Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka ftuar qytetarët me të drejtë vote, që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje që po mbahen në komunën e Veriut të Mitrovicës, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Konjufca u shpreh se procesi zgjedhor në katër komunat veriore, po organizohet në atmosferë të qetë dhe demokratike.
Konjufca nënvizoi se vota e qytetarëve do të ketë ndikim të madh në vendimmarrje lokale dhe ndryshime të përgjithshme pozitive.
“Sot, në një atmosferë të qetë dhe demokratike po mbahen zgjedhjet lokale në katër komunat e Republikës së Kosovës, përkatësisht në komunën e Veriut të Mitrovicës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Zgjedhjet janë mjeti më demokratik dhe mundësia më mirë për qytetarët që përmes votës së lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të bëjnë ndryshimet e dëshiruara.
Prandaj i ftoj qytetarët me të drejtë vote të këtyre komunave që të marrin pjesë sa më masivisht në zgjedhjet e sotme lokale. Mos e humbni rastin. Vota juaj do të ketë ndikim të madh në vendimmarrjen lokale, në ndryshimet e përgjithshme pozitive dhe në jetën e mirëqenien tuaj”, shkroi Konjufca në Facebook.