Këshilli Bashkiak miratoi Planin e Përgjithshëm Vendor “TR030” dhe Buxhetin e vitit 2017, i cili do të jetë më i madhi i këtyre viteve. Të dy këto dokumente kanë marrë votat e shumicës në Këshillin Bashkiak. Në prezantimin e Planit të Përgjithshëm Vendor para Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ky dokument projekton Tiranën e së ardhmes si një hapësirë europiane.
“Deri më sot Planet Urbanistike janë parë, me të drejtë, si plane zhvillimi, që përcaktojnë njolla e intensitete ndërtimi. Por kjo nuk ka lidhje me dokumentin që kemi sjellë sot përpara Këshillit. Sigurisht, që edhe ky Plan adreson çështjen e ndërtimit, por kjo është veç njëra nga tematikat e trajtuara aty dhe jo më e rëndësishmja. Sepse mbi të gjitha, ky dokument është një inventar i të gjithë problemeve, potencialeve, aseteve të Tiranës dhe i rrugëve sesi këto mund të adresohen apo të shfrytëzohen në të mirë të qytetit”, tha ai. Kryebashkiaku deklaroi se procesi i hartimit të këtij plani ka vendosur një standard të ri transparence dhe përfshirje të komunitetit.
“Plani synon t’i japë Tiranës një identitet të ri urbanistik. Nuk është një plan i ngrirë, mekanik, i bukur në letër dhe i pazbatueshëm në praktikë, por një dokument që e trajton hapësirën e Tiranës së madhe si një organizëm fleksibël dhe pragmatik sepse fokusohet tek zgjidhjet praktike në të mirë të qytetarëve dhe jo tek vizatimet e bukura në hartë”, shtoi Veliaj. Ai evidentoi se plani i ri ka 5 shtylla kryesore: Së pari, plani e trajton densitetin e qytetit në funksion të rritjes së efikasitetit të infrastrukturës, diversitetit të shërbimeve dhe ndryshimit të qasjes ndaj lëvizshmërisë; Së dyti, ndryshimi i qasjes ndaj mobilitetit dhe lëvizshmërisë së njerëzve dhe mallrave në qytet; Së treti, rizhvillimi dhe rigjenerimi i qytetit; Së katërti, ruajtja e territorit bujqësor dhe natyror dhe Pylli Orbital si një kufi i ndërtimit pa kriter dhe së pesti, zhvillimi ekonomik, turistik dhe bujqësor i periferisë.
Veliaj u shpreh se sipas këtij plani parashikohet një Tiranë policentrike e cila synon të zgjidhë pikërisht problematikat e hasura në gjithë këto vite. “Duke investuar në ndërtimin e poleve të tjera urbane, qyteteve brenda qytetit, jo vetëm që stimulohet një zhvillim më i njëtrajtshëm ekonomik e social i të gjithë hapësirës urbane të Tiranës, por përfiton edhe vetë qendra ekzistuese e qytetit për të cilën këto pole alternative do të shërbejnë si valvula përmes të cilave mund të shkarkohet presioni tanimë i papërballueshëm që ushtrohet në situatën aktuale”, u shpreh ai. Kreu i Bashkisë tha se përveç qendrës ekzistuese, strategjia dhe vizioni për Tiranën e vitit 2030 parashikon edhe 6 qendra të tjera urbane të cilat do të funksionojnë si pole alternative e autonome shërbimesh e ekonomike.
“Plani parashikon ndërtimin e 17 shkollave të reja publike në Tiranë të cilat do të kenë një shpërndarje proporcionale në qytet mes qendrës dhe periferisë, por që në shumicën e rasteve do t’u mbivendosen poliqendrave të Tiranës. Këto shkolla do të jenë modele në aspektin arkitekturor, por do të kenë një funksion të dyfishtë pasi do të jenë edhe në shërbim të komunitetit apo edhe të Bashkisë, pasi këto mund të jenë shumë mirë vendet ku zhvillohen për shembull mbledhjet e administratorëve me komunitetin e kështu me radhë”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë garantoi se Plani i Përgjithshëm bazohet në idenë e ruajtjes së godinave historike, pasi kjo është e domosdoshme për të kuptuar historinë e Shqipërisë dhe Tiranës.
Kryetari i këshilltarëve të LSI-së, Shezai Rrokaj vlerësoi si serioze punën e kryer në hartimin e këtij plani, ndërsa theksoi se u vlen qytetarëve të Tiranës në zhvillimin e këtij metropoli. Këshilltari Rrokaj falenderoi Bashkinë e Tiranës për punën e bërë për këtë projekt. “Mendoj se puna e bërë nga ekipi i bashkisë ka qenë një punë serioze e cila ka synuar t’u japë disa përgjigje. Mund të them se sot, plani urbanistik i Tiranës i Tiranës, shumë i rëndësishëm për perspektivën e saj është vënë në qendër të preokupimit të Këshillit Bashkiak që e ka për detyrë të japë vlerësimin e tij, por edhe të ketë sensibilizimin e duhur në ata që do të jenë përfituesit e këtij plani. Në këto kushte, grupi ynë e mbështet këtë plan urbanistik dhe do ta votojë pro”, theksoi Rrokaj. Ndërsa kryetarja e Këshilltarëve socialiste, Klotilda Ferhati e vlerësoi maksimalisht Planin e paraqitur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, duke theksuar se i hapet rrugë zhvillimit të mëtejshëm të kryeqytetit. Duke e cilësuar procedurën e ndjekur plotësisht ligjore, Ferhati tha se ky plan do të ndikojë pozitivisht në mirëqenien e qytetarëve.
“Në aspektin ligjor, është vërtetuar qartësisht sot që çdo pjesë që i takon hartimit të planit është ndjekur me rigorozitet nga Bashkia e Tiranës. Këshilltarët e PS, por besoj edhe ata të LSI, janë krenarë dhe me kokën lart për një punë të bërë me kaq profesionalizëm nga stafi i Bashkisë së Tiranës. Në aspektin teknik kemi një organ të specializuar në Shqipëri, i cili është Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit që ka vlerësuar projektin e paraqitur për shqyrtim në përputhje me të gjitha rregullat teknike të ndërtimit që janë sot në fuqi. Sa i takon vlerësimit politik, ne jemi forcë e majtë. Kemi në interesin tonë mirëqenien e qytetarit dhe ky plan ka në qendër të tij përmirësimin e jetës së qytetarëve nëpërmjet zhvillimit të integruar të territorit duke marrë në konsideratë të gjitha ato potenciale zhvillimi që ka ky territor”, theksoi Ferhati.
Plani i Përgjithshëm Vendor parashikon në total 13 Projekte strategjike që përbëjnë dhe komponentin strukturor të Planit. Më konkretisht parashikohet: Projekti i Pyllit Orbital; Projekti i Oazëve natyrorë; Unaza e 2 dhe e 4; Projekti i Parkut Botëror; Unazat e gjelbra dhe blu; Epiqendrat e Tiranës policentrike; Shkollat e hapura; Ruajtja e pasurise arkitektonike të shekullit XX.; Sistem i ri bujqësor dhe rrjet i ri i tregjeve për fermerët; Transporti me cilësi të lartë; Rrjeti i korsive dhe mobiliteti; Tirana për të gjithë, qytet i aksesueshëm dhe Plani parashikon edhe një investim në energjinë e rinovueshme në të ardhmen.
Më pas Këshilli diskutoi dhe miratoi Buxhetin e vitit 2017. Në prezantimin e tij para Këshillit, Veliaj theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm është më ambiciozi, pasi për herë të parë Tirana do të ketë një buxhet prej 15, 3 miliardë lekë, ndërsa theksoi se ai mbështet më shumë investime, ndërsa nuk sjellë asnjë rritje taksash dhe tarifash për qytetarët.
“Buxheti i vitit të ardhshëm është shumë më ambicioz sesa viti që po lëmë pas. Për herë të parë Tirana do të ketë një buxhet prej 15, 3 miliardë lekë. Në ndryshim nga viti 2014, ku u parashikuan 69 milionë dollarë të ardhura dhe u mblodhën vetëm 46 milionë, apo viti 2015 ku u parashikuan 74 dhe u mblodhën vetëm 40 milionë dollare, pasi realizuam në 2016 buxhetin më të madh që ka pasur Tirana prej 12.4 miliard lekësh, vitin e ardhshëm ne do të kemi një buxhet prej 15, 3 miliardë lekë”, tha ai. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se vitin e ardhshëm nuk do të ndryshojë asnjë taksë, duke ruajtur ato të vitit 2016. “E vetmja gjë që do të ndryshojë vitin e ardhshëm do të jenë procedurat të cilat nga 1 janari do të thjeshtohen e standartizohen, duke përgjysmuar dokumentacionin që i kërkohet biznesit dhe duke shkurtuar kohën në shërbim të biznesit”, tha ai. Kreu i Bashkisë tha se për vitin 2017 do të synohet realizimi i një sërë ndërhyrjesh e projektesh të mëdha që do ta përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës në Tiranë.
“Në terma konkretë, 39% e këtij buxheti do të shkojë për investime publike, 32% për shpenzime operacionale dhe 29% për shpenzime administrative. Krahasuar me vitin 2014 apo 2015, buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë thuajse 2 herë më i lartë. Ndërsa në krahasim me vitin 2016, buxheti i 2017 do të jetë 24% më i lartë”, tha ai. Një vëmendje të veçantë do t’i kushtohet edhe strehimit, zhvillimit ekonomik dhe të rinjve, ndërsa do të vijojnë edhe investimet publike. “Strehimi do të zërë 4% të shpenzimeve buxhetore, 2.9% Programi i Rendit dhe Mbrojtjes, ndërsa 2% do të zërë programi i Kujdesit Social. Nga 1% të buxhetit do të përbëjnë rinia e sporti, zhvillimi ekonomik si dhe mbrojtja nga zjarri. Në vitin 2017, ne do të investojmë 6 miliardë lekë, ndërkohë që në 2014 investimet publike ishin 1,6 miliardë lekë, në 2015 1,7 miliardë lekë, ndërsa në 2016, 3 miliardë lekë”, tha Veliaj. Kryetari i Bashkisë garantoi se gjatë vitit 2017 do të investohen plot 2,4 miliard lekë, duke shënuar një rritje të investimeve për rrugët dhe për transportin publik me 268% krahasuar me 2014, 296% me 2015 e madje 134% me 2016.
“Gjatë vitit 2017 do të riparohen 48,000 m2 të infrastrukturës ekzistuese. Përveç investimeve në rrugica e blloqe banimi, do të riparohen rreth 24,000 m2 trotuare. Duke i dhënë përparësi sigurisë në rrugë, në projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës parashikohet që gjatë vitit 2017 do të synohet rikualifikimi tërësor i gjithë infrastrukturës horizontale dhe vertikale. Gjithashtu, do të pajisen me sinjalistikën e nevojshme korsitë e autobusëve urbanë në unazën e mesme dhe unazën e vogël, si edhe në disa prej rrugëve që lidhen me to. Përgjatë këtyre dy unazave dhe në rrugët që lidhin ato do të krijohen korsitë e biçikletave e do të pajisen me sinjalistikën përkatëse”, bëri të ditur Veliaj. Kreu i Bashkisë garantoi se vëmendja do të jetë edhe tek shërbimet publike vendore, ku përfshihen pastrimi, gjelbërimi, ndiçimi, etj. Gjatë vitit 2017, përparësi do t’i jepet edhe gjelbërimit dhe hapësirave çlodhëse. Kësisoj, është planifikuar mbjellja e pemëve dhe bimësisë dekorative, si edhe pajisja me kosha mbeturinash dhe stola, në 33 rrugë, 13 blloqe banimi dhe 15 lulishte.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe krijimit të këndeve sportive të reja apo rehabilitimit të atyre ekzistuese. Gjithashtu, përsa i përket sportit, do të zbatohet edhe një projekt për të krijuar klasat sportive në çdo shkollë të Tiranës. Gjatë vitit 2017 parashikohet edhe ndërtimi i 17 shkollave të reja përmes ngritjes së një skeme të partneritetit publik privat. Vëmendje maksimale do t’i kushtohet ngrohjes në objektet arsimore, ku është parashikuar rehabilitimi i infrastrukturës dhe vendosja në efiçencë të plotë i ngrohjes në 208 shkolla 9-vjeçare e të mesme dhe 69 kopshte në të 24 njësitë bashkiake që përbëjnë Tiranën.
Gjithashtu, gjatë mbledhjes së sotme Këshilli Bashkiak miratoi edhe vendimin për “Miratimin e listës së pjesshme të inventarit të pasurive çerdhe, kopshte, shkolla, biblioteka dhe kinema, që janë në juridiksionin territorial dhe administrativ të Bashkisë Tiranë dhe kërkesës për transferimin përfundimtar”; vendim për “Përcaktimin e vendndodhjes së terminalit jug- lindor të autobusëve në Bashkinë e Tiranës”; vendim për “Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.130, datë 28.04.1994 mbi “Riorganizimin e Ndërmarrjes së Dekor- Funeralit” dhe bashkëpunimi midis Bashkisë Tiranë me Ndërmarrjen e Dekorit”; vendim për “Likuidimin e Ndërmarrjes së Shërbimeve Funerale dhe krijimin e Agjencisë së Shërbimeve Funerale”. Këshilli Bashkiak miratoi edhe vendimin për “Përcaktimin e nivelit të pagave dhe numrit të punonjësve të Drejtorisë së Konvikteve të Shkollave, institucion në varësi të Bashkisë së Tiranës” si dhe vendimin për “Trajtimin me Bonus Strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”.
ma.me