Në mbledhjen e radhës së Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, u shqyrtua projektligji “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”.
I pranishëm për të paraqitur dhe argumentuar nismën ishte ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili theksoi rëndësinë e krijimit të një kuadri të ri ligjor për forcimin e kontrollit, transparencës dhe profesionalizmit në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale.
Në fjalën e tij para deputetëve, ministri Lamallari argumentoi se projektligji synon krijimin e një strukture moderne dhe funksionale, e cila do të garantojë mbikëqyrje efektive të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë penale.
Sipas tij, Agjencia e re do të ketë për mision parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprave penale brenda sistemit, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm për të garantuar integritetin institucional. Ministri Lamallari theksoi para deputetëve se Ministria e Drejtësisë i qëndron variantit të projektligjit të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Sipas tij ky draft ka pasur kohë të mjaftueshme për t’u konsultuar në cdo gërmë të tij.
Në projektligj, një theks i veçantë i jepet veprimtarisë informative gjurmuese, e cila do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbi bazën e udhëzimeve të përbashkëta ndërinstitucionale, duke garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore. Projektligji parashikon mekanizma shtesë për mbrojtjen e të dhënave personale, në përputhje me legjislacionin përkatës, si dhe kërkesën për autorizim nga prokurori përpara marrjes së të dhënave nga punonjësit operacionalë, me qëllim shmangien e çdo abuzimi të mundshëm.
Gjithashtu, u riformuluan dispozita që lidhen me emërimin dhe lirimin e Drejtorit të Përgjithshëm, duke forcuar balancën institucionale mes ministrit dhe Kryeministrit, si dhe u vendosën kritere më të qarta për transferimet, komandimet dhe ndërprerjen e marrëdhënieve të punës.
Në përfundim të diskutimeve, projektligji u miratua në parim dhe vijoi shqyrtimi nen për nen, me reflektimin e të gjitha ndryshimeve të dakordësuara, për t’iu paraqitur më pas seancës plenare për votim. Ministri Lamallari theksoi se kjo nismë është një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të një sistemi të sigurt, transparent dhe të përgjegjshëm të ekzekutimit të vendimeve penale, në shërbim të shtetit të së drejtës dhe besimit të qytetarëve tek institucionet.











