Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) Shkodër gjatë kontrollit zyrtar në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, bllokoi 385 kg produkte ushqimore të cilësuara si ndihma humanitare, me origjinë nga Mali i Zi dhe me destinacion Durrësin, pasi në momentin e hyrjes në vendin tonë, këtyre produkteve u kishte mbetur afat përdorimi më pak se gjysma e jetëgjatësisë.
AKU bën të ditur se, inspektorët e kontrollit konstatuan se produktet: çaj “SOLA” me afat përdorimi datë 04.03.2020, Lëng Frutash me afat përdorimi datë 29.02.2020, Kornfleksa “Bebivita” me afat përdorimi datë 26.02.2020, rezultuan në kundërshtim me Urdhrin e Ministrit Nr. 250 datë 29.07.2011 Pikat 1 dhe 2 “Mbi disa masa për hyrjen në territorin e Republikës së Shqipërisë të produkteve ushqimore”, pasi në momentin e hyrjes në territorin e Shqipërisë produkteve u kishte mbetur më pak se gjysma e jetëgjatësisë së tyre (Afatit të përdorimit) të deklaruar në etiketë.
Për rrjedhojë këto produkte ushqimore do të kthehen në vendin e origjinës, në Mal të Zi, me dakordësi edhe të subjektit importues, njofton AKU.
/a.r