Pas më shumë se 3 orësh debat, Kuvendi ka rrëzuar kërkesat e opozitës për të futur në rendin e ditës mocionin me debat dhe interepelancën me kryeministrin Edi Rama për aferën e inceneratorëve pas kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-kryeministrit Arben Ahmetajt. Në argumentimin e mazhorancës, kërkesa e opozitës nuk është urgjente.
‘Nuk ka urgjencë, kjo quhet urgjencë false, do ta shohim. Urgjencë për qytetarët dhe për këtë kuvend nuk ka. Ky kuvend është marrë gjerë e gjatë me këtë çështje. Urgjenca vendosin hallet brenda jush. Do t’i kërkoja kolegëve të mi që ta rrëzojë kërkesën me urgjncën sepse janë të pambështetura në rregullin nr.1 të shtëpisë sonë. Mund të keni urgjencë ju, por jo ky Kuvend, ju mund të keni urgjencë prej datës 29 ose nuk e di, por jo ne!’- tha Toni Gogu, nënkryetar i grupit parlamentar të PS-së.
Në shenjë revolte, deputetët e Sali Berishës vijojnë që të mbajnë të bllokuar Foltoren e Kuvendit, ndërsa hedhin akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Vetë Rama nuk është i pranishëm në seancë.
Disa herë ka ndërhyrë garda duke hyrë brenda në seancë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast përshkallëzimi të situatës. Opozita kërkon që garda të largohet. Edhe ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali është dakord dhe i kërkoi të largohen.
“Garda të largohet, s”kemi frikë nga ata që kanë frikë nga vetja” tha Spiropali.
Ndërkohë Bardhi u shpreh “S’kemi ndërmend të sulmojmë askënd”
Kryetari i Grupit Parlamentar Gazmend Bardhi nga foltorja e Kuvendit tha se Rama po kërcënon socialistët me zgjedhje të parakohshme.
Ndërkohë paralajmëroi dhe se dy ministra të tjerë do të jenë së shpejti në burg për dosjen e inceneratorëve.
Ka dy ministra në burg po bëhen gati dhe dy ministra të tjerë ti bëjnë shoqëri dhe Rama të vijë të japë llogari. E kuptoj frikën. Ka ca kohë që kërcënon nëse ngrihet ndonjë zë do ju çoj në zgjedhje të parakohshme por frika juaj e frika e Edi Ramës nuk mund të jetë e këtij parlamenti.
Rendi i ditës parashikon raportimin e disa institucioneve për veprimtarinë e vitit të shkuar ndërsa do të kalojnë ligje që kanë hasur jo pak kundërshtime nga opozita, grupet e interesit dhe kritika edhe në radhët e vetë mazhorancës.
Gjithashtu është miratuar ndryshimi për rendin e ditës, pasi është futur në rend dite dhe projektligji për Akademinë e Shkencave. Sipas deputeti të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, votimi u bë në mungesë të kuorumit të nevojshëm. Nikolla tha se ndryshimi i rendit të ditës u bë me 69 vota pro.
/f.stafa