Edhe pse nuk jemi zyrtarisht në sezonin turistik, Vlora mbetet mjaft e preferuar edhe në këtë periudhë. Fundjava e parë e muajit prill, që solli edhe përmirësim të kushteve atmosferike, bëri që shumë qytetarë të dilnin buzë detit për shëtitje. Kjo është ndër periudhat më të mira për të qëndruar në qytetin bregdetar për shkak të qetësisë.
“Kemi ardhur për vizitë sot ne, vijmë kur kemi mundësi. Kjo fundjavë qenka shumë e mirë, shumë e ngrohtë”, tha një vizitor vendas.
Në qytet gjen edhe shumë turistë të huaj të ardhur nga shtete të ndryshme të Evropës. Ata vlerësojnë natyrën dhe kushtet.
“Jemi këtu për pushime dhe do të qëndrojmë katër ditë në Vlorë. Na pëlqen dielli, por sigurisht edhe deti, na duhet të eksplorojmë më shumë.”
“Është hera e tretë që ne vijmë në Shqipëri, besojmë se do të kthehemi sërish në këtë vend se është një vend i sigurt dhe i bukur. Çfarë mund të them tjetër? Këtu qenka plot me turistë.”
Në këtë periudhë, bizneset dhe operatorët turistikë po bëjnë të gjitha përgatitjet për sezonin e ri veror. Pritshmëritë janë të larta edhe për këtë vit dhe numri i turistëve pritet të jetë i lartë.











