Konferenca e 31-të e Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), u mbyll të dielën pa arritur një konsensus për vendimin politik.
I pyetur mbi këtë të hënën, gjatë konferencës së rregullt për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, tha se pala kineze shprehet e zhgënjyer nga ky rezultat, por kjo nuk duhet humbur besimi në procesin shumëpalësh.
“Përballimi i ndryshimeve klimatike është përgjegjësi e përbashkët e njerëzimit. Prirja globale drejt zhvillimit të gjelbër dhe me karbon të ulët është e pakthyeshme. Të gjitha palët duhet t’i përmbahen multilateralizmit dhe parimit të përgjegjësive të përbashkëta, por të diferencuara.
Duke respektuar rregullat shumëpalëshe, shkencën dhe kushtet konkrete të çdo vendi, ato duhet të tregojnë më shumë vullnet politik për solidaritet dhe bashkëpunim në përballimin e ndryshimeve klimatike, të arrijnë konsensus dhe të nxisin zbatimin e Marrëveshjes së Parisit”, theksoi Guo.
Sipas zëdhënësit, Kina ka bërë përpjekje të mëdha për suksesin e kësaj konference. Han Zheng, zv/President i Kinës dhe përfaqësues i posaçëm i Presidentit Xi Jinping, mori pjesë në Samitin e Liderëve në Antalia, ku mbajti një fjalim. Ai rikonfirmoi angazhimet e Kinës për arritjen e kulmit të emetimeve të karbonit dhe neutralitetit të karbonit, si dhe paraqiti propozimet kineze për përmirësimin e qeverisjes globale të klimës përballë ndryshimeve klimatike.

Delegacioni kinez luajti gjithashtu një rol konstruktiv gjatë konferencës, duke marrë pjesë në mënyrë aktive dhe të gjithanshme në negociata, duke zhvilluar konsultime të gjera me palët dhe duke kontribuar në orientimin e diskutimeve.
“Kina, si një mbështetëse e vendosur e multilateralizmit, pjesëmarrëse aktive në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe nxitëse e rëndësishme e tranzicionit të gjelbër, do të vazhdojë të mbajë një qëndrim të përgjegjshëm. Së bashku me të gjitha palët, ajo do të përballet me sfidat, do të kapërcejë vështirësitë dhe do të nxisë tranzicionin global drejt një ekonomie të gjelbër e me karbon të ulët, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, deklaroi Guo.










