Shefi i Krimeve në Pogradec dhe ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Korçës janë kërcënuar me mesazhe telefonike. Sipas A1 Report ka dyshime që kërcënimet me jetën e tyre dhe të familjes të jenë bërë nga i njëjti numër celular.
“Të erdhi dita ty, do të hedhë në erë shtëpinë edhe familjen tënde, gjithçka” – është mesazhi kërcënues që ka mbërritur në telefonin personal të ish-zv.drejtorit të Policisë së Korcës Arben Hyseni.
Në shkurt të këtij viti Hyseni u përfshi në një incident, ku një shofer i dehur përplasi makinën e tij. Në videon amatore të publikuar në atë kohë, shfaqeshin vartësit e tij teksa dhunonin qytetarin Tomi Misha në sy të zv.drejtorit.
Ndërsa mesazhi kërcënues në telefonin e shefit të Krimeve të Rënda të Pogradecit Besnik Qejvani është: “Ke shkelur aty ku nuk duhet, të erdhi dita ty dhe atij sherifit tënd”.









