Finalizohet operacioni policor i koduar “KOORDINIMI“, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, ndërsa në pranga kanë rënë 10 shtetas.
Ndërkohë që u shpallen në kërkim 3 shtetas të tjerë.
Gjithashtu, gjatë operacionit u kapen dhe u arrestuan në flagrancë edhe dy shtetas të tjerë.
Si rezultat i një pune disamujore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në funksion të procedimit penal të vitit 2020, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, nga strukturat e Policisë, në bashkëpunim me ato të SHÇBA-së, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, u ekzekutuan urdhrat e ndalimit të lëshuara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, për shtetasit:
H. K., 35 vjeç, G. K., 32 vjeç, L. K., 27 vjeç, N. M., 40 vjeç, Y. M., 25 vjeç, E. L., 25 vjeç, S. Z., 39 vjeç, A. F., 47 vjeç, H. M., 33 vjeç dhe S. S., 19 vjeç, banues në Krujë.
Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasve: B. D., 30 vjeç, I. K., 49 vjeç dhe L. D., 20 vjeç, banues në Krujë.
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: G. Z., 33 vjeç, banues në fshatin Vrijon, Krujë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. A. K, 39 vjeç, banues në fshatin Virjon Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajta pa leje e armëve dhe municioneve”, pasi gjatë kontrollit në banesë Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë. Vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjere të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, për hetime të mëtejshme.