Duke folur nga një këndvështrim krejt personal, shkrimtari, bamirësi dhe diplomati Robert Wilton, i cili mban postin e zëvendësambasadorit të OSBE-së në Tiranë, flet në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” rreth jetës, poezisë, politikës dhe 10 viteve të tij në Ballkan. Ai ka botuar 3 libra dhe i katërti pritet vitin tjetër, ndërsa po përgatit edhe një skenar filmi mbi një histori që lidhet me veriun e Shqipërisë në vitet 1946.
“Ndoshta këtë e them më mirë nëpërmjet librave. Unë besoj se komunizmi i mësoi shqiptarët të jenë egoistë që të qëndrojnë gjallë, ndërsa kapitalizmi i mësoi shqiptarët të jenë egoistë për t’ia dalë mbanë dhe mendoj se nevojitet një përqasje e re.”- tha Wilton
Si “një anglez në Shqipëri” si ndiheni?
Tashmë po bëhen pothuajse tri vite në Shqipëri. Shpesh mendoj se është shumë më e lehtë të jesh një anglez në Shqipëri sesa një shqiptar në Shqipëri. Kam punuar dhe vërtet e kam shijuar punën këtu. Besoj se është një punë e rëndësishme. Kolegët, njerëzit që i takoj nëpër dyqane apo në park më duken shumë miqësorë. Është një vend i këndshëm për të jetuar. Nuk mund të pretendoj se i kuptoj sfidat e jetës për një shqiptar, por është një jetë e mirë dhe jam me fat që jam këtu.
Si ishte transferimi juaj nga Kosova për në Shqipëri?
Ndodhi shpejt dhe lehtshëm. Ishte 14 maji i 2013-ës. Ishte një periudhë shumë e ngjeshur me punë. Në dy të mëngjesit mbarova një shkrim goxha të gjatë. Në mëngjes, vrapova në gjysmë maratonën e Prishtinës për të grumbulluar para për bamirësi dhe më pas, një makinë më çoi pasdite në Tiranë. Dhe mëngjesi i së hënës më gjeti në punë. Kështu, ne u transferuam nga Kosova në Shqipëri me dy valixhe.
Si është Kosova në kujtimet e juaja?
Ende e vizitoj Kosovën gjatë fundjavave. Pra, është pjesë e së tashmes sime, jo e të shkuarës dhe them se do të jetë gjithnjë pjesë e jetës sime sepse kam miq atje, kam një kumbar dhe shoqatën tonë bamirëse. Kosova ka një vend unik në shpirtin tim, sepse ishte vendi i parë jashtë shtetit ku unë jetova dhe eksperienca e parë e një vendi dhe kulture ndryshe. Pra, është pjesë e imja dhe e asaj që unë jam. Kam punuar me qeverinë e Kosovës para pavarësisë dhe isha atje mbrëmjen e pavarësisë. Pra, kam disa përjetime të veçanta atje. Bëra miq shumë të mirë. Këtë nuk do ta harroj kurrë.
Keni takuar edhe shqiptarë nga Shqipëria në Kosovë?
Pak, me raste.
A mund të ndani ndonjë moment që ju ka lënë përshtypje nga periudha në Kosovë?
Nata e pavarësisë ka qenë një rast unik, por gjithashtu mbaj mend edhe episode të tjera si për shembull, ditëlindjen e partneres sime. Ajo kishte shumë interes për bletët. Kështu, arrita të siguroj për të një koshere bletësh në një fermë lart në kodra, diku jashtë Prishtinës. Kjo koshere do të ishte e saja. Mbaj mend kur e vizitova këtë fermë për herë të parë. Familja që e zotëronte atë ishte shumë, shumë e varfër. Ajo jetonte në kushte shumë të vështira, në një shtëpi lart në kodër. Njerëzit e kësaj familjeje ishin më bujarët që kisha takuar ndonjëherë. Bujaria e tyre, qëndrimi ndaj mikut dhe lirshmëria me ushqimet dhe pijet ndaj tij ishin gjërat që më lanë përshtypje, të cilat unë nuk i kisha vënë re më parë. Kur ata na vizituan në Prishtinë, do të na sillnin dhurata, të cilat unë e dija që ata nuk i blinin dot. Ky ishte një shembull i fortë i bujarisë, të cilën e kam parë gjatë gjithë kohës që kam jetuar në Kosovë.
Ju keni punuar për qeverinë kosovare. Çfarë mësuat nga kjo eksperiencë? A mund të na thoni se si e keni parë politikën kosovare atëherë dhe tani?
Nuk e di nëse ka ndryshuar shumë në këto 10 vite. Pikë së pari, mund të them se është e mahnitshme ajo çka ka arritur Kosova. Ai ishte një vend ku njerëzve iu ndalua arsimimi për një gjeneratë dhe varfëria ishte gjithandej e pranishme. Pavarësisht nga kjo, ky vend ka nxjerrë njerëz për qeverinë dhe institucionet e saj. Dhe Kosova u rilind me një shpejtësi të mahnitshme. Në të njëjtën kohë është thelbësore që Kosova gjeti shpejt politikanë që shikojnë përpara. Shumë gjëra kanë ndodhur në historinë e Kosovës, disa gjëra shumë të tmerrshme. Por, interesat afatgjata të Kosovës nuk shërbehen nga njerëz, të cilët mendërisht janë ende duke luftuar luftën e fundit. E ardhmja e Kosovës ka nevojë për politikanë, të cilët po shikojnë drejt së ardhmes dhe mendojnë se për çfarë ka nevojë Kosova dhe të rinjtë kosovarë, se si duket stabiliteti i Kosovës në Europë në të ardhmen e të tjera si këto.
Ajo ka nevojë për njerëz, të cilët janë krijues, të sinqertë, jo egoistë dhe udhëheqës të vërtetë. Po sot si e shikoni Kosovën?
Po shkon në drejtimin e duhur. Ajo çka kam thënë rreth 10 vite pasi mbërrita dhe 8 vite pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj, është zhgënjimi mes kosovarëve. Unë pashë emocionet dhe gëzimin më 17 shkurt, 2008. Isha në rrugë atë natë, isha së bashku me miq të cilët punuan për ta arritur këtë gjë. Kjo ishte edhe ajo që kishin ëndërruar paraardhësit e tyre. Ky ishte një moment magjik, por tani është zhgënjimi që ka mbetur.
Po Shqipëria? A është shumë ndryshe nga Kosova?
Nuk kam një përgjigje të mirë për këtë. Po, patjetër ka një ndryshim. Vende të ndryshme, me histori të ndryshme. Një eksperiencë e ndryshme diktature. Shqiptarët në Shqipëri vuajtën, ata në Kosovë vuajtën në mënyra të ndryshme. Mendoj që çdo vend duhet të trajtohet si unik dhe se duhet të kuptoni rrënjët e tyre për të ecur përpara.
Kush ju frymëzon në Shqipëri?
Në Shqipëri gjej shpirtra dhe karaktere të mirë. Ashtu si edhe në vende të tjera, mendoj se ekziston një respekt shumë i shëndetshëm ndaj të moshuarve në Shqipëri. Kjo është shumë pozitive dhe më pëlqen. Kjo është diçka që e kemi humbur në Europën Perëndimore. Në të njëjtën kohë, mendoj se këtu ka më shumë se sa duhet pranim të hierarkisë së vjetër, të njerëzve të vjetër. Unë thashë se Kosova ka nevojë të ecë përpara. Kjo është e vërtetë për Shqipërinë gjithashtu. Këtu takoj shumë të rinj dinamikë, të talentuar, të arsimuar, të cilët duan të ndihmojnë vendin e tyre dhe ata nuk mund të gjejnë një punë për arsye politike. Kështu, talenti dhe energjia e tyre humbet nëpër kafene. Pra, frymëzohem kur shikoj këta njerëz dinamikë dhe krijues dhe trishtohem kur shikoj zhgënjimin. Profesionalisht dhe personalisht kam punuar ngushtazi me “Green Line Albania – Le të Pastrojmë Shqipërinë”. Ata janë të rinj, të cilët janë të dedikuar ndaj vendit të tyre në mënyrë të sinqertë në vend se të përdorin, më fal për shprehjen “gjepura patriotike”, të huazuara nga historia nacionaliste. Ata janë të dedikuar ndaj interesit real të vendit të tyre. Ata nuk janë njerëz që bëjnë deklarata patriotike dhe vjedhin para. Përkundrazi, ata vërtet po punojnë për vendin e tyre dhe po e njohin faktin se mjedisi është thelbësor për qëndrueshmërinë e vendit, për të ardhmen e tij, ekonominë dhe shëndetin e njerëzve. Ata po bëjnë diçka vërtet të pazakontë, që është vullnetarizmi, fatkeqësisht ende i pazakontë në Shqipëri. Ata po e bëjnë Shqipërinë më të mirë, jo se paguhen për këtë, por sepse besojnë tek ajo. Të tillë të rinj janë shumë frymëzues.
A keni pasur ndonjë rast të dëgjoni talentet shqiptare?
Po, në fakt, unë e kam njohur ish-ambasadorin shqiptar në Britaninë e Madhe, Z. Mal Berisha dhe ai ma dha këtë mundësi. Si përfaqësues i Shqipërisë në Londër, ai besonte në paraqitjen e diversitetit të vërtetë dhe talenteve të Shqipërisë në Britaninë e Madhe. Ai e dinte se ekzistonte ai steriotip i keq i Shqipërisë në Britani, kështu ai punoi kundër saj duke treguar se çfarë kishte Shqipëria në të vërtetë: një traditë kulturore e shumëllojshme dhe e të fortë. Kështu, ai organizoi aktivitete kulturore me muzikantë, këngëtarë, kompozitorë nga Shqipëria. Me ftesë të tij, isha me Inva Mulën dhe artistë të tjerë si pjesë e një eventi gala rreth kulturës shqiptare në Londër. Recitova disa poezi shqiptare, të cilat i përktheva në gjuhën angleze. Gjithashtu, kam pasur rastin të flas para një audience britanike në ambasadën shqiptare në Londër rreth kulturës shqiptare në veçanti, sepse jam i interesuar për historinë dhe kulturën dhe sepse përkthej poezi. Mund të them se këto aktivitete ishin të mrekullueshme, sepse kishte talente të një niveli ndërkombëtar midis shqiptarëve. Jam në dijeni për disa nga steriotipat që ekzistojnë për Shqipërinë jashtë vendit dhe harxhova shumë prej kohës sime të merresha me politikën dhe këto imazhe tradicionale të Shqipërisë. Pra, është e mrekullueshme të kujtohet kultura, shumëllojshmëria e saj, talentet dhe profesionalizmi dhe të shikohet e kuptohet se Shqipëria mund të bëjë më tepër. Dhe kjo ishte emocionuese. Në një mënyrë, jam përpjekur gjithnjë të forcoj marrëdhëniet kulturore midis gjuhës angleze dhe shqiptare. Të isha pjesë e aktiviteteve të tilla ishte një nder i madh për mua. Isha shumë i lumtur.
Cili nga vendet ju ka frymëzuar për të shkruar libra?
Ballkani mishëron shumë nga frymëzimi im sepse ka vlera të forta. Kjo është gjë e mirë për historitë. Do të doja të përmendja novelistin jugosllav, Ivo Andriè, i cili u nderua me Çmimin Nobel në 1961-shin. Një nga temat e tij të mrekullueshme ishte se si ne njerëzit përdorim historitë për të mbijetuar. Pikërisht kjo më ka frymëzuar: si dhe përse ne tregojmë histori për të ndihmuar veten tonë.
Nga pikëpamja e një shkrimtari, si do ta përkufizonit ‘dashurinë’?
Çfarë pyetje e mrekullueshme! Më jep një moment të mendohem pak…! Dashuria është të besosh se çdo gjë është mirë dhe se çdo gjë është e mundshme. Dashuria më kujton se kush jam në të vërtetë. Më jep besim dhe më ndihmon ta shikoj botën ashtu siç është në të vërtetë. Dashuria është e vetmja gjë që ka rëndësi dhe është gjithçka. Dhe nëse ti si individ ndjen dashuri për një burrë, një grua apo për fëmijën, për prindërit, për natyrën, për kafshët shtëpiake, atëherë në atë moment, ju jeni vetja juaj në gjendjen më të mirë të mundshme.
Ju lutem, a mund të na thoni diçka për familjen tuaj?
Unë vij nga një familje e vogël angleze, e përbërë nga prindërit e mi dhe motra. I kam ende gjallë prindërit dhe ata janë ende njerëzit që i respektoj dhe i besoj më shumë. Kam mësuar pothuajse gjithçka prej tyre, rreth vlerave dhe respektin ndaj të tjerëve.
Mendoj se e kam mësuar prej tyre dashurinë ndaj njerëzve të tjerë. Ju thatë se merreni me bamirësi, apo jo?
Si një krijesë njerëzore, ju dëshironi të kontribuoni për të zgjidhur problemet që vini re. Kështu, gruaja ime dhe unë, së bashku me një mik kosovar themeluam një organizatë bamirëse, e cila operon në fushën e mjedisit, trashëgiminë kulturore dhe mbi të gjitha në arsim. Në punën tonë me fëmijët në nevojë, ne po i ndihmojmë ata në shkollë dhe po ndihmojmë të tërë komunitetin e tyre që të bëhet më i fortë dhe të punojë për interesat e tyre. Kështu, kur shikoj njerëz me të njëjtin mentalitet në Shqipëri, unë frymëzohem prej tyre.
Sa e rëndësishme është politika për ju?
Jo, nuk është. Një mik në Kosovë kishte një lokal. Mbrëmjeve, ndonjëherë shkoja atje. Vija re midis të tjerëve një grup të rinjsh, që e frekuentonin shpesh këtë lokal dhe së bashku pinim diçka. Disa prej tyre ishin artistë, ndërsa të tjerët kishin interesa dhe profesione të ndryshme. Më pëlqente shoqëria e tyre, sepse ata ishin krijues dhe kjo më frymëzonte. E kisha kaluar ditën duke u marrë me politikë, diplomaci, marrëdhënie ndërkombëtare, e dini pra, me këto “pallavra”. Dhe më pas do të shkoja të takoja këta njerëz, që nuk donin t’ia dinin për asnjë prej tyre. Ata ishin të rinj që përpiqeshin të krijonin një jetë për vete, ndoshta të krijonin një familje dhe interesoheshin për gjëra akoma më të rëndësishme. Ka shumë gjëra që duhet të ndodhin në Shqipëri dhe kështu është e natyrshme që përqendrimi i vëmendjes të jetë mbi politikën, por ajo nuk është gjithçka. Ka aq shumë gjëra përtej saj.
Ndoshta ju flisni më mirë nëpërmjet librave, por a keni një mesazh për këtë binom që ju e thatë kaq bukur, politika dhe shqiptarët?
Ndoshta këtë e them më mirë nëpërmjet librave. Unë besoj se komunizmi i mësoi shqiptarët të jenë egoistë që të qëndrojnë gjallë, ndërsa kapitalizmi i mësoi shqiptarët të jenë egoistë për t’ia dalë mbanë dhe mendoj se nevojitet një përqasje e re.
javanews/a.k