Duket se Ismail Qemali, lindur më 16 tetor 1846, ka qenë “fatsjellësi” i nëntë personaliteteve të tjera shqiptare të ardhur në jetë ne këtë muaj. Në të njëjtën datë, por 62 vjet më pas, ka ardhur në jetë Enver Hoxha. Por këta, janë dy nga dhjetë personalitetet e lindura në tetor, në muajin më pjellor të politikanëve dhe shkrimtarëve të vendit tonë. Kështu, në kalendarin historik shënohen emra të tillë si: Sulejman Delvina, kryeministër i qeverisë në vitin 1920, Ahmet Zogu, president e mbret i Shqipërisë në vitin 1928, Ramiz Alia, president Sali Berisha, president e tani e kryeministër, Bashkim Fino, kryeministër në qeverinë e Pajtimit Kombëtar në vitin 1997, si dhe tre shkrimtarët Gjergj Fishta, Migjeni dhe Dritëro Agolli.
Politikanët që sollën një Shqipëri ndryshe
Tetori ka sjellë në jetë politikanë që i kanë sjellë faqe të ndryshme Shqipërisë. Njëri e ka bërë të pavarur, tjetri mbretëri, tjetri diktaturë, tjetri demokraci…Secili është kapitull më vete në librat shkollorë të historisë. Ismail Qemali, është politikani më i hershëm lindur në tetor. Studiuesi turk, Nexhip P. Alpan, e ka datuar lindjen e debatuar gjatë, më datë 16 tetor të vitit 1846. Megjithëse, Turqia i dha postet më të larta, ai ishte një nga organizatorët e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912 që çoi në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Pas kësaj, u bë kryetari i qeverisë së përkohshme, e cila u rrëzua në vitin 1914. Pas Ismail Qemalit, politikani tjetër i lindur në tetor është Sulejman Delvina. I shpallur kryeministër i qeverisë në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920, Delvina mbështeti luftën kundër bandave të Esat Pashë Toptanit. Mori pjesë në revolucionin e qershorit të vitit 1924 dhe në qeverinë e Nolit, u emërua ministër i Punëve të Jashtme. Pas dështimit të revolucionit, ai u largua nga Shqipëria.
Ahmet Zogu
Pas tij, personaliteti më në zë në historinë e Shqipërisë është Ahmet Zogu. Mbreti i parë i shqiptarëve, ka lindur më 8 tetor të vitit 1895 në Burgajet të Matit. Po ashtu, si Sulejman Delvina, ai mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku u caktua ministër i Punëve të Brendshme. Në vitin 1922 u emërua kryeministër. Tre vjet më vonë, president e po aq kohë iu desh për t’u shpallur më 1 shtator të vitit 1928 Mbret i Shqipërisë. U largua nga Shqipëria në prag të pushtimit italian në vitin 1939.
Enver Hoxha
Pas tij, Enver Hoxha, njeriu shqiptar më i njohur nga të huajt sipas studimeve, shfaqet në arenën politike. Komandanti i Ushtrisë Nacionalçlirimtare e kryetar i PK-së, Hoxha më pas u bë sekretari i përgjithshëm i KQ të PKSH-së dhe mbajti këtë post deri sa vdiq.
Ramiz Alia
Më tej, këtë detyrë e çoi përpara Ramiz Alia, i lindur po në muajin tetor, deri në vitin 1992. Lëvizja e Dhjetorit e vitit 1990, përmbysi një sistem që kishte zgjatur 50 vjet.
Sali Berisha
Një tjetër tetorlindës, vjen në vend të tij, Sali Berisha. Presidenti i demokracisë, qëndron në krye të shtetit deri në vitin 1997, ku jep dorëheqjen pas trazirave nga përmbysja e firmave piramidale.
Bashkim Fino
Kjo valë sjell në krye të qeverisë, Bashkim Finon, të lindur po në tetor. Por pjesa më e madhe e këtyre politikanëve të lindur në “muajin me fat”, nuk e kanë gëzuar atë për shumë kohë. Rënia e tyre nga maja e politikës, ka qenë po aq e zhurmshme sa ngjitja e tyre në të.
Sulejman Delvina
Datëlindja: 5 tetor 1884
Vendlindja: Delvinë
Janar 1920- Në Kongresin Kombëtar të Lushnjës, u zgjodh kryetar i qeverisë shqiptare. Mbështeti luftën kundër bandave esatiste në vitin 1920 dhe dha ndihmesë në përfundimin me sukses të luftës së Vlorës kundër pushtuesve italianë dhe nënshkrimin e protokollit italo-shqiptar më 2 gusht 1920
Qershor 1924- Mori pjesë në revolucionin e qershorit dhe në qeverinë e Nolit, ishte ministër i Punëve të Jashtme. Pas dështimit të revolucionit, emigroi në Itali dhe në vitin 1932 u kthye në Vlorë.
Viti i vdekjes: Vdiq në Vlorë, në vitin 1932
Ahmet Zogu
Datëlindja: 8 tetor 1895
Vendlindja: Burgajet, Mat
31 janar 1925- Shpallet President i Republikës së Shqipërisë
1 shtator 1928- Vetëshpallet mbret i Shqipërisë
1939- Në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, u largua me gjithë familjen në Greqi, e që andej në mërgim
Viti i vdekjes: Vdiq në Sureshes të Francës, më 6 prill 1961
Bashkim Fino
Datëlindja: 12 tetor 1962
Vendlindja: Gjirokastër
1992-1996 Zgjidhet kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës. 1997-1998 Zëvendëskryeministër i Shqipërisë
Fino është deputet që nga viti 1997 e në vazhdim
Sali Berisha
Datëlindja: 15 tetor 1944
Vendlindja: Vuçidol, Tropojë
1991- Zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike. Në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, u zgjodh deputet në Kuvendin Popullor
8 prill 1992- Zgjidhet President i Republikës së Shqipërisë. Më 3 mars 1997 u rizgjodh President i Republikës
23 korrik 1997- Jep dorëheqjen nga posti i presidentit, ndërsa në tetor 1997, u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike. Është zgjedhur deputet i Parlamentit shqiptar në vitet 1991, 1992, 1997 dhe 2001
2005- Shpallet kryeministër i Shqipërisë
Ramiz Alia
Datëlindja: 18 tetor 1925
Vendlindja: Shkodër
1982- Zgjidhet kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor
1985-1992 President i Shqipërisë
3 prill 1992- Jep dorëheqjen si president i Shqipërisë.
Vdiq më 7 tetor 2011.
Ismail Qemali
Datëlindja: 16 tetor 1846 (sipas
studiuesit turk Nexhip P. Alpan)
1908-1912 Zgjidhet deputet i Parlamentit turk, ku dhe përfaqësonte sanxhakun e Beratit. U dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjeve antiosmane të viteve 1910-
1912. Organizon kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912
28 Nëntor 1912- Kryesoi në Vlorë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. U caktua kryetar i qeverisë së përkohshme deri më janar të 1914-ës, ku qeveria e tij rrëzohet
Viti i vdekjes: Vdiq në Itali në vitin 1919
Enver Hoxha
Datëlindja: 16 tetor 1908
Vendlindja: Nëntor 1941- Zgjidhet kryetar i Partisë Komuniste. Ai vihet në krye të Ushtrisë Nacionalçlirimtare
16 shtator 1942- Merr pjesë në Konferencën e Pezës
1943- Në konferencën e parë të Partisë Komuniste zgjidhet si sekretar i përgjithshëm i Partisë, post të cilin e mbajti deri në ditën e vdekjes
Viti i vdekjes: Vdiq në Tiranë nga iskemia cerebrale, më 11 prill 1985
——————————————————————————
Në tetor kanë lindur edhe kokat e letërsisë, nga Gjergj Fisha tek Migjeni e deri tek Dritëro Agolli
Por tetori nuk ka sjellë në jetë vetëm politikanë që kanë lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë. Në këtë muaj kanë ardhur në jetë edhe tri nga penat më të shquara të historisë së letërsisë shqipe.
Shkrimtarët
Shkrimtarët e lindur në tetor Kësaj radhe “fatsjellësi” është Gjergj Fishta. Françeskani që kryesoi Komisionin e Alfabetit në Kongresin e Manastirit, mori famë me “Lahutën e Malcisë”. I lindur në Shkodër, ai studioi për teologji në Bosnjë. I cilësuar si Homeri i Shqipërisë, Fishta, bashkë me Lugigj Gurakuqin dhe Ndre Mjedën, themelon “Komisinë Letrare në Shkodër”, e cila luajti rol mjaft të madh në lëvrimin e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e letërsisë. Po në Shkodër dhe po në tetor ka lindur edhe Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla). Shkrimtari që la pas “Poemën e Mjerimit”, si dhe tregime e lirika të shumta, u shua në moshën 27-vjeçare. Pas vdekjes, iu akordua edhe titulli “Mësues i Popullit”. Në një kohë tjetër, por po aq i njohur është edhe Dritëro Agolli. I lindur në të njëjtën datë me Migjenin, shkrimtari-politikan, cilësohet si një nga poetët më të mëdhenj të letërsisë moderne shqiptare.
Detaje
Migjeni
Datëlindja: 13 tetor 1911
Vendlindja: Shkodër
Arsimi: Filloren dhe të mesmen e kreu në Shkodër, të mesmen e kreu në gjimnazin shtetëror serb të seminarit të Shën Theologut në Manastir
Aktiviteti:
1933 – 1934 Emërohet mësues i shkollës fillore në Vrakë, Shkodër dhe Pukë. Nga Puka shkoi për t’u mjekuar në sanatoriumin e Torre Feliçes afër Torinos. Migjeni shkroi tregime, por më tepër vjersha lirike, në fletoret e revistat si “Bota e Re”, “Përpjekja Shqiptare”, “Iliria”, “Jeta dhe kultura”, “Shqypnia e re” dhe “Kuvendi Kombëtar”
1933-1935 Ishte kulmi i krijimtarisë poetike të Migjenit. Gjatë kësaj kohe ai krijoi rreth 35 vjersha
1936- Krijimet e tij poetike i përmblodhi në librin “Vargje të lira”, të cilin censura nuk e la të qarkullojë. Pas çlirimit, vepra e plotë e Migjenit u botua në vitin 1954, 1957 dhe
1961 1958- Merr titullin Mësues i Popullit (pas vdekjes)
Viti i vdekjes: Vdiq në Torre Feliçe, Itali, më 26 gusht të vitit 1938
Dritëro Agolli
Datëlindja: 13 tetor 1931
Vendlindja: Menkulas, Korçë Arsimi: Të mesmen e kreu në gjimnazin e Gjirokastrës, ndërsa studimet e larta në Institutin e Letërsisë “Gorki” në Moskë
Aktiviteti: Pas kthimit në atdhe, punoi për 15 vjet në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit”. Krijimtarinë letrare e nisi që kur ishte nxënës në gjimnaz me botimin e vjershave të para dhe më pas e zhvilloi pandërprerje.
1973- Emërohet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Përveçse kontributit në letërsi, Agolli ka dhënë kontribut edhe në politikë. Duke qenë anëtar në Kuvendin Popullor që në kohën e Partisë së Punës, Dritëro Agolli ka dhënë kontribut në reformimin e Parisë Socialiste, pas viteve ‘90. Ai ka qenë deputet i kësaj partie, që nga viti 1992 deri në vitin 2001. Njëkohësisht ai ka qenë edhe anëtar i kryesisë së saj.
Vepra: Në prozë bëri emër, sidomos romani “Komisari Memo” (1969, “Njeriu me top” (1975), “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973) etj., “Hapat e mi në asfalt”, “Arka e Djallit”, “Kalorësi lakuriq”, “Pelegrini i vonuar” etj.
Gjergj Fishta
Datëlindja: 23 tetor 1871
Vendlindja: Fishtë, Shkodër
Arsimi: Kreu të mesmen në Kolegjin Françeskan në Troshan. Më 1886 vazhdoi në Bosnjë studimet për Filozofi dhe Teologji
Aktiviteti:
1893- Kthehet në Shqipëri dhe një vit më vonë emërohet profesor i gjuhës shqipe në seminarin e Troshanit
1899- Themelon shoqërinë letrare “Bashkimi”
1908- Delegat i Shkodrës dhe kryetar i Komisionit të Alfabetit në Kongresin e Manastirit
1916- Bashkë me Luigj Gurakuqin dhe Ndre Mjedën etj., themelon “Komisinë Letrare në Shkodër”, e cila luajti rol mjaft të madh në lëvrimin e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e letërsisë.
Veprat: “Lahuta e Malcisë”, 1937; “Vjersha të përshpirtshme” 1096; “Arzat e Parnasit” 1907, “Pika veset” 1909, “Mrizi i Zanave” 1913, “Juda Makabe” 1920, “Ifgjenia n’Aulide” 1931, “Jerina ose Mbretëresha e luleve”, 1940 etj.
Viti i vdekjes: Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor të viti 1940