Partia Demokratike e “Foltores”, pas koalicionit me Ilir Metën humbi disa aleatë të rëndësishëm për zgjedhjet vendore të 14 majit. Nga PAA te PDIU, këto forca politike vendosën të dalin me kandidatët e tyre, kryesisht për këshilltarë bashkiakë.
Së fundmi, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi është shprehur optimist se fitorja në zgjedhje do të jetë me rezultat më të mirë se vitet e kaluara dhe përfaqësimi i komunitetit çam do jetë më i lartë.
Por duket se kjo deklaratë ka revoltuar deputetin demokrat Edmond Spaho, i cili e ka sulmuar Idrizin duke i thënë se “komuniteti çam do të marrë gishtin e mesit”, me të.
Spaho, i cili sot e gjen veten krah për krah me Partinë e Lirisë dhe Vangjel Dulen e PBDNJ-shit, akuzon Idrizin se “përdridhet” sa majtas dhe djathtas nëse i leverdis.
“Hallall Shpëto! Komuniteti çam me politikën tënde deri tani ka marrë gishtin e mesit. Vazhdo perdridhu ku të mundesh, majtas në zgjedhjet lokale dhe djathtas, në se të leverdis, në zgjedhjet e përgjitheshme. Me piruetat e tua komuniteti çam do fitojë të drejtat e tij kur gjeli të bëjë vezë. Të gjithë ata që të mbështesin ty, edhe të djathtët, e dinë që gjeli nuk bën vezë”, shkruan Spaho në rrjetet sociale./m.j