Zëvendëskancelari i Gjermanisë Robert Habeck tha sot se Evropa mund të jetë në prag të luftës për shkak të krizës së vazhdueshme në Ukrainë. Habeck, i cili përfaqëson Partinë e Gjelbër, tha: “Ne mund të jemi në prag të luftës në Evropë. Me ushtri të mëdha, tanke përballë njëri-tjetrit. Është absolutisht kërcënuese”.
Komentet e tij vijnë ndërsa kancelari gjerman Olaf Scholz përgatitet të nisë një përpjekje të fundit për të lehtësuar tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit. Scholz planifikon të udhëtojë për në Kiev të hënën, përpara se të mbërrijë në Moskë të martën.
Sipas mediave të huaja, Rusia mund të pushtojë Ukrainën këtë të mërkurë, por Rusia mohon çdo qëllim për të filluar konfliktin. Rusia ka fajësuar NATO-n për ekzagjerimin e situatës.
Vendet perëndimore si Britania e Madhe dhe SHBA kanë këshilluar të gjithë qytetarët që të largohen nga Ukraina sa më shpejt të jetë e mundur dhe u kanë thënë atyre të mos udhëtojnë për atje.
/b.h