Mbërritja e turmës së protestuesve përpara godinës së Kryeministrisë është shoqëruar me tensionime dhe incidente me pasoja fizike midis vetë pjesëmarrësve në tubim.
Një protestues, i cili qëndronte i vetëm përpara selisë së qeverisë që prej orëve të mëngjesit, ka bërë thirrje publike për dialog dhe ndalje të përplasjeve me autoritetet. Mirëpo, kjo kërkesë është pritur me reagim agresiv nga turma e mbërritur nga Ministria e Arsimit, anëtarë të së cilës e kanë goditur fizikisht atë.
I dëmtuari është tërhequr me forcë dhe është lënë i shtrirë në shkallët hyrëse të Kryeministrisë, teksa protestuesit e tjerë vijonin thirrjet kundër tij. Megjithëse ishte me vetëdije, i lënduari nuk ka mundur të ngrihet dot vetë dhe është transportuar më pas me ambulancë drejt spitalit për të marrë kujdes mjekësor.











