Ky ndryshim, i trajtuar nga Shqiptarja.com në kryeartikullin e së dielës, ka ngjallur një reagim të fortë nga opinioni publik. Një pjesë e interpreton këtë ndryshim si një lloj ‘amnistie’ për politikanët shqiptarë dhe ngjarjet e pluralizmit, ndërsa një pjesë e sheh thjeshtë si një përputhje të legjislacionit shqiptar me legjislacionin e BE. Ndërkaq, nga debatet në Komisionin e Ligjeve del qartë se propozimi është bërë nga ekspertët shqiptarë, ndërsa nuk ka pasur asnjë kundërshtim nga ligjvënësit e pranishëm në mbledhje.
“Ne themi se kjo është një zgjidhje, që shkon me standardet evropiane sot”, thotë eksperti Artan Hoxha. Ndërkaq, ekspertët ndërkombëtar nuk e kanë propozuar një ndryshim të tillë, por e kanë mbështetur në Komisionin e Ligjeve. Ndryshimi është mbështetur nga përfaqësuesja e EURALIUS-it, Korajlka Bumçi. Kundër këtij propozimi ka dalë eksperti Arben Rakipi (ish-kryeprokuror), i cili thotë se standardi është për të riparë çështje të mbyllura nëpërmjet rishikimit gjithmonë kur gjenden prova të reja.
Çështjet e mbyllura me procedurë mund të rihapen
Anëtarët e Komisionit të Ligjeve dhe ekspertët e nivelit të lartë kanë një shpjegim për ndryshimin e nenit 449 të Kodit të Procedurës Penale, i cili nuk lejon rigjykimin e një dosje që është gjykuar një herë, kur synohet rëndimi i pozitave të të dënuarit apo personit që është shpallur i pafajshëm.
Ndryshimi konsiston thjeshtë në një përputhje të legjislacionit shqiptar me atë evropian. Sipas shpjegimeve të ekspertëve dhe raportit të komisionit, përputhja e legjislacionit shqiptar me atë të vendeve të tjera evropiane ka të bëjë me sigurinë juridike dhe respektimin e të të drejtave të njeriut.
Neni i ndryshuar nuk lejon rihapjen e çështjes për të dënuar më shumë personin që është ndëshkuar një herë nga drejtësia, edhe nëse dalin prova të reja që rrisin përgjegjësinë e tij. Por, dosja mund të rihapet në çdo moment nëse dalin prova të reja që lehtësojnë pozitat e të dënuarit për një vepër të caktuar penale, pra ku provohet se është dënuar në mënyrë të padrejtë. Nga ana tjetër, të gjitha çështjet e mbyllura me procedurë mund të rishikohen si për shembull rasti i rrugës Durrës-Kukës, apo çështja e Fatmir Mediut për “Gërdecin”.
Debatet në Komisionin e Ligjeve për nenin 449 të KPP
-Vasilika Hysi: Neni 255, që ndryshon nenin 449.
-Fatmir Xhafaj: Po?
-Vasilika Hysi: Vendimet që mund të rishikohen. Në ligjin aktual thuhet: “Në rastet e caktuara me ligj lejohet që në çdo kohë rishikimi i vendimeve që kanë marrë formën e prerë edhe kur dënimi është ekzekutuar ose është shuar” (paragrafi i parë), kurse në paragrafin e dytë thuhet: “Vendimet e pafajësisë për krime mund të rishikohen me kërkesën e prokurorit, por me kusht që të mos kenë kaluar pesë vjet nga dhënia e vendimit”. Kolegët kanë sjellë një formulim të ri, i cili ndryshon totalisht nga formulimi…
-Fatmir Xhafaj: Kush e ka sjellë?
-Vasilika Hysi: Ekspertët, grupi i punës.
-Fatmir Xhafaj: Le ta lexojnë ata, ta thonë.
-Artan Hoxha: Rishikimin për pafajësinë e kemi hequr. Është një standard i ri, që kemi futur në proces: “Rishikimi i një vendimi pafajësie i formës së prerë, sipas Kodit të pandryshuar, lejohet të bëhet brenda pesë vjetëve që është dhënë vendimi”. Nëse gjykata të ka deklaruar të pafajshëm, vendimi ka marrë formën e prerë, i ka kaluar të gjitha instancat dhe nesër lindin shkaqet e rishikimit, që janë provat e reja e me radhë, brenda një afati pesëvjeçar sot mund të rishikohet, ne themi: pafajësia është pafajësi, është siguri juridike dhe nuk duhet të rishikohet nëse i ka kaluar të gjitha fazat e procedimit penal.
Ne themi se kjo është një zgjidhje, që shkon me standardet evropiane sot. Për shembull, në shtete të tjera, ku kanë juri që në shkallën e parë, po të jetë se japin pafajësinë, ti nuk vazhdon dot më as më tutje. Domethënë, procesi penal nuk ka nevojë të rëndohet edhe më tej. (Ndërhyrje pa mikrofon).
-Fatmir Xhafaj: Z. Rakipi mendon ndryshe?
-Arben Rakipi: Po, po, ndryshe, nuk ka standard të tillë, përkundrazi, standardi është për të riparë çështje të mbyllura nëpërmjet rishikimit gjithmonë kur gjenden prova të reja. Aq sa unë kam kontribuar në këtë çështje jam i detyruar ta them këtë, sepse jam krejtësisht kundër me…
Domethënë, standardi i mungesës së rishikimit mund të diskutohet atëherë kur është juria prezente, por jo gjyqtarët profesionistë. Kështu që unë them se dispozita duhet modifikuar, madje edhe dispozita aktuale, që e kushtëzon rishikimin deri në pesë vjet, nuk ka logjikën e të bërit drejtësi.
-Fatmir Xhafaj: A ta lëmë ta bëjmë një debat po ta votojmë këtë në parim dhe meqenëse ky nen është ta lëmë të hapur këtë që ta diskutojmë me ekspertët…? (Ndërhyrje pa mikrofon) A keni një mundësi ju që ta diskutoni? (Ndërhyrje pa mikrofon) Jo, jo, një minutë!
-Artan Hoxha: Tani, ky është një propozim që ne nuk e kemi bërë se dolëm nga hiçi, kemi diskutuar gjatë, është gjithë kjo punë, është e studiuar, e menduar, e debatuar dhe kemi arritur në këtë përfundim, e kemi kaluar te ju dhe nuk ka qenë asnjëherë çështje një debati, e kaluat edhe ju me votë…
-Fatmir Xhafaj: Po.
-Artan Hoxha: Unë them se ka një mentalitet edhe procesi penal, se nuk mund të shkojë procesi penal pafundësisht. Është detyra jote si shtet t’i provosh tjetrit fajësinë. Nuk ke arritur t’ia provosh, ke përfunduar, je verifikuar nga të gjitha shkallët e gjykimit, është një e drejtë, mbaroi ajo. Tani, riktheju me shkaqe rishikimi dhe futu nëpër procedura të tjera pasi ka përfunduar, ke dhjetë vjet që bën gjyqe, çfarë interesi ka? As shoqëria nuk ka më interes. Pra, duhet një mentalitet, se nuk rëndohet shoqëria, por lehtësohet.
Kjo është çështje mentaliteti, se nga çfarë këndvështrimi e sheh. Po e pe me këndvështrimin që çdo gjë do ta penalizosh, do ta ngarkosh, do ta sjellësh, atëherë është ky këndvështrim. (Ndërhyrje pa mikrofon) Kështu që ne e kemi debatuar, pra nuk kemi çfarë të debatojmë më në grupin e punës. (Ndërhyrje pa mikrofon).
-Fatmir Xhafaj: Cili është mendimi i ekspertëve të EURALIUS-it meqenëse ne do të hyjmë në BE? Si na pranoni ju në BE, me apo pa këtë? (Ndërhyrje pa mikrofon). Se pastaj thoni: “Nuk e ka Shqipëria mirë standardin e të tjera”. (Ndërhyrje pa mikrofon) Të lutem, zoti Hoxha, mos i bëj presion BE-së. (Ilaritet në sallë.) E sqaron Bruna. Kur ka nevojë për qartësi Amerika, BE-ja, e sqaron Amerika, mos kini merak. (Ndërhyrje pa mikrofon).
-Korajlka Bumci (përkthen përkthyesja): E kujtoj tani diskutimin. Mendoj se propozimi i bërë është i saktë.
-Fatmir Xhafaj: Në rregull. (Ndërhyrje pa mikrofon).
Vasilika Hysi: …z. kryetar, është shtuar edhe një element tjetër nga dispozita aktuale. Pra: “Nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë, por as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit”. Kjo është një shtesë. (Ndërhyrje pa mikrofon).
-Fatmir Xhafaj: Dakord.