Nga Mimoza Dervishi
Të martën e shkuar pas humbjes, Basha mbajti një fjalim në stilin e tij gjeagjëzë, ku askush nuk kuptoi nëse ai, do rrijë apo do ikë. Një gjë është e sigurt: opozita, si e tërë ka nevojë për restart, dhe nga mënyra se si do të sillet Basha me humbjen, do të varet dhe fati i Partisë Demokratike për dekadën e ardhshme. Këtu filloi dhe analiza pas zgjedhore, që nuk i lë asgjë mangët asaj parazgjedhore. Të duket, sikur zgjedhjet do bëhen nesër. Jo vetëm opozita, por gjithë debati publik, ka nevojë për një rifillim, nga pika zero dhe ndryshe.
Edi Rama dhe partia e tij, nuk u dëmtua aspak nga retorika e ashpër shpesh herë jashtë kontrollit. Shqipëria, po! Vendi ku politikanë dhe analistë jetojnë dhe rrisin fëmijët, përshkruhet nga goja e tyre, si një vend i drogës dhe krimit, si një diktaturë nga më të egrat e globit, si një vend ku fjala e lirë censurohet. Sikur të bëhej një guidë turistike me përshkrimet e tyre, asnjë turist nuk do shkelte në Shqipëri. Në krye të listës së këshillave që u jepen të huajve, kur vizitojnë Shqipërinë, është siguria.
Të vemit që po e zhbëjnë këtë mit janë vetë të huajt, që kur kthehen, shkruajnë përshtypjet. Ata nuk mrekullohen vetëm nga bukuritë e natyrës dhe ushqimi, por janë të befasuar, se si, probleme sigurie s’kanë pasur kurrë. Dikur na e nxorrën namin fqinjët, që si kudo, (edhe në Amerikë), fajësojnë emigrantët për cdo krim. Tani ka vite, që këtë punë e bën opozita dhe gazetaria. Pse gjithë ky mllef?
Rama sic me të drejtë e ka pohuar, në aspektin personal ka arritur gjithcka: tre herë, si askush, kryetar bashkie, tre herë, si askush, kryeministër. Ai tani po mendon të lërë pas një shenjë, një gjurmë. Trashëgiminë.
Eshtë koha, që të gjithë të mendojnë c’do tu lënë fëmijëve pas. Nuk e di cfarë kënaqësie mund të jetë, t’u tregosh fëmijëve të tu, që dikur bëje thirrje për luftë dhe vëllavrasje apo digjje derën e kryeministrisë, sepse nuk doje të ndërtohej një teater i ri.
Debati publik sot, kështu sic është, është krejtësisht i kalbur, ka prekur fundin. Ka 30 vjet që fjalitë fillojnë me: “flitet se”; “thuhet se”; “pëshpëritet”; ‘hamendësohet”. Filozofia e thashethemeve është katapultuar nëpër raporte për Shqipërinë me emra të huaj, të cilat gjithashtu “thonë se”.
Zgjedhjet janë si ndeshjet e sportit, të paktën kur parashikohet dhe pritet rezultati. Në gazetari, në garën parashikuese ndihmohesh dhe nga sondazhet, një mjet pune efikas, që fatmirësisht në Shqipëri, po rezulton shumë i saktë. Sondazhet janë statistika, por gazetaria shqiptare ka alergji nga ato. Politikanët, edhe mund t’i shpërfillin sondazhet dhe mirë bëjnë , sepse detyra e tyre është të nxisin elektoratin të votojë. Por, njësoj si partitë humbëse, analistët e debatit televiziv shqiptar vendosën t’i injorojnë sondazhet, thjesht, sepse nuk u pëlqeu rezultati. Kur analiza postzgjedhore mbushi ekranet, mësuam, që televizioni më i madh në vend e dinte me kohë, që PS-ja do fitonte, kishte bërë dhe sondazhe privatisht dhe kishte zgjedhur të mos i publikonte.
Që një televizion, të harxhojë para për të blerë një mjet pune dhe më pas të mos e përdorë, kjo flet shumë për katandisjen e gazetarisë shqiptare dhe ngatërresën e saj fatale me të qënit forcë politike. Pse e kishin kaq të vështirë të nxirrnin nga goja që Rama do fitonte, edhe kur ishin të bindur që kjo po ndodhte? Pse rrezikohet deri në këtë derexhe integriteti personal dhe ai profesional? Për ti bërë qefin dy javë Bashës dhe Metës? Sa pak respekt duhet të kesh për profesionin dhe për veten në radhë të pare, që të flasësh krejtësisht për të kundërtën e asaj, që di dhe mendon.
Ky është rasti tipik i autocensurës. Herën tjetër, nëpër raportet ndërkombëtare, duhet theksuar, që autocensura nuk vjen nga pushteti dhe trysnia e tij. Gazetarët dhe pronarët e mediave në Shqipëri autocensurohen, jo për ti bërë qefin Ramës, por Bashës dhe Metës, me shpresën se radha e pushtetit po u vjen atyre. Kjo nuk është demokraci e munguar. Kjo është demokraci me tepricë, që media shqiptare zgjedh ta shpërdorojë. Eshtë pak si shumë t’i kërkosh Ramës të të mësojë, se si mos abuzosh edhe me lirinë tënde.
Për analistët, ky nuk është një hobi, por është puna e vetme që mendojnë se dinë të bëjnë, është buka e gojës. Analiza e tyre është e pabesueshme, pa dinjitet. Janë kontradiktorë me veten dhe thonë e bëjnë gjëra të kundërta edhe në të njejtën frymëmarrje. Shihni sjelljen me sondazhet. Nëse keni ndonjë dyshim, nëse vërtetë u besojnë sondazheve, vini re si filluan festën me exit pollet.
Vini re gjithashtu analizën për humbjne e PD-së. Argumenti i parë është blerja e votës dhe masakra industriale, që s’ka fjalor që e përkthen. Argument ky, i pambështetur në fakte, por vec në ‘thuhet se”. Fill sapo mbaron parada makabre e epiteteve për blerjen, regjimin dhe diktaturën, analistët shtrohen në debat, për dy ore rrjesht, duke renditur arsyet pse humbi Basha. Arsyet janë legjitime, që nga mospjesmarrja në zgjedhje, mosbashkimi i listave, mandatet e lëna, etj. Janë arsye të mirëdituara para zgjedhjeve, për të cilat jo vetëm Basha nuk u kritikua, por u nxit dhe u përgëzua. Tani zgjedhjet ose jane vjedhur, dhe këtu mbaron debati, ose Basha nuk di të fitojë për të gjitha arsyet që rreshtohen me vrull sot. Mendja ndahet, para se goja të hapet!
Ky lloj degradimi e ka një shpjegim: analistët dhe mediat shqiptare, suksesin e tyre e shohin dhe e masin tek afërsia me pushtetin.
Nuk ka një shpjegim të saktë, pse kanë arritur në këtë pikë. Ndoshta, sepse dikur e nisën të gjithe bashkë dhe Rama ishte njëri prej tyre, ndoshta sepse tek tuk, u është dukur vetja më të rëndësishëm se profesioni që ushtrojnë (deri në iluzionin se janë ata që ngrenë dhe rrëzojnë qeveri), ndoshta sepse koha i la pas, ndoshta sepse nuk sigurohet jeta me një faqe portali, që c’dokush e bën sot nga aneksi i shtëpisë. E kuptueshme është, që Rama nuk i afroi. I la të lirë, në profesionin e tyre të lirë. Sic dhe duhet të ishin. Dhe suksesin ta shihnin e gjenin brenda profesionit.
Nuk është sukses, kur ke vite që thua të njejtat gjëra dhe e ke të pamundur të analizosh e predikosh zgjedhje pa zgjedhjesh; kur bën 300 pyetje dhe asnjëra nuk ngjit, sepse mungon ajo pyetja e vetme, për të cilën mbahesh mend; kur nuk bën një investigim të mbështesësh ato që thua; kur i nxjerr Ramës para syve “faktin” në formën e një tipi, që thotë “unë kam shitur vota”, dhe asnjë pyetje, ku i gjete lekët, kush t’i dha, kujt ia dhe. Nuk është sukses i madh të bërtasësh diktatura dhe regjimi, duke zbehur kështu dhe vlerën e vërtetë të këtyre fjalëve, e duke i dhënë një ide të gabuar për diktaturën, atyre që kanë lindur pas 90-ës.
Debati publik ka dështuar që në momentin kur futen të gjithë në të njejtin thes, kur pikturohen të gjithë me të njejtën furcë. Miti i ngritur se të gjithë vjedhin, të gjithë janë të korruptuar, të gjithë janë njësoj, nuk është i bazuar në analiza dhe fakte historike, madje as në krahasimet më të thjeshta të mundshme. Krahasoni mandatin e dytë të Ramës. Me kë të doni. Krahasojeni me mandatin e Nanos. Ishte koha kur të gjithë donin të bëheshin doganierë, sepse pas dy muajsh bëheshin mlionerë, shfaqeshin me “Mercedes” në mes të sheshit dhe ndanin paratë ashiqare tek “Piaca”.
Krahasojeni “regjimin” e Ramës me atë të Berishës së parë, ku SHIK-u zëvëndësoi sigurimin e shtetit. Tregoni një rast të vetëm, që njerëzit sot, janë të terrorizuar se i perndjek Rama. Të vetmit që terrorizuan qytetet së fundmi, ishin kamikazët e PD-së me fugona, që luftonin për jetë a vdekje, për tu ribërë drejtorë, doganierë e shiksa, si në kohërat e tyre të arta. Krahasojeni “korrupisonin” e Ramës, me Berishën e dytë, ku “xeni” dhe “xenita” morën në dorë ekonominë, dhe asnjë firmë nuk lëshohej, asnjë punë nuk bëhej, pa derdhur kaparin dhe pa lejen e tyre. Mos shkojmë më tej, tek ata që u hodhën në erë në Gërdec, dhe ata që u vranë në bulevard si mishërim, edhe terrori, edhe korrupsioni.
Rama akuzohet për blerje mediash. Mit gjithashtu i ngitur në hava, pa asnjë fakt, pa bërë as atë krahasimin, që shihet me sy e dëgjohet me veshë. Hidhini një vështrim të shpejtë sudiove të mëdha televizive. Jo vetëm flitet e ulëritet kundra Ramës, por është tejkaluar cdo normë etike. TV Klan është Fevziu dhe “Opinion” është emisioni më i ndjekur në Shqipëri. Nuk do gjeni dot asnjë “Opinion” të vetëm, ku t’i bëhen elozhe Ramës. Në Top-Chanel, magafonin ia kanë lënë në dorë nja dy tre vetave, që sa hapet ekrani, bërtasin si me sustë: “poshtë diktatura”. “Real Story”, i vetmi që mund të ndiqet pa të ikur mendja në kohë zgjedhjesh, është historikisht një emision i balancuar. Edhe ndonjë puhizë preference personale e drejtuesit, as që ndjehet, sepse pullë poste aty, është ambasadori fuqiplotë i nihilizmit.
Nëse propaganda për Ramën bëhet përmes telenovelave turke dhe emisioneve, ku shqiptarët shkojnë të gjejnë burra dhe gra për tu martuar, mezazhi i tyre duhet të ketë qenë shumë i kamufluar. Në pamje të parë, kur dashurohen dhe rrihen, s’ta mbushin syrin për patronazhistë.
Në shtypin e shkruar, gjithashtu janë vetëm dy ose tre gazeta kryesore, të cilat, janë magazina pa dyer, ku gjithkush mund të shkruajë me emër dhe gjithë të tjerët, janë të lirë të komentojnë pa emër.
Parashikimi tjetër analitik, se pushteti bie vetë pas tetë vitesh, qëlloi të ishte një dëshirë, por kurrësesi një analizë. Analiza e vërtetë duhet bazohej në faktin, që Rama, është i vetmi kryeministër, që punët e shtetit i mësoi në bashki, duke qeverisur Tiranën. Nuk u bë kryeministër 29 vjec, pa menaxhuar asgjë më parë e pa drejtuar as 20 veta në jetë. Nuk ia dhuruan partinë, e fitoi vetë me zgjedhje. Dhe sot, i bën krenar socialistët, duke u treguar që fiton i vetëm. Gjasat janë që PD ta ndjekë këtë shembull. Rama nxorri zbuluar partitë e vogla shqiptare, ku disa kryetarë vegjetues, që nuk marrin dot as 500 vota, janë në politikë, vetëm pse fusin emrin në listat e partive të mëdha.
Rama hyri në zgjedhje dhe i fitoi ato, me ministra jo politikë, dhe me 20 vjecarë që u kthyen në atdhe. Krahasimet qofshin dhe të përcipta, do tju tegonin, se Nano dhe Berisha, nuk ikën nga pushteti se u erdhi radha të iknin, por se u telendisën. Edhe ata i kishin të gjitha në dorë, mekanizmat dhe dëshirën. Këto dy raste, janë rastet tipike, kur popullit i vjen në majë të hundës. Në 25 prill, populli tregoi se nuk e do opozitën sic është tani, sepse ajo do të zhbënte gjithcka sa është ngritur. Vota e 25 prillit, tregoi gjithashtu se nuk i do analistët dhe median sic janë tani. Me ta, u ka ardhur vërtetë në majë të hundës.
Argumentat e pasakta ndjekin njëra-tjetrën, dhe as ndjesë, as falje për keqinformimin. Madje, po të devijosh pak dhe të pranosh realitetin, quhesh i shitur. I shitur doli dhe vetë Ristani. Imagjinoni dramën e tij, njeriut që bëri Bashën kryebashkiak, duke vjedhur votat në televizor.
As për të qeshur nuk të vjen më. Janë bërë për të ardhur keq.