Belgjika njihet për birrën e mirë, por mesa duket, turistët që e vizitojnë nuk mjaftohen me kaq.
Baret në qytetet më piktoreske belge ankohen se mijëra gota birre iu vidhen nga turistët, të cilët i marrin me vete si suvenire.
Ata kanë gjetur mënyra shumë origjinale për ta luftuar këtë fenomen.
Në Bruzh, Philip Maes, pronar i një birrarie, ka investuar në një sistem alarmi që përfshin një mekanizëm të ngjitur në çdo gotë.
“Kam humbur rreth 4 mijë gota çdo vit.
Turistët sidomos kanë tendencën t’i marrin me vete.
Nuk e di pse, disa klientë mendojnë se pasi paguajnë pijen, mund të marrin edhe gotën si dhuratë”, thotë ai.
Ai thotë se sistemi i alarmit i ka kushtuar 4 mijë euro.
Në Gent, bari “Dulle Griet” ofron 500 lloje birrash.
Por pronari aty ka gjetur një zgjidhje më pak të kushtueshme për t’i shpëtuar vjedhjes së gotave.
“Cilido që hyn në birrarinë tonë për të pirë, duhet fillimisht të dorëzojë njërën këpucë që mban veshur”, thotë Alex Devriendt.
“Ne i vendosim këpucët në një kovë të madhe, e cila ngrihet në tavan me anë të një mekanizmi.
Ajo është kthyer në atraksion, por për ne mbetet një garanci.
Gotat tona janë të shtrenjta, pasi i kemi prodhuar enkas për lokalin”, thotë ai.
Gotat e birrës në Belgjikë janë në forma nga më të ndryshmet, që nga zambakët e deri te fluturat.
Më të preferuarat për turistët mbeten gotat që kanë shenjën e Brugse Zot, birrarisë më të famshme në Burzh.
Kompania prodhuese e birrës i furnizon baret falas me gotat e saj, si pjesë e një strategjie marketingu.
Jan Paillaert, drejtues i saj, thotë se çdo muaj, të paktën 1000 gota të reja duhen shpërndarë në baret dhe hotelet e qytetit, çka i ka shtuar kostot për kompaninë./Tema/a.m.











