Pas përplasjeve dhe replikave të shumta me deputetët e mazhorancës, Këshilltari për Mbrojtjen i Presidentit Bujar Nishani, Piro Ahmetaj, ka dhënë dorëheqjen. Presidenti Nishani ka firmosur lirimin e tij nga detyra, ndërsa vetë Ahmetaj është shprehur se është kthyer ligji i agjitacionit.
“Duke marrë përgjegjësinë e ngarkesës që ka krijuar për Ju dhe institucionin e Presidentit të Republikës një ‘pakujdesi teknologjike e pafalshme’ e postuar në adresën private në Facebook, ditën e diel, dt.6.09.2015; devijimin e qëllimshëm për hakmarrje personale dhe devijimin e orkestruar nga kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe Ekzekutivi (MM) mbi shqetësimet profesionale që trajtohen në këtë status, si dhe mbështetur në përgjegjshmërinë për standarde perëndimore dhe integritetin zyrtar që përfaqëson ky funksion, ju paraqes dorëheqjen zyrtare për lirimin nga detyra dhe daljen në rezervë”, thuhet në kërkesën e Ahmetajt drejtuar Nishanit.
Ahmetaj u përfshi në një replikë të ashpër me deputetët e mazhorancës në Komisionin e Sigurisë, që vazhdoi për disa ditë. Ai i akuzoi ata se kanë qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, ndërsa disa të tjerë se janë kriminelë, trafikantë e perversë.









