Nga Etleva Bragjeçi
Të paguash për të të rrahur! Kjo ishte ajo çfarë pamë dje në protestën e qytetarëve në parkun e liqenit, ku dikush që kërkon të marrë frymë, merr si këmbim një shpullë! Protesta është e drejtë themelore e çdo individi dhe nuk mundet t’ua mbyllësh gojën qytetarëve me shpulla, grushte, shqelma apo kapje prej flokësh. Është e papranueshme teksa qytetarët protestojnë për të drejtat e tyre dhe rrihen nga efektivët e policisë, të cilët paguhen me taksat tona! Sado provokuese të ketë qenë ajo zonjë në atë protestë, apsolutisht nuk mund të trajtohej në atë mënyrë. Çdo turmë protestuesish mund të dalë jashtë kontrollit në një moment të caktuar, dhe detyra e policisë është që ta mbajë nën kontroll situatën, ta mirëmenaxhojë dhe jo të degradojë në atë farë feje! Si qytetare më erdhi keq teksa pashë që policia, e cila presupozohet të na sigurojë rendin dhe jetën, na rreh pikërisht mu përpara të gjithëve; Si femër ndjeva akoma më tepër keqardhje që një zonjë të gjuhet me shpullë e të kapet prej flokësh. E përse? Sepse po proteston që të mos i hiqet ajo pjesë e vogël e gjelbëruar që i ka mbetur Tiranës. Turp!
Nëse një pjesë këmbëngul që atë protestë ta kthejnë dhe ta përdorin për qëllimet e veta, qoftë për të thënë që ajo protestë është e nisur nga opozita, apo kjo e fundit së bashku me ndonjë degë të thatë të saj siç mund të jetë AK tenton ta përdorë si kauzë të saj, e kanë gabim. Opozita le ta gjejë tjetërkund kauzën e saj, pasi ajo është kauza e qytetarëve të thjeshtë, që nuk kanë asnjë lidhje partiake, e aq më tepër me PD. Një pjesë të mirë të atyre që protestuan dje i njoh personalisht, e njoh Arditin, e njoh Eraldin, e njoh profesor Ervinin, e shumë të tjerë me radhë, të cilët s’kanë kurrfarë lidhjeje me të qenit militant i ndonjë partie politike, e jo më të përdoren nga opozita për një çështje të tillë. Zonjën e dhunuar nuk e njoh personalisht, por nga informacionet e dhëna nga media rezultonte që ajo zonjë ka qenë edhe në protestën e 21 janarit 2011, edhe në protestën për pronën në vitin 2014 dhe ishte edhe dje në protestë për parkun. Logjika të çon që ajo zonjë nuk është një militante partiake, por proteston edhe për kauza qytetare, siç është ajo e mbrojtjes së parkut të liqenit. Ai grup qytetarësh, me përjashtim të 2-3 personave që mund të ishin partiakë dhe që qytetarët u distancuan prej tyre që pa nisur mirë protesta, janë të njëjtët që protestuan edhe për ndërtimin e 17-katëshit që u nis të bëhej tek diga e Liqenit Artificial, janë po të njëjtët që kanë protestuar edhe për kauza të tjera në të mirë të qytetit. Flas për qytetarët që protestojnë se ai park vërtetë u dhemb dhe jo për militantët e opozitës apo njerëzit e politikës që protestuan sot. Jo, po flas për ata të djeshmit dhe të shumë herëve të tjera që i kam parë të mbrojnë kauza për qytetarët dhe qytetin ku jetojnë.
Po do të bëjmë pyetjen nëse është apo jo një protestë e drejtë, do të përgjigjem po me pyetje. Po citoj disa prej pyetjeve që një prej aktivistëve të shoqërisë civile, i cili ishte në protestë dhe madje edhe u dhunua dhe u shoqërua në polici, i bënte në një debat publik në rrjetet sociale dikujt që fliste si militant partie:
E para, pse qytetarët nuk u informuan për projektin, por një ditë të bukur u gjendën përballë faktit të kryer që aty do të ndërtohej dhe e panë hapësirën të rrethuar dhe pemët e prera?
E dyta, pse parku nuk bëhet poshtë digës së liqenit?
E treta, përse nuk pati dëgjesa publike?
Mbase mundet edhe që ata qytetarë ta kenë gabim, por pse nuk u informuan ata në mënyrë që të mos krijohej e gjithë kjo situatë. Bindni qytetarët me të dhëna e argumente dhe jo me dhunë.
Këtyre pyetjeve, po u shtoj edhe unë një dorë tjetër: Përse një park i tillë nuk ndërtohet tek Parku Rinia ku do të priteshin më pak pemë dhe ku është shumë më afër për qytetarët?; Përse një park i tillë të mos bëhet aty ku ka beton dhe ky beton të kthehet në gjelbërim dhe kënd lojërash për fëmijët?; Përse u dashka me ndërhyrë pikërisht në të vetmen hapësirë të gjelbërt të Tiranës, pak vende të tjera ka në Tiranë ku mund të ndërtohen parqe të tilla?
Askush nuk është kundër ndërtimit të parqeve, të gjithë jemi pro që të ndërtohen sa më shumë të tillë, por të ndërtohen atje ku nuk prishin por ndreqin, atje ku nuk priten pemë por mbillen të tilla, atje ku qytetarët janë dakord dhe jo atje ku qytetarët dhunohen për ta mbrojtur të vetmen mushkëri që i ka mbetur Tiranës.
Më erdhi vërtetë keq teksa lexoja një të ri partiak, që duke dashur të gjente argumente për të mbrojtur ndërtimin e parkut brenda parkut thoshte: Po ç’të keqe ka edhe sikur nga parku të ketë biznese fitimi?!
Po pse, pak biznese fitimi ka Tirana? Pse të mos mendojmë njëherë të vetme për frymën që marrim çdo ditë, se po na e hoqën atë nuk na duhen as bizneset më pas!
Për atë djalin e ri që mendon në mënyrë të tillë dhe për të gjithë të rinjtë e tjerë që mendojnë si ai, do t’u thoja: Jo doemos duhet me gjetur argumente edhe atje ku nuk ka për të qenë pro linjës së partisë. Të jesh në opozitë me problemin, në Shqipëri është si të jesh në pozitë me opozitën dhe në opozitë me qeverinë!