Keqpërdorimi i fundit i të rinjve nga liderët tanë politikë

Nga Alfred Peza/

Liderët politikë të opozitës në Shqipëri, përdorin një “strategji” të ngjashme me atë të përallës së njohur, kur personazhit iu kërkua që të numëronte gomerët të cilit në fund i dilte gjithmonë një magnut. Kur i numëronte i hipur edhe mbi samar, i dilte një më pak dhe vetëm kur zbriste me këmbët në tokë, i dilnin tamam. Dihet tashmë se përse: Nuk numëronte asnjëherë, gomarin ku kishte hipur vetë! Në rastin tonë, liderët politikë shqiptarë duke dashur që të deklarojnë gjëra që besojnë se kanë qejf të dëgjojnë shqiptarët prej tyre, harrojnë vetëm të llogarisin edhe veten e tyre si një nga shkaktarët kryesorë të problemeve që adresojnë për zgjidhje. I tillë është sëfundi, edhe ai i raportit të partive politike dhe liderëve tanë opozitarë, me të rinjtë.

Presidenti Ilir Meta tha se pas një takimi me përfaqësuesit e Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, “theksova domosdoshmërinë që rinia të jerë e bashkuar, të shkundet nga apatia dhe me guxim e kurajë të detyrojë çdo institucion “të shurdhët” të dëgjojë zërin e tyre. Do jem përherë në krah të tyre,- përfundoi ai,- për ta fituar me çdo mjet demokratik këtë luftë të përbashkët, që garanton të ardhmen europiane të Shqipërisë, sepse rrugë tjetër nuk mund të ketë.” Sigurisht që ka një rrugë tjetër, shumë më efikase për të zgjidhur disa nga problemet e të rinjve e për ti bërë ata, pjesë e vendimarrjes në pushtetin qëndror e lokal dhe ndërtimin e të ardhmes së përbashkët në Shqipëri. Një nga këto rrugë, është që liderët e vjetër politikë, që kanë plot 30 vjet në krye të punëve të këtij vendi, të largohen për ti hapur rrugën të resë.

Një prej atyre që mund ta hedhi këtë hap, ose të detyrohet me votë që ta bëjë këtë pas zgjedhjeve të ardhshme, është edhe Sali Berisha edhe Ilir Meta vetë. Ata kanë patur funksionet më të larta politike dhe qeverisëse në tri dekadat e fundit në këtë vend dhe janë përgjegjës më shumë se kushdo tjetër, për problematikat e bartura. E për rrjedhojë, janë kësisoj, edhe të parët që duhet të largohen për ti hapur rrugën progesit dhe integrimit të rinisë në drejtimin e jetës së vendit. Por Ilir Meta ka parasysh në deklaratat e tij, gjithkënd tjetër, përveç vetes së tij. Sepse ai vazhdon të mendojë se gjithkush tjetër është problemi, ndërsa ai vetë, shpëtimtari i vetëm. E mjafton të rendisësh disa fjalë të bukura, sa për të përkëdhelur egon e të rinjve, por ai e Sali Berisha le të vazhdojnë të na drejtojnë edhe për 30 vitet e ardhshme pas kësaj.

Në diskursin e tyre publik, politikanë si Ilir Meta kanë parasysh të gjithë rivalët, por në asnjë mënyrë veten e vet. Ndaj në vend që të ofrojë zgjidhje, siç pretendon me fjalë, në praktikë kjo lloj qasje e vështirëson akoma edhe më shumë zgjedhjen e problemit. Sepse elitat e postkomunizmit janë ndërruar dhe rifreskuar kudo në ish vendet e lindjes komuniste të Europës, përveçse në Shqipëri. Këtu janë të njëjtët që nga dhjetori 1990, që vazhdojnë edhe në këtë dhjetor, të thonë të njëjtin sllogan: E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Ndërkohë që nuk shohin tek vetja asnjë përgjegjësi, e jo më të japing llogari. E aq më pak, të hapin krahun për ata që kanë përballë, të cilëve u predikojnë të njëjtat gjëra prej tridhjetë dhjetorësh me radhë.

Kjo lloj qasje nuk është e para, është thjeshtë keqpërdorimi i fundit, që liderët tanë politikë po mundohen ti bëjnë të rinjve shqiptarë. E ta mendosh, se jo më larg se para ca ditësh paguan (siç tha ambasadorja e SHBA Yuri Kim) fëmijë, adoleshentë e të rinj për ti përdorur në luf tën e tyre politike përballë mazhorancës në pushtet. E çfarë ishte më e tmerrshmja, e bënë këtë, në emër të gjoja dhimbjes, për vde kjen tragjike të një 25 vjeçari në Laprakë. Keqpërdorimi që i është bërë të rinjve, nis nga sistemi i gabuar që krijojnë këta lloj liderësh, përmes promovimit pa meritë të disa prej tyre. Duke kërkuar të joshin përmes këtij “modeli” dhjetra, qindra e mijëra të tjerë, në fund kanë garantuar për ta zhgënjimin e sigurtë nga ëndrrat iluzive që u kanë shitur. Në këtë prag fushate elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021, me këtë gjuhë po flasin edhe Lulzim Basha e Monika Kryemadhi. Të rinjtë shqiptarë, si vërsnikët e tyre kudo në botë, kanë fituar vetëm kur kanë ndjekur instiktin e tyre, kauzat e tyre të drejta, jashtë ndikimit manipulative të liderëve të vjetër të politikës, të cilët janë vetë problemi dhe jo zgjidhja e tij.

Next Post

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com