Nëse e keni kaluar një ditë të bukur në plazh dhe tani jeni duke kërkuar për mënyrat e ripërtëritjes së flokëve tuaj, atëherë nuk keni pse të kërkoni më gjatë, pasi që ne më poshtë i kemi renditur mënyrat më të lehta për ripërtëritjen e flokëve që janë dëmtuar nga uji i njelmët apo edhe rrezet e forta të diellit.
1. Balsami për flokë
Trajtimi i flokëve me balsam është mënyra më e mirë për ripërtëritjen e flokëve. Edhe nëse e keni kaluar një ditë të tërë duke notuar në detin e njelmët, do të shihni që pasi t’i trajtoni flokët me balsam ato do të zbuten dhe do të ripërtërihen.
2. Shampo e tharë
Nëse flokët tuaj duken shumë të brishtë pas një dite në plazh, përdorni pak shampo të tharë dhe do të bindeni për efektin e tij mbresëlënës. Përveçqë kthen formën e humbur të flokëve, shampo e tharë ua shton edhe volumin flokëve tuaj.
3. Vaji i kokosit
Nëse keni flokë të trashë, atëherë produkti që ju duhet ta përdorni për rigjenerim të flokëve është vaji i kokosit. Përveçqë mund të aplikohet pas ditës në plazh, vaji i kokosit mund të vendoset në flokë edhe para se të shkoni në plazh, pasi që do të sigurojë mbrojtje për flokët tuaj.
4. Parapërgatitja
Nëse jeni të shqetësuar për mirëqenien e flokëve tuaj, atëherë më së miri është nëse kujdeseni për to para se të shkaktohet problemi. Varësisht se a do të shkoni në deti apo në pishinë, është e udhës të përzgjidhen preparatet, të cilat mbrojnë flokët nga kripa e detit apo nga klori i pishinës.
5. Ofroni ‘pushim’ flokëve tuaj!
Është shumë e rëndësishme që flokët të lihen për të pushuar, pasi të keni kaluar një ditë në plazh. Mos u ngutni për t’i trajtuar flokët tuaj me hekur për drejtim apo produkte të rënda, pasi që, ashtu siç jeni lodhur ju nga noti e rrezet e diellit, edhe flokët tuaj janë ‘lodhur’ nga kripa e detit.
6. Provojeni maskën për zbutje!
Nëse flokët tuaj janë më të vërtetë në një gjendje shumë të rëndë, atëherë duhet t’i nxirrni ‘armët e artilerisë së rëndë’. Pasi të jeni kthyer në shtëpi nga plazhi, mbështilleni kokën me maskë për zbutje të flokëve dhe të nesërmen do të shihni që flokët tuaj janë edhe më të butë sesa që kanë qenë para se të shkoni në plazh.