznesin famëkeq të armëve, që dosja “Gërdeci” të plotësohet.
Por dhe shpirti i atyre që humbën jetën në këtë tragjedi, për shkak të krimit shtetëror të gjejnë më në fund paqe, duke vënë para drejtësisë autorët e vërtetë të “Gërdecit”. Kjo dosja është një “gur prove” për drejtësinë e re, për të justifikuar besimin shqiptarëve por dhe atë amerikan që e mbështeti fort me të gjithë mënyrat këtë drejtësi, madje duke i lënë gati për në “tavë” të paktën për ta pyetur për këtë krim, ish kryeministrin Sali Berisha, të cilin e shpalli person familjarisht “non grata” në SHBA. /JavaNews-M.Nikaj