Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka lëshuar një tjetër sulm verbal ndaj vendeve europiane, duke i akuzuar ato se janë palë aktive në luftën kundër Rusisë përmes mbështetjes ushtarake që i japin Ukrainës.
Duke folur të martën para gazetarëve, Lavrov hodhi poshtë akuzat perëndimore se Moska po zhvillon një luftë hibride kundër vendeve europiane dhe argumentoi se është vetë Europa ajo që po vepron kundër Rusisë.
“Nuk kam asnjë dyshim se kjo është një luftë që Evropa po e zhvillon kundër nesh”, deklaroi kreu i diplomacisë ruse, duke iu referuar dërgesave të armëve dhe ndihmës ushtarake që vendet europiane ofrojnë për Kievin.
Komentet e tij erdhën si përgjigje ndaj pyetjeve lidhur me pretendimet e vendeve perëndimore se Rusia po përdor metoda hibride për të destabilizuar shtetet europiane.
Kjo nuk është hera e parë që Lavrov përdor tone të ashpra ndaj Europës.
Një ditë më parë, gjatë deklaratave të bëra në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ai paralajmëroi se kontinenti europian po përgatitet për një përballje të drejtpërdrejtë me Rusinë.
“Sot është Evropa ajo që po përgatitet për luftë me ne. Ata përsërisin vazhdimisht se, më së voni deri në vitin 2030, evropianët duhet të jenë gati për luftë. Aktualisht po investohen shuma të mëdha parash në prodhimin e armëve”, u shpreh ai.
Lavrov shkoi edhe më tej në deklaratat e tij, duke paralajmëruar pasoja të rënda në rast të një konflikti të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe vendeve europiane.
“Nëse na sulmojnë, sepse ne nuk do të rrimë duarkryq, atëherë lufta që do të shpërthejë do të jetë krejtësisht e ndryshme nga ajo në Ukrainë dhe do të jetë e shkurtër”, deklaroi ministri rus, në një koment që është interpretuar si kërcënim ndaj vendeve perëndimore.











