Kreu i Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu nuk i ka aspak mirë punët me drejtësinë. Këtë radhë është Gjykata e cila nuk i ka dhënë një dënim të dytë por ka rrëuar pretendimin dhe kallëzimin e bërë nga Bashkia Kamzë për një firmë ndërtimi.
Bëhet fjalë për firmën e ndërtimit “Gjoka”, e cila u kallëzua nga Xhelal Mziu, si hakmarrje ndaj kallëzimit që kompania i bëri kryebashkiakut për akuzën e abuzimit me detyrën.
Prokuroria dhe gjykata kanë argumentuar se kreu i Bashkisë së Kamzës kishte denoncuar në prokurori firmën “Gjoka”, për falsifikim dokumentesh. Kallëzimi kishte ardhur si “kundërpërgjigje” ndaj kësaj firme, e cila e kishte denoncuar për shkelje të barazisë në tenderë, çështje që u hetua dhe u gjykua, ku në fund Gjykata e Tiranës e dënoi Mziun me dy vite heqje lirie.
Por në përfundim të verifikimeve të dokumenteve dhe procedurave të aplikimeve për tender nga firma “Gjoka”, organi i prokurorisë ka arritur në përfundimin se formularët e sigurimit të ofertës nuk përmbajnë të dhëna të rreme. Kjo pasi formulari i aplikimit është i vlefshëm jo vetëm nga pikëpamja formale, por edhe nga pikëpamja substanciale, pasi shoqëria siguruese merr përsipër të gjitha detyrimet që burojnë prej formularit. Prokurori ka vendosur mosfillimin e procedimit penal, pasi faktet nuk parashikohen nga ligji si vepër penale.









