Konferenca e 8-të Ndërqeveritare Bashkimi Europian-Shqipëri do të mbahet më 26 maj.
Burime për Klan News, bëjnë me dije se do të diskutohen 5 kapituj, mes tyre ai për gjyqësorin dhe të drejtat themelore.
“Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Sepse ndryshe nga si e përflasin ditë e natë ata që gjithnjë humbasin në fund, Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton”, lajmëroi më herët kryeministri Edi Rama.
Kujtojmë se takimi paraardhës i këtij niveli u mbajt në nëntor të 2025, kur u hap grup-kapitulli i fundit i negociatave me BE, “Bujqësia dhe Kohezioni”. Gjë që sipas kreut të qeverisë u arrit në një kohë rekord, për vetëm 12 muaj!
Viti që lamë pas shënoi një sërë momentesh kyçe sa i takon këtij procesi, që pikënisjen e pati në korrik të 2022-it, kur u çelën negociatat. 16 vjet pas firmosjes së marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, u bë realitet ëndrra e kahershme e shqiptarëve për rrugëtimin e vendit drejt Unionit.
Megjithatë, siç e ka deklaruar edhe Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, “tanimë mbyllja e grup-kapitujeve është çmimi real për Shqipërinë”.
“Vijoni me reformat”, ka qenë apeli i vazhdueshëm nga ndërkombëtarët, por realizimi i të gjithë detyrave mbetet një proces kompleks. Vetë kryeministri ka deklaruar se ka disa fusha ku nevojitet më shumë punë.
“Sfida e sfidave”, për të është grup-kapitulli që lidhet me sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
“Reforma e inspektimit duhet të vazhdojë dhe është kyç drejtimi politik i saj nga të gjitha ministritë në sensin e mbrojtjes së saj nga ndërhyrjet partiake dhe qokat politike. Ka filluar me AKU-në, po shtrihet në inspektoriatet e tjera për të garantuar burime njerëzore cilësore”, ka theksuar Rama.











