Dalin në dritë detaje të reja nga ngjarja tragjike e vdekjes së 37-vjeçares Marjana Karolina Bunaj, e cila humbi jetën gjatë transportit me ambulancë nga Pogradeci drejt Tiranës.
Gruaja, me origjinë nga Mirdita dhe e martuar në Pogradec, ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe priste fëmijën e saj të parë.
Sipas familjarëve, bashkëshorti i saj ishte larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës vetëm tre ditë para ngjarjes. Ai dhe familja e tij jetojnë në SHBA, ndërsa 37-vjeçarja priste që t’u bashkohej.
Për Marjanën, udhëtimi drejt Shteteve të Bashkuara do të ishte hera e parë. Por gjatë natës së së dielës, ajo ka shfaqur dhimbje të forta në bark.
Në pamundësi për të përballuar situatën, 37-vjeçarja ka telefonuar motrën e saj, e cila banonte pranë. Motra ka shkuar menjëherë dhe e ka marrë me makinë për ta dërguar në spitalin e Pogradecit.
Pas mbërritjes në spital, mjekët kanë dyshuar për një hemorragji. Sipas informacioneve paraprake, pas ekzaminimeve, pacientja është vendosur në katin e sipërm të maternitetit, ku është vlerësuar se kishte nevojë për trajtim më të specializuar dhe duhej të transportohej drejt Tiranës.
Gjatë kësaj kohe është diskutuar edhe mundësia e transportimit me helikopter. Megjithatë, sipas informacioneve të bëra publike, kjo alternativë nuk është realizuar për shkak të errësirës.
Sipas të dhënave paraprake, 37-vjeçarja është paraqitur në spital me parametra jetësorë të ulët dhe në një gjendje të rënduar, e cila e bënte të vështirë transportin. Më pas është kryer edhe reanimimi.
Pas përgatitjeve, në orën 04:30 të mëngjesit, Marjana është nisur me ambulancë drejt Tiranës. Por udhëtimi nuk do të përfundonte në kryeqytet.
Në hyrje të Elbasanit, gjendja e 37-vjeçares është përkeqësuar dhe ajo ka ndaluar së reaguari. Në ato momente, sipas dëshmisë së motrës së saj, e cila ndodhej në ambulancë, infermierja i ka rënë xhamit të shoferit dhe i ka kërkuar që ta drejtonte ambulancën drejt spitalit të Elbasanit.
“Fute te spitali i Elbasanit se na iku”, mësohet t’i ketë thënë infermierja shoferit.
Ambulanca është drejtuar drejt spitalit të Elbasanit, ndërsa motra e viktimës pretendon se 37-vjeçarja ka mbërritur pa shenja jete.
Pas konstatimit të vdekjes, trupi i 37-vjeçares është dërguar për autopsi në morgun e Tiranës. Ndërkohë, motra e Marjanës është paraqitur në Komisariatin Nr. 4, ku ka bërë kallëzim për rrethanat e ngjarjes.
Familjarët kërkojnë që të zbardhet i gjithë itinerari mjekësor i 37-vjeçares, nga momenti i paraqitjes në maternitetin e Pogradecit, trajtimi i marrë aty, koha e nisjes drejt Tiranës dhe gjendja e saj gjatë transportit.
Në qendër të hetimit pritet të jenë edhe pretendimet për vonesat, mundësia e transportit me helikopter, gjendja e pacientes në momentin e nisjes dhe ndërhyrjet e kryera gjatë rrugës.
Për momentin, këto janë të dhëna dhe pretendime të familjarëve dhe informacione paraprake. Shkaqet e sakta të vdekjes pritet të përcaktohen nga autopsia, ndërsa përgjegjësia eventuale e personelit mjekësor apo e strukturave shëndetësore do të duhet të vlerësohet nga hetimet e autoriteteve.
Marjana Karolina Bunaj ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe, sipas familjarëve, priste të sillte në jetë fëmijën e saj të parë. Vetëm pak ditë përpara tragjedisë, bashkëshorti i saj ishte larguar drejt SHBA-ve, në pritje të bashkimit familjar.











Nga kushe do behen hetimet,nga te vdekurit,cfare funksionon ne vendin tone,pervec rrenave mashtrimeve vjedhjeve.Helikopteri eshte per vakabondat e k/hajdutit,e per vakabondat e plakut komunist barebare qe eshte monstra e vicidolit,Ky eshte krim,te shohim brockullat qe do dalin nga hetimi,per vdekjen nenes bashke me foshnjen.Kta fajtore duhet pa tjeter,te shkojne ny burge.