Gjiganti francez i prodhimit të çimentos, Lafarge, është shpallur fajtor për pagesa milionëshe ndaj grupeve xhihadiste, përfshirë edhe Shtetin Islamik (IS), me qëllim mbajtjen në funksion të aktivitetit të tij në Siri gjatë luftës civile.
Sipas vendimit të gjykatës në Paris, tetë ish-punonjës të kompanisë janë shpallur fajtorë për financim të terrorizmit, përfshirë ish-drejtorin ekzekutiv Bruno Lafont, i cili u dënua të hënën me gjashtë vite burg, raporton BBC.
Përveç Lafont, ish-zëvendësdrejtori i përgjithshëm Christian Herrault u dënua me pesë vite burg, ndërsa ish-punonjësi sirian Firas Tlass u dënua në mungesë me shtatë vite burg për organizimin e pagesave.
Gjykata konstatoi se Lafarge ka paguar rreth 6.5 milionë dollarë (5.59 milionë euro) për periudhën 2013-2014, për të garantuar vijimësinë e funksionimit të fabrikës në veri të Sirisë.
Gjyqtarja Isabelle Prevost-Desprez deklaroi se këto pagesa u kanë mundësuar organizatave të ndaluara të kontrollojnë burime natyrore dhe të financojnë sulme në Lindjen e Mesme dhe Evropë.
Fabrika e Jalabiya-s në veri të Sirisë u ble nga Lafarge në vitin 2008 për 680 milionë dollarë dhe filloi aktivitetin në vitin 2010, pak para shpërthimit të luftës civile në 2011.
Sipas prokurorëve, punonjësit e kompanisë ishin të vendosur në qytetin e afërt Manbig dhe kalonin lumin Eufrat për të arritur në fabrikë.
Pagesat, të kryera mes viteve 2013 dhe shtatorit 2014, përfshinin 800 mijë euro për kalim të sigurt dhe 1.6 milionë euro për blerjen e materialeve nga gurore të kontrolluara nga Shteti Islamik.
Gjithashtu, sipas gjykatës, pagesa janë bërë edhe ndaj Frontit al-Nusra, i lidhur me Al-Kaedën dhe i ndaluar nga Bashkimi Evropian.
Vetë kompania Lafarge, e cila tashmë është në pronësi të grupit zviceran Holcim, është gjobitur me mbi 1 milion euro. Ky është rasti i parë në Francë ku një kompani gjykohet për financim të terrorizmit.











