Si përfaqësuese e vendeve nga grupi i Europës Lindore, Shqipëria sapo ka marrë rolin e vendit anëtar jo të përhershëm në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku vendi ynë bën pjesë që nga dhjetori i vitit 1955, me përfaqësues në Asamblenë e Përgjithshme.
Zgjedhja si vend anëtar u realizuar përmes konsensusit të të gjithë anëtarëve të grupit të Europës Lindore, gjë që u arrit jo vetëm me dakortësinë e shteteve të tjera të grupit, por edhe përmes meritave, pas një lobimi të gjatë dhe arritjesh të njëpasnjëshme të vendit tonë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Veprimtaria e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara ka prioritet paqen dhe sigurinë ndërkombëtare e në funksion të këtij prioriteti ka të drejtën të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara dhe të aprovojë sanksione dhe tashmë ky rol bëhet një sprovë e re për aftësitë e vendit në trajtimin e këtyre vendimeve dhe një arsye më shumë për t’u krenuar për arritjet e vendit tonë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Vitet e fundit Shqipëria ka mbështetur aktivisht përpjekjet e OKB-së për ruajtjen e paqes duke marrë pjesë në operacionet paqeruajtëse të OKB-së duke kontribuar me trupa, vëzhguesit ushtarakë dhe policore si dhe duke kontribuar fondet në buxhetin e operacioneve të paqes. Shqipëria ka qënë edhe anëtare e zgjedhur në Këshillin Ekonomik dhe Social për dy mandate në periudha të ndryshme dhe ka dhenë kontributin e saj në cilësinë e Zëvendës Presidentit të këtij Këshilli.
Nga ana tjetër, vendi ynë ka fituar gjithmonë e më shumë besueshmëri në arenën ndërkombëtare, jo vetëm sa i përket politikës së jashtme dhe diplomacisë, por edhe përmes qëndrimeve që ka mbajtur për çështje globale, bashkëpunimeve multilaterale, por edhe përmes kontributit që ka dhënë në drejtimin e OSBE vitin e shkuar, apo përmes misioneve të shumta të paqes me NATO-n dhe BE-në. Teksa sytë e të gjithë botës do të jenë drejtuar tek Shqipëria për të marrë vendime nga më të rëndësishmet në atë tryezë, ky mandate do të jetë një mundësi të re, që përkrah përballimit me sukses të një sfide të radhës në fushën e punëve të jashtme, vendi ynë të krijojë edhe raporte e bashkëpunime më të ngushta me vendet më të fuqishme të botës.