Deputeti i Qarku Vlore, Koco Kokedhima, ne nje interviste per emisionin ‘Fiks Fare’ ka rrefyer arsyet e prezences se tij aktive ne vitin 2015 ne politike. Kokedhima ka folur edhe per kauzen qe ai personalisht e mbron, legalizimin e kanabisit ne Shqiperi. Perballe gazetares Albana Osmani, e cila i ka dhen edhe simbolin e emisioni qe eshte nje rrote, Kokedhima tha se ‘nuk e dinte qe ishte keshilltar i kryeministrit’.
Albana- Miq të “Fiks Fare”, kam pranë vetes një nga politikanët më të spikatur të vitit 2015 dhe jo vetëm. Në fakt, për sa i takon këtij viti, “Fiksi” ka vendosur ta vlerësojë si personazhi i vitit, dhe për këtë ju uron jo vetëm Jugu, por edhe Veriu.
Kokëdhima- Jam shumë i nderuar për këtë vlerësim dhe për këtë gjest të “Fiks Fare”. Eshtë një institucion për të cilin unë kam shumë vlerësim dhe shumë respekt. Mendoj se “Fiks Fare” ka dhënë një kontribut shumë të çmuar ndër vite, për ta bërë vendin tonë më të drejtë, për ta bërë vendin tonë më të mirë dhe për ta bërë Shqipërinë më të ligjshme dhe më njerëzore.
Albana– Thonë se jeni njeriu më i rëndësishëm në Partinë Socialiste!
Kokëdhima– Meqenëse e thoni ju të “Fiksit” këtë gjë, me siguri unë jam njeri me rëndësi, sepse “Fiksi” thotë gjëra të sakta. Njeriu më i rëndësishëm në Partinë Socialiste, është kryetari i Partisë Socialiste. Eshtë Edi Rama, njëherësh edhe kryeministër i Shqipërisë. Rëndësia e një personi në një bashkësi politike nuk dhurohet nga askush. Çdo politikan është ose bëhet shumë i rëndësishëm nëqoftëse mbart me vendosmëri, si qëllime të vetat, qëllimet e qytetarëve të vendit.
Albana- Thonë se Edi Rama nuk bën asgjë pa ju pyetur juve. Eshtë kjo e vërtetë?
Kokëdhima- Nuk e dija, por, tani që ma thatë do të jem më i kujdesshëm kur të flas me të. Unë nuk jam këshilltar i zotit Rama, por unë diskutoj me një frymë shumë të sinqertë dhe shumë miqësore me të, sa herë jam pjesë e tryezave politike apo partiake. Edi Rama e mëshiron më së miri proverbin popullor: “pyet 100 vetë dhe bëj si di vetë”.
Albana- Si përfundim bën siç di vetë, kështu i bie. Bën ndonjë emërim në Jug pa ju pyetur juve? Mund të na thoni të vërtetën?
Kokëdhima – Të vërtetat edhe kushtojnë Albana, s’mund të merrni gjithçka badiava. Në rajonin Vlorë-Gjirokastër nuk ka më emërime nepotike. Nuk ka më emërime me para. Nga të gjitha këto zhvillime janë të palumtur vetëm ata që kanë abuzuar në të shkuarën, me emërimet dhe me postet e punës. Koço nuk ka marrë “djathin” e tyre, thjesht për ata nuk ka më “djathë”.
Albana – Në fundvit, nëpër gazeta, u tha që do të shtyhej kongresi për në mars. Në fakt kongresi u shty. Edhe kësaj rradhe, të doli fjala?
Kokëdhima- Shqiptarët, me sa duket, i kanë shumë qejf partitë politike. Prandaj, edhe pse jemi një popull i vogël, kemi 60 parti, sot, sepse, me sa duket, të gjithë duan të kenë nga një parti. Por Partia Socialiste është padyshim partia më e rëndësishme në vend. Edhe është mundësia kyç që ka populli ynë në duart e veta për t’u vetëqeverisur dhe për të ndërtuar të ardhmen e tij dhe drejtimin e vendit. Dhe fakt është që Partia Socialiste është e përfshirë në një reformë tërësore, një reformë të strukturës politike, një reformë të strukturës ekzekutive, të dokumenteve që rregullojnë jetën e saj, të përtëritjes së debatit politik, në një reformë modernizuese dhe në një reformë edhe të sistemeve të veta të menaxhimit. Partia Socialiste, tani, me sa duket, ka hapur dyert e veta për një përfaqësim shumë më të mirë të popullit në të, për t’i dhënë më shumë mundësi gruas, rinisë dhe grupeve të interesit që të marrin pjesë aktive në politikbërje dhe kryesisht në qeverisjen e vendit, me qëllim që në Shqipëri të kemi një sjellje të re shumë më të shkëlqyer edhe të pushtetit edhe të zyrtarëve, që të kemi një pjesëmarrje shumë më të gjerë të qytetarëve në qeverisjen e vendit dhe gjithashtu të mund të krijojmë një realitet ekonomik shumë më të mirë dhe shumë më shpresëdhënës se sa ky realitet që kemi. Ne nuk kemi probleme të tilla në parti, që, doli fjala e këtij apo doli fjala e atij. As për kongresin dhe as për çështje të tjera. Ne punojmë në frymë kolegjiale dhe shoqërore. Dhe diskutimi ynë dhe i të gjithë kolegëve në parti është si t’u japim zgjidhje çështjeve të mëdha dhe sfidave të rëndësishme që qëndrojnë përpara vendit dhe përpara qeverisjes së tij. Partia Socialiste është në një ripërtëritje të gjerë të rradhëve të saj. Në qershorin që lamë prapa, kryetari i Partisë Socialiste, z. Edi Rama, kërkoi që në 25-vjetorin e Partisë Socialiste, pra në qershorin e ardhshëm, PS-ja të shkojë me rradhë të veta të dyfishuara. Dhe tani, në të vërtetë, ajo që po ndodh është pikërisht kjo, që, sidomos, të rinjtë e të rejat, njerëzit me vlera të shoqërisë janë duke e përtërirë PS-në, për t’i dhënë asaj forcën dhe përgjegjësinë e duhur në përballimin e këtyre përgjegjësive që kemi.
Albana- Tani, Koço, unë kam një hall, ka të bëj me të ardhmen time. Nuk më ndihmon dot as Rama, as Meta. Do më ndihmosh Koço?
Kokëdhima – Ju gazetarët jeni pak të vështirë, të them të drejtën, dhe shumë pyetje i keni si kurthe, por unë po të them që do të mundohem patjetër që t’ju ndihmoj.
Albana- Kaq më duhej. Fjala e Koços, më mjafton.
Albana– Jeni i vetmi politikan në Shqipëri që keni kërkuar legalizimin e kanabisit. Tani të më falësh. Unë do të ndez një. Nuk e di nëse keni dëshirë të ndizni një bashkë me mua, apo …?
Kokëdhima– Jo. Faleminderit. Nuk përdor asgjë. Nuk pi as duhan, asgjë tjetër.
Albana– Keni hequr dorë nga cigarja?
Kokëdhima– Nga të gjitha.
Albana – Unë do ta ndez, gjithësesi, të më falësh, vetëm një sekondë…po?
Kokëdhima – Në të vërtetë, ndoshta jam i vetmi politikan këtu që kam artikuluar haptazi nevojën për ta legalizuar kanabisin. Por nuk jam i vetmi që e mendoj këtë gjë. Ne politikën dhe legjislacionin shqiptar të kanabisit ka shumë paradokse. Ne dënojmë një përdorues, të ri ose të re për dy gramë kanabis, me 5 vjet burg. Po kështu e dënojmë edhe një trafikant që mund të kapet me 200 kg kanabis. Legjislacioni ynë penal e lejon përdorimin e kanabisit, ndërsa, nga ana tjetër, një përdorues nuk mund të gjejë kanabis në farmaci të autorizuara dhe të kontrolluara nga shteti, por duhet të bjerë nën ndikimin, ose në kontakt me shpërndarësit dhe trafikantët. Ne kemi gjithë këta të sëmurë që kanë nevojë për ilaçet e kanabisit, për shumë sëmundje të rënda që këto ilaçe janë të pazëvendësueshme. Por, po t’i kapë policia me këto ilaçe, këta të sëmurë, nuk i lë të mjekohen, por i çon në burg. Ne kemi gjithashtu nevojë për këto ilaçe në Shqipëri.
Albana– Po ndize Koço. Unë them ta ndezësh!
Kokëdhima– Megjithëse kemi nevojë për këto ilaçe, ne duhet t’i importojmë ato, edhe pse jemi një vend që prodhojmë kanabis ilegal dhe ilegalisht nga më të mirët në botë. Ne jemi një vend i varfër dhe ndaj kanabisit kemi vetëm politika represive. Shpenzojmë miliarda, për të hetuar, për të gjykuar, për të investiguar, për të mbajtur të burgosur, për të luftuar dhe realizuar gjithë këtë politikë represive. Por ndërkohë ne nuk marrim asnjë lek mbrapsht nga ekonomia e kanabisit, sepse ne nuk kemi një ekonomi formale. Ekonominë e kanabisit e zotërojnë vetëm trafikantët dhe ilegalët. Ne, sigurisht, që themi se nuk e kontrollojmë dot dhe kemi frikë ta legalizojmë nga fakti se nuk e kontrollojmë dot. Por arsyeja që ne nuk e kontrollojmë nuk e bën situatën më të mirë. Ne nuk e kontrollojmë dot gjithë këtë ekonomi që, vit për vit, ka përjetuar vetëm rritje dhe lulëzim. Ne nuk e kontrollojmë dot, por e kontrollojnë trafikantët. Vetëm legalizimi do të ishte një zgjidhje, sepse do ta hiqte ekonominë nga duart e trafikantëve dhe do ta kalonte në buxhetin e shtetit dhe të qytetarëve. Dhe po kështu, ne, me të drejtë, i luftojmë ata kultivuesit ilegalë të kanabisit, por nuk kemi para t’u japim asnjë alternativë tjetër jete dhe asnjë alternativë tjetër pune. Nuk i mbështesim dot për të zhvilluar një ekonomi tjetër. Ne kemi gjithashtu në Shqipëri, një shumicë të qartë të majtë. Dhe legalizimi i kanabisit është sigurisht një ideologji e majtë. Edhe nga kjo pikëpamje është paksa paradoksal qëndrimi ynë. Kështu që sot, në vend që të sofistikojmë gjykimet, ne duhet të japim alternativa për mënyrën se si duhet zhvilluar dhe qëndrimet që duhen mbajtur ndaj kanabisit. Eshtë më mirë, shumë më efiçente dhe më realiste, një qasje pragmatiste ndaj kësaj çështjeje, siç po ndodh sot në botë. Sot p.sh. kanabisi është legal, në të gjitha kuptimet, në kryeqytetin e lirisë së botës, në Uashington. Edhe atje, kushdo, madje edhe presidenti i Amerikës, po të dojë, mund të shkojë që të tymosë një cigare hashash. Nga pikëpamja ligjore, nuk ka asnjë lloj komplikimi. Kështu që, besoj, se janë të gjitha kushtet që në Shqipëri të bëjmë një politikë tjetër për të përfituar edhe ekonomi, për të përfituar edhe treg në farmaceutikën evropiane dhe më gjerë, për të bërë një politikë më të butë penale dhe për të punuar që të kemi sa më pak konsumatorë të kanabisit, sa më pak të rinj e të reja që implikohen me të dhe dëmtojnë shëndetin, duke tymosur hashash.
Albana– Po në këtë çështjen e kanabisit duket sikur nuk e keni mbështetjen e Edi Ramës?
Kokëdhima- Jo, nuk mund ta them këtë gjë. Edi Rama ka qenë i kujdesshëm në prononcimet e veta. Asnjëherë nuk është deklaruar se këtu nuk ka gjëra për të shqyrtuar, përkundrazi. Ai e ka deklaruar edhe vetë që, sot, ky është një debat në të gjithë botën për çështjen se si duhet trajtuar problemi i kanabisit. Unë dua të besoj që, dhe realisht besoj, Edi Rama nuk është për ta mbyllur këtë debat, por për ta diskutuar këtë çështje me shumë kujdes dhe shumë maturi.
Albana – Rrota e “Fiksit” shkon për politikanin e vitit, Koço Kokëdhima. Urime.
Kokëdhima – Shumë faleminderit “Fiksit”. Faleminderit Filipit. Faleminderit juve dhe gjithë kolegëve tuaj. Dhe ju uroj shumë suksese. Dua ta përdor gjithashtu këtë mundësi që t’i uroj të gjithë shqiptarëve që na ndjekin sonte. Gëzuar Vitin e Ri. Të kenë shëndet, të kenë lumturi. Dhe të kenë arritje më të mira në vitin 2016.