Pas një hetimi 2 vjeçar, dy pronarë të një kompanie karburantesh u arrestuan si dhe u shpallën në kërkim dy aksionerë të huaj, të akuzuar për shmangien e detyrimeve tatimore ndaj shtetit, me një vlerë që kap shifrën e 500 mln lekëve. Bëht fjalë për kompaninë “Fullpet” e dyshuar si e përfshirë në një skemë mashtrimi financiar. Dy administratorët, Aurel Preni dhe Fiqiri Hoxha, u arrestuan nga forcat operacionale, ndërsa një faturist i kompanisë dhe dy pronarë të huaj janë shpallur në kërkim.
Nga hetimet rezulton se në vitin 2014 administrata tatimore ka konstatuar se Fullpet kishe një borxh prej 150 milionë lekësh. Për shlyerjen e kësaj debie të vitit 2012, ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe kompanisë “Fullpet” është nënshkruar një aktmarrëveshje, në bazë të së cilës kompania merrte përsipër shlyerjen e detyrimit me 8 këste.
Për të shlyer këtë detyrim, kompania “Fullpet” merr një kredi në një bankë të nivelit të dytë. Por, nga hetimi rezulton se kredia e marrë nuk ka shërbyer për shlyerjen e detyrimeve tatimore, por është përdorur për krijimin e kompanive të reja dhe blerjen e aseteve të kompanisë debitore, të cilën po e falimentonin.
Me anë të këtyre blerjeve, drejtuesit shqiptarë dhe ata të huaj kanë kryer tentativa të qarta dhe dyshuese – sipas Prokurorisë – për t’iu shmangur detyrimeve tatimore.
Administratori i arrestuar, Aurel Preni nuk ka respektuar marrëveshjen me degën e Tatimeve, por ka pasur si qëllim të vetëm, hapjen e llogarisë bankare dhe tërheqjen e lekëve nga shitja e aseteve të shoqërisë.
Mes hetimeve rezulton edhe se, nga shitja e aseteve të kompanisë, me një vlerë prej afërsisht 100 milionë lekë, me një kontratë ndihme financiare, kompania ia ka kaluar një faturisti të saj. Kur “Fullpet” u bllokua për ushtrim aktiviteti, aksionerët hapën një tjetër shoqëri “AKF Petroleum” për të vazhduar aktivitetin e tyre.
Akuzat e ngritura mbi ta janë ato të “fshehjes së të ardhurave”, “mospagim të taksave” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale”.01 Top Channel