Ish kreu i shtetit, Bamir Topi ka folur për takimin që ka pasur sot me presidentin e ri të zgjedhur të vendit, Bajram Begaj.
“Unë e kam njohur në cilësi tjetër, njeri komunikues. Sot pashë një predispozicion e premisë që figura e tij në krye të shtetit besoj do jetë një figurë e përfaqësim dinjitoz.
Ky është parashikimi im që nuk ndikohet nga kontakti i radhës por nga eksperienca shoh një njeri që do dijë ta ruajë personalitetin personal dhe të institucionit”, u shpreh Topi në “News24”.
Topi tha se në takimin e zhvilluar këtë të enjte me Presidentin e zgjedhur Begaj, nuk u dhanë këshilla.
“Unë personalisht nuk u futa me këtë lloj predispozicion, këshillat nuk jepen aty ku nuk kërkohen, por jam i gatshëm në cdo kohë që të respektoj atë lloj institucioni ku kam shërbyer për 5 vite, kjo kuptohet dhe marrëdhënie mjaft e mirë që kam me Moisiun dhe Mejdanin, kemi kohezion.
Sot e në vijim i takon zotit Begaj të jetë koordinator i kësaj marrëdhënieve në funksion të detyrave të tij. Ne jemi të gatshëm ta suportojmë nga jashtë punën e rëndësishme e jo të lehtë të kreut të shtetit”.
A do arrijë zoti Begaj të jetë mbi palët?
Bamir Topi: Vetë zoti Begaj në fjalët e para pas zgjedhjes e ka orientuar gjykimin mbi të tek puna e tij, punë e cila ka filluar por ende jashtë institucionit.
Performanca e tij do tregojë por unë personalisht jam i bindur që dhe dy miqtë e mi ish presidentët Moisiu dhe Mejdani ndajnë të njëjtën konsideratë për predispozicionin e Begajt të jetë një figurë serioze.
Janë ngjarjet që prodhon vendi pafund që do na tregojnë rast pas rasti. Por ne kemi një paragjykim pozitiv.
g.kosovari