Analisti i njohur shqiptar, Kim Mehmeti, njëkohësisht drejtues i zyrës së “Top Channel” në Shkup, në një bisedë në emisionin “E diell në Top Channel” analizon të gjithë ngjarjen e dy javëve më parë që ndodhi në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, ku u vranë 22 vetë, u plagosën 39 të tjerë dhe ku qindra familje pësuan dëme materiale. Në analizën e tij, Mehmeti e cilësoi ngjarjen në Kumanovë si turp të të gjithë shqiptarisë, pasi kjo është një ngjarje që mund t’i ndodhë vetëm një populli që nuk ka shtet amë. “Është turpi i shqiptarisë komplet! S’e shihni, do ta them dhe njëherë publikisht, ne shqiptarët nuk mund të na ndodhë ajo që ta fillojmë luftën, ta përfundojmë dhe më pas të ulemi të bisedojmë pse kemi luftuar. Se kemi dy shtete, është e turpshme kjo! Kjo mund t’i ndodhë një populli që nuk ka shtet amë, nuk ka akademi, nuk ka polici sekrete, nuk merret me atë punë. Po kjo nuk mund t’i ndodhë një populli që ka dy shtete aq më shumë”, u shpreh Mehmeti. Duke iu referuar një shkrimi të publikuar pak ditë më parë në gazetën “Shqip”, Mehmeti mbështet idenë se shqiptarët që mbetën të vrarë në atë që ai e cilëson si “luftën njëditëshe”, mund të jenë tradhtuar nga vetë shqiptarët, të cilët i ftuan ata në Maqedoni. “Pse është nata e tradhtisë së madhe?! Ata djem nga Kosova nuk kanë ardhur të paftuar dhe ata nuk kanë mundur të vinë me ftesë të maqedonasit! Logjikisht, unë nuk kam asnjë argument për këtë, po logjikisht ftuesi, mikpritësi ka qenë shqiptar, tani shtohet pyetja, kush i tradhtoi? Nuk mund të jetë tradhtari maqedonas. E tani ku janë këto shtetet amë që të zbulojnë këto gjëra?! Lëre në fund të fundit kur janë ata politikanë, burrë shtetas, këta injorantët, këta banditët që vinë këtu dhe fotografohen me Edi Ramën dhe na e sjellin në atë fotografi, kur ne e dimë se kush takohet me Edi Ramën se kush e ka legjitimitetin e shqiptarit shumë besnik dhe shumë të vyeshëm. Dhe këtë ndonjëherë ne e keqpërdorim shumë mirë atje. Dhe të kthehem te nata e tradhtisë së madhe, ajo ishte nata e tradhtisë së madhe dhe do mbetet nata e tradhtisë së madhe, ajo e dëshmon atë mosefikasitetin e shqiptarisë e Shqipërive tona. Ajo nuk mund t’i ndodhë një populli që ka shtete me të gjitha nishanet që quhen shtete”, shprehet Mehmeti. Por përtej alibisë së tradhtisë, analisti i njohur kritikon edhe qeveritë e shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës.
Marrë nga “Shqip”









