Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili u larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë, për t’i shpëtuar procesit të Vetingut, i ka dorëzuar pasardhëses së tij, Arta Markut, një institucion kaotik, pa objektiva strategjike, me struktura të pabazuara në rregullore, me mbledhje të pa dokumentuara, me një audit të brendshëm jashtë funksionit etj.
Rrëmuja në organin qendror të akuzës është konstatuar nga një grup auditi i Kontrollit të Lartë Shtetit. Raporti i kontrollit, i zbardhur nga Shqiptarja.com, është firmosur nga kreu i KLSH në 15 dhjetor 2017, tre ditë para largimit të Adriatik Llallës dhe emërimit të Arta Marku, përmes një seance të paprecedentë.
Në raport thuhet gjithashtu se makinat që kanë dalë nga magazinat për prokuroritë e rretheve nuk janë shoqëruar me urdhrin e kalimit në pronësi, ndërsa komisioni i posaçëm ka marrë në dorëzim mallra pasi kishin hyrë në magazinë. E njëjta situatë dhe i njëjti mentalitet është reflektuar edhe prokuroritë e rretheve, ku janë mbajtur të ‘ngrira’ dosjet e krimit të korrupsionit, janë mbyllur dosje si dhe janë ndryshuar akuzat në mënyrë të paligjshme.
Shembulli me ilustrues për këtë situatë është Prokuroria e Elbasanit, ku menjëherë pas largimit të drejtuesit, janë hapur disa dosje të rënda korrupsioni dhe krimi. Për këtë situatë, kryeprokurorja Arta Marku ka ngritur një grup pune, i cili po kontrollon veprimtarinë e të gjithë prokurorëve.
Jashtë kontrollit
Në raport thuhet se vitet e fundit, në Prokurorinë e Përgjithshme nuk funksiononte auditi i brendshëm. “Nga auditimi mbi veprimtarinë e Njësisë së Auditit të Brendshëm u konstatua se plani strategjik & plani vjetor gjatë periudhës objekt auditimi, nuk i është përmbajtur formatit sipas manualit të auditimit të brendshëm, i cili duhet të përmbajë misionin, vizionin, objektivat strategjike, strategjinë e auditimit për një periudhë 3-5 vjeçare, sikundër kërkohet në ligjin nr. 114 datë 22.10.2015.
Nga auditimi u konstatua se, në raportet e monitorimit për 4 mujorët e vitit 2017, institucioni ka paraqitur: raportin sipas tabelave standarde të miratuara në Udhëzimin nr. 22, datë 17.11.2016; dhe relacionin shpjegues për mospërputhjet ndaj parashikimeve të periudhës raportuese; por nuk është shprehur mbi masat korrigjuese që duhen ndërmarrë, sikundër e kërkon udhëzimi nr. 22, datë 17.11.2016”, thuhet në raport.
Magazinat e mallrave
KLSH ka konstatuar se nga magazinat kanë dalë mallra pa u shoqëruar me urdhra se në pronësi të kujt do të kalonin. Kjo ka ndodhur edhe me makinat e prokurorëve.
“Nga auditimi i fletë-daljeve të aktiveve nga magazina dhe çregjistrimi në kontabilitet, rezultoi se kalimi i mjeteve të transportit në pronësi të prokurorive të rretheve nuk është shoqëruar me urdhrin e kalimit në pronësi, si dhe nuk ka të bashkëngjitur autorizimin e personit për tërheqjen e mjetit, sikundër kërkohet në Udhëzimit nr. 30 datë 27.12.2011, në kapitullin III të udhëzimit “Regjistri i aktiveve dhe dokumentimi i lëvizjes se tyre”.
Një veprim i tillë, rrezikon procesin e monitorimit të sistemeve për ruajtjen dhe mbrojtjen e aktiveve dhe të dokumentacionit te njësisë”, vijon raporti. Gjithashtu, komisioni ka marrë në dorëzim mallrat pasi kanë hyrë në magazina.
“Nga auditimi i fletë-hyrjeve dhe fletë daljeve të magazinës u konstatua se, në disa raste relacioni nga komisioni i ngritur për marrjen në dorëzim dhe vlerësimin e mallrave është përgatitur pasi mallrat janë bërë hyrje në magazinë, dhe jo si kundër kërkohet në Udhëzimin nr. 30 datë 27.12.2011 “Për Menaxhimin e Aktiveve në njësitë e Sektorit Publik” pika 42-50. Ky veprim shkakton risku se specifikat e mallit të marrë në dorëzim, të mos jenë në përputhje me kriteret e parashikuara”, thuhet në raport.
Plani strategjik
Sipas raportit, në Prokurorinë e Përgjithshme nuk është rishikuar plani strategjik, duke ndikuar në mospërcaktimin e qartë të proceseve të punës. “Nga auditimi u konstatua se, përgjatë periudhës objekt auditimi, Institucioni ka vijuar të mbështetet në planin strategjik 2015-2017.
Ky plan nuk është rishikuar në mënyrë periodike dhe më pas miratuar nga nëpunësi autorizues i njësisë publike, duke reflektuar objektivat strategjikë, prioritetitet e institucionit dhe planet e veprimit, të cilat janë në zbatim të strategjisë ndërsektoriale, sikundër kërkohet në Ligjin nr. 10296, datë 08.07.2010.
Mos rishikimi i Planit Strategjik, në institucion ka shkaktuar mos rishikimin e vazhdueshëm të objektivave të programeve, aktiviteteve dhe projekteve, që duhet të realizohen përmes proceseve të punës. Sa më sipër gjithashtu ndikon në mos përcaktimin e qartë të proceseve të punës”, thuhet në raport.
Disa gjetje të tjera të Kontrollit të Lartë të Shtetit
-Nga auditimi u konstatua se, edhe pse është ngritur Grupi e Menaxhimit Strategjik për vitin 2017 mungon dokumentimi i takimeve të realizuara apo problematikat e trajtuara, duke mos ofruar kështu siguri të arsyeshme mbi kryerjen ose jo të mbledhjeve të GMS-së, sikundër kërkohet në, pikën 2.2.4 të Udhëzimit nr. 16 datë 16.07.2016. Dokumentimi në vetvete, përfshin hartimin e provave të shkruara për vendimet e marra, ngjarjet e ndodhura, veprimet dhe transaksionet e kryera. Mos dokumentimi i mbledhjeve të Grupit te Menaxhimit Strategjik, rrezikon procesin e gjurmimit të vendimeve të marra gjatë takimeve të grupit me qëllim zbatimin e tyre.
-Nga auditimi u konstatua se, institucioni ka vijuar të funksionojë me rregulloren e brendshme të miratuar nga Prokurori i Përgjithshëm, me urdhrin nr. 46/3 datë 27.01.2015 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme”, edhe pse gjatë periudhës objekt auditimi, ka pasur ndryshime ne strukturë si, krijimi i pozicioneve të reja apo sektorëve të rinj. Nga auditimi u konstatua se, këto ndryshime vijojnë të mos reflektohen në rregulloren e institucionit.
-Nga auditimi u konstatua se, Auditi i Brendshëm në Raportin dhe Deklaratën mbi vlerësimin dhe funksionimin e MFK nuk ka përshkruar gjetjet kryesore të auditimit të brendshëm për vitin e raportimit, si dhe rekomandimet kryesore të dhëna nga audituesit për përmirësimin e sistemit të kontrollit të brendshëm, sikundër kërkohet në ligj.
-Nga auditimi u konstatua se, në Prokurorinë e Përgjithshme nuk janë organizuar trajnime për rritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve, me qëllim njohjen dhe shkëmbimin e përvojave mbi praktikat më të mira në fusha të ndryshme, edhe pse në strategjinë e menaxhimit të riskut, referuar listës së risqeve të evidentuara si prioritare për institucionin, “trajnimi i stafit” është renditur ndër faktorët e parë.
-Nga auditimi i pasqyrave financiare në Prokurorinë e Përgjithshme, u konstatua se, në Llogarinë 218 “Inventar ekonomik” dhe 214 “Instalime teknike, makineri, pajisje,vegla pune”, janë vlerësuar për dalje jashtë përdorimi dhe asgjësim disa aktiveve të qëndrueshme të trupëzuara, në vlerën 9,512,881 lekë, që përputhen me vlerën kontabël fillestare të regjistruar në kontabilitet. Nga auditimi u konstatua se për këto aktive nuk është zbritur vlera e amortizimit të akumuluar ndër vite për to, sikundër kërkohet. (shqiptarja)
a.ç
Ky i quajtur prokuror do te mbesin ne histori per shume vjet,llalla sic ka edhe emrin ashtu beri,zbatoje nji per nji porosite e plakut,lufto te ndershmit,e favorizo te pa ndershmit,hajdutet,korrupsionin,trafikantet e krimenelte.I tille ishte llalla,te shohim si do reagojne organet kopetente me kyt matrapaz.