Komuniteti Mysliman i Shqipërisë u distancua të premten nga çdo deklarim apo shprehje në favor të organizatave të njohura ndërkombëtarisht si terroriste, ndërsa theksoi se “ka qenë dhe është promotor i të gjitha përpjekjeve që bëhen për të parandaluar çdo lloj shfaqjeje të ekstremizmit të dhunshëm”.
Përmes një deklarate për shtyp, KMSH deklaroi se ka ndjekur me shqetësim deklarimet e një ish-mësueseje të Medresesë “H. Sheh Shamia” Shkodër, të transmetuara në një video-përgjim në emisionin “STOP” në TV Klan me datë 18 janar 2017.
“Megjithëse ky është një rast i izoluar dhe personi në fjalë, prej më shumë se një viti nuk është pjesë e trupës pedagogjike të Medresesë ku ka punuar si mësuese zëvendësuese për pak kohë, Komuniteti Mysliman, po e ndjek këtë çështje me seriozitetin maksimal. Kryesia e KMSH-së i ka kërkuar drejtorisë së Medresesë së Shkodrës dhe Shoqatës VHK “Istanbul”, e cila ka në administrim këtë shkollë prej disa vitesh, që të jenë më të vëmendshëm në përzgjedhjen dhe pranimin e stafit pedagogjik, si dhe të gjithë procesit të mësimdhënies në shkollë”, thuhet në deklaratë.
KMSH deklaron se është i vendosur të punojë maksimalisht që ngjarje të tilla të mos përsëriten, si dhe i bëri thirrje medias, organeve ligjzbatuese dhe mbarë shoqërisë, që të jenë të ndjeshëm në çdo rast që cënohet harmonia dhe bashkëjetesa paqësore në vend, si dhe gjithashtu duke qëndruar larg gjuhës së urrejtjes dhe islomofobisë./b.d