Nga Lorenc Vangjeli
Këtij skaji të trazuar të Ballkanit, plagët e Luftës së Dytë Botërore ende nuk janë mbyllur. Në Shqipëri ato ende dhembin dhe kullojnë gjak e urrejtje që në çastin e parë që preken. Edhe shtatë dekada e ca mbasi ka përfunduar Lufta e rivendosur paqja, çdo kthim koke pas, çdo vështrim i hedhur në atë të shkuar, çdo kapitull i hapur prej saj, krijon trazime e probleme të forta për gjithë shoqërinë shqiptare. Tek çfarë ndodhi gjatë dhe pas luftës, shoqëria shqiptare gjen një arsye tjetër, arsye të rradhës e shumë të fortë, që të radikalizohet dhe të ndahet në dy skaje ekstremi që përjashtojnë plotësisht njëri-tjetrin. Dekorata presidenciale për 67 viktima të Ballit Kombëtar të pushkatuar nga komunistët e Mehmet Shehut, hapi dhe njëherë debatin dhe vuri në punë edhe njëherë vështrimin bardh e zi, djaj e ëngjëj, të personazheve të kësaj pjese të përgjakshme të historisë. E cila transformohet, denatyrohet dhe deformohet sa kohë shihet me sytë e sotëm, nga interesat e të sotmes dhe fatkeqësisht dhe nga me lehtësinë e pafundme e mjetet primitive të të sotmes në qasjen ndaj çështjeve serioze. Në një kohë kur si rregull, të mençurit (historianët, në këtë rast) heshtin ose nuk i dëgjon kush dhe fjalën e rrëmbejnë amatorët, (historianët foklorikë, ndër ta edhe ata me kostum politikani evropian) konsumojnë logore orale, gjithçka bëhet edhe më e komplikuar. Si në të gjitha zejet njerëzore kur punës nuk i gjendet i zoti dhe kur mbi punën bëhet zot interesi meskin vetjak.
Të enjten në Parlament pati një rreshtim të fortë dhe formal ndaj aktit publik të Presidentit të Republikës – dekorimit me titullin “Martir i Demokracisë” – si shkas dhe dramës së dikurshme kombëtare si fakt.
Kryeministri Rama dhe të tijët e quajtën të gabuar këtë akt.
Të djathtët e konsideruan si akt të duhur.
Pa asnjë pikë takimi gjëkundi, çfarë ishte kriminale për një palë, ishte heroike për tjetrën. Për të ndarë peshoren mes tyre, ndoshta vlen të shihet se çfarë pranojnë të gjithë nga historia e ndodhur si fakt, në tentativë për të tërhequr më pas opinion thjesht dhe vetëm mbi faktet e pranuar nga të gjithë bashkë.
Eshtë fakt që 67 ballistët e dekoruar pas vdekjes janë zënë rob mbas një ndeshjeje me partizanët e Brigadës së Parë Sulmuese. Eshtë fakt se ata janë pushkatuar pa gjyq, ndonëse jeta e tyre duhet të ishte e mbrojtur nga statusi delikat i robit të luftës. Që në atë moment, por për ironi të fatit edhe shumë kohë më pas, akti i firmosur nga Mehmet Shehu është konsideruar dhe nga vetë komunistët si një akt terrorist.
Fakt është edhe që për shumë vite më rradhë, të afërmit e të pushkatuarve, “pushkatoheshin” ditë mbas dite përgjatë gjithë diktaturës për shkak të luftës së klasave. Duke nisur me Mehmet Shehun dhe familjarët e tij, me gjasë, një fat të ngjashëm mund të kenë pasur edhe pjestarë të skuadrës së pushkatimit; diktatura ishte përbindëshi që shqyente edhe fëmijët e vet. Ende sot e kësaj dite nuk ka një akt publik, zyrtar e të gjithëpranuar që të ndëshkojë fajtorët qoftë dhe moralisht, meqë ligjërisht është e pamundur sepseprotagonisët janë të gjithë të vdekur dhe të vdekurit si rregull, nuk gjykohen me ligjet e zakonshme të botës së të gjallëve.
Çfarë opinioni mund të tërhiqet mbi këto fakte, është sërish një gjë shumë e diskutuar dhe meqë plagët dhembin ende, vetë opinioni mund të jetë shumë i para dhe pas gjykuar.
Ky opinion ka disa shtresa.
Të pushkatuarit nuk i meritonin plumbat që ju dhanë. Edhe në kushte lufte, atyre nuk u duhej marrë jeta sa kohë ata ishin robër lufte, edhe pse në luftë tejkalime të tilla barbare për fat të keq, nuk kanë qenë asnjëherë të rralla dhe të kryera nga vetëm një palë.
Të afërmit e tyre kanë vuajtur dhe shumë më gjatë atë akt nën diktaturë. Një njeri i pushkatuar edhe në trungun e largët familjar, ishte një arsye që persekutimi dhe lufta e klasave të ishte plumb e rëndë. Duke nisur nga ato dhjetra jetë të marra me plumb në një çast të vetëm, mijëra jetë të tjera kanë jetuar nën akth e padrejtësi për dekada të tëra.
Ndeshja e partizanëve dhe ballistëve në atë tetor të largët të vitit 1943, ishte një nga episodet e para të betejave të njëpasnjëshme mes tyre. Edhe më parë, por sidomos më pas, bashkëpunimi i Ballit Kombëtar me pushtuesin, sipas një opinioni gjerësisht të pranuar e të dokumentuar, u bë i zakonshëm. Rregull dhe jo përjashtim.
Absolutisht asnjë arsye dhe për asnjë arsye, kolaboracionistët në të gjithë Evropën e pushtuar nga nazistët dhe në Evropën e çliruar më pas prej tyre, nuk kanë marrë emër tjetër. Askund dhe për asnjë arsye ata nuk janë amnistuar moralish, ligjërisht apo shfajësuar në mëyrë të plotë. Askujt nuk i ka vajtur në mend t’i nderojë apo reabilitojë, përveçse në kohë thyerjesh të mëdha historike dhe krizash të rënda shoqërore. Kështu ka ndodhur kudo në Evropë, meqë kolaboracionistë pati dhe në Francën e Petenit e deri në Norvegjinë e Kuislingut.
Rasti shqiptar nuk është ndryshe; çfarë shihet me syzet e provincializmit vetëm shkëlqen!
Shqipëria, kryesisht për arsye gjeopolitike që kishin shumë pak të bënin me të dhe vullnetin e aktorëve të saj lokalë, u fut nën ombrellën e kuqe dhe fatkeqe të komunizmit. Ishte një aksident tragjik që ndodhi njëkohësisht në gjysmën e Evropës. Çfarë ndodhi më pas, nuk korrigjon atë që kishte ndodhur më parë; rreshtimin e gabuiar të faktorëve lokalë në një luftë botërore. Fakti që komunistët ushtruan një diktaturë të egër në vijim, fakti që fitimtarët u sollën egërsisht me një pjesë të popullsisë, që e izoluan atë të gjithë nga bota, që instaluan një luftë kriminale klasash, që dënuan me varfëri nga padija, por dhe nga rrethanat e trashëgimia e rëndë gjithë shqiptarët, që ekzekutuan të drejtën e lirisë, pronës, fjalës dhe besimit të lirë, pra, pavarësisht të gjitha këtyre, kjo gjë nuk pasjell ndryshimin e fakteve dhe të opinioneve.
Ajo nuk prodhon dot as heroizimin e ballistëve që po “luftonin kundër murtajës së ardhme komuniste” dhe as dënimin e komunistëve që ditën të rreshtohen në anën e duhur të historisë në atë kohë të komplikuar. Në mënyrë të çuditshme, zbatharakët dhe të varfërit e kohës (siç u pëlqente dhe vetë të thërrisnin veten), ditën të ishin më të mençur se paria e dikurshme e vendit në parashikimin për zgjedhjen e aleancave të duhura. Kush thotë se ballistët në 44-ën vepruan drejt që u bënë me nazistët se komunistët në 45-ën do të nisnin të bëheshin të këqinj, është ose naiv, ose ka interes të hiqet si i tillë, ose tenton revansh të së shkuarës nisur nga interesi i sotëm. Ose thjesht është tifoz i fesë së tij dhe viktimë e moskuptimit se tejkalimi i të drejtës e bën edhe vetë të drejtën të ndryshojë kah.
Pra, ballistët që zgjodhën kahun e gabuar historik, nuk bëhen “personazhe pozitivë”, për shkak se komunistët që zgjodhën drejt aleancat fillimisht, u bënë “personazhe të këqinj” se përfunduan në prehër të sovjetikëve më pas. Kjo është fotografia e stampuar historisë që nuk ndryshon më, edhe nga fakti që kur komunistët shqiptarë ishin sovjetikë në Shqipëri, ballistët apo zogistët e emigruar në Perëndim u bënë aleatë me angloamerikanët.
Nisur nga ky opinion i shtresëzuar që mund të ketë defektet e tij dhe që padyshim meriton shumë qortime, dekreti presidencial është më paku një akt ahistorik, alogjik dhe i pasinqertë. Eshtë ahistorik sepse nuk kupton historinë, alogjik sepse nuk respekton logjikën e ngjarjeve dhe i pasinqertë sepse tjetër pretendon dhe tjetër gjë synon. Dekreti presidencial dhe jo presidenti, është një akt hipokrit që as nuk ngushëllon viktimat dhe as nuk hedh dritë të re mbi atë ngjarje të vjetër. Dhe mbi të gjitha, nuk i shërben gjëkundi pajtimit të munguar. Përkundrazi. “Me mirënjohje dhe vlerësim për të gjithë ata burra nacionalistë e të pamposhtur që luftuan për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të vëllazëruar. Në shenjë nderimi për rezistencën e tyre të paepur, deri në sakrifikim, kundër instalimit të regjimit komunist diktatorial në Shqipëri.” Fjalë të tilla, të shkëputura nga motivimi presidencial janë thjesht të pavërteta dhe të pasakta. Madje edhe të dëmshme si të gjitha të pavërtetat. Vetëm padija ose një interes i rëndësishëm mund të shtyjë hedhjen e një hapi të tillë. Të ekzekutuarit pa gjyq me një vendim terrorist të kuq, mund të jenë gjithçka, por jo martirë apo heronj të demokracisë. Ata janë viktima para së gjithash dhe si të vdekur meritojnë nderimin maksimal si çdo jetë njerëzore e këputur me përdhunë, por nuk mund të jenë martirë të demokracisë. Ky është një epitet i shtuar për të cilin ata nuk kanë nevojë se jua bën edhe më të rëndë e të padrejtë dheun në varr. Ai thjesht fyen kujtimin e tyre. Në histori nuk mjafton të vdesësh për t’u shpallur më i miri! Në politikë nuk është mirë që të përdoren të vdekurit e historisë për interesa të vegjël.
Rrugëtimi në segmetin revolucionarë të shndërruar në terroristë dhe anasjelltas nuk është shpikur për herë të parë dhe nuk ka ndodhur për herë të fundit në Shqipëri. Eshtë një film bardh e zi e me ngjyra, i parë anekënd gjithë botës.
Sot, të jesh në anën e partizanëve apo të ballistëve është si religjion, si feja e vjetër dhe e re e shqiptarëve. Eshtë sa trashëgimi, aq edhe tifozeri e histeri. Por është absurde që edhe në brezin e tretë apo të katërt të vazhdohet në këtë ndarje të cilës i shërbeu Presidenti, në rastin më të mirë pa e kuptuar as vetë se çfarë bënte.
P.S. Enver Hoxha shkruante diku në librat e tij një kritikë për shkrimtarët dhe artistët e dikurshëm, që ishin në një pjesë të madhe “vegla të partisë”. Sipas tij, portretizimi i ballistëve si frikacakë që hanin vetëm pula dhe që ja mbathnin me të dëgjuar të shtënën e parë, nuk ishte i vërtetë. Hoxha thoshte se edhe ata ishin shqiptarë dhe trima, madje, por që luftonin në kahun e gabuar. E thoshte një gjë të tillë jo thjesht sepse ishte realist, por sepse në këtë mënyrë deheroizohej vetë lufta partizane. Rastisi që ky pohim i Hoxhës të tingëllojë i logjikshëm, i drejtë dhe i sinqertë! Kjo nuk do të thotë që kush i jep të drejtë Hoxhës në këtë rast, shndërrohet automatikisht në komunist. Njëlloj si ta kundërshtosh atë, nuk është një arsye më shumë që e shndërron në demokrat kundërshtuesin. Komunistë e ballistë që u ndeshën në Luftën e Dytë Botërore dhe që shpikën fenë që ndan edhe shqiptarët e sotëm, me siguri tashmë kanë bërë paqe me njëri-tjetrin. Sepse janë në varr. Të vdekurit kanë nevojë vetëm për paqe dhe sinqeritet. E ndoshta nuk e kuptojnë luftën që ende vazhdojnë të bëjë brezi i tyre i katërt.