Dëgjova sot Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD), i cili është autoriteti më i lartë dhe i vetëm për kontrollin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve pas reformës në drejtësi, që shqetësim kryesor kishte presionin që u bëhet gjyqtarëve dhe prokurorëve për vendimet e tyre.
Kjo është e vërtetë. Prokurorëve dhe gjyqtarëve në gjithë botën u bëhen kritika, madje dhe sulme, që nga presidenti i vendit deri te qytetari i thjeshtë për vendimet që marrin, por ato sulme nuk prekin as vendimet dhe as integritetin e tyre. Thjesht është një përballje me opinionin publik që kur tejkalohet, ka dhe ligje që veprojnë.
Për këtë ka përsëri gjykata dhe prokurorë që vihen në lëvizje, apo Parlamenti dhe Qeveria, nëse ka rrezik fizik.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk është i ngarkuar me këtë çështje, por me të kundërtën. Ai është institucioni që e ka detyrë me ligj të ushtrojë kontroll mbi prokurorinë dhe gjykatat për zbatimin e ligjit, me qëllim që ata të mos degradojnë në duar të gjyqeve popullore kur japin vendime skandaloze.
Të marrim për shembull rastin e një gjyqtareje skandaloze, Pajtime Fetahu, e cila ishte pjesë e një grupi kriminal në Elbasan dhe porosiste vrasje gazetarësh. Ishte aq kriminale sjellja e saj, saqë sjellja e bandës së vërtetë kriminale dukej njerëzore, duke e mashtruar atë se dogjën shtëpinë e gazetarit pa e prekur asnjë qime.
ILD e kishte “ndëshkuar” këtë Pajtimen duke i hequr një gjysmërroge të një muaji, që KLGJ pastaj e zvogëloi në 1/3, ndërkohë që Pajtimja me siguri akoma nuk e di sa e ka pasur rrogën dhe nuk e ka marrë kurrë. Nuk kishte çfarë i duhej, se paguhej nga një bandë.
Tani si i bie që nëse shoqatat e gazetarëve bëjnë protestë ndaj vendimeve të Pajtime Fetahut, ILD duhet të reagojë kundër gazetarëve se i bëjnë presion Pajtimes që kërkon të vritet gazetari? Se sot ajo është e lirë, edhe pse është pjesë e një grupi kriminal të rrezikshëm, kurse Erion Veliaj apo Ilir Meta janë në burg pa qenë pjesë e ndonjë grupi kriminal, por të dyshuar për shpenzime të grave të tyre, por ILD nuk i është mbushur mendja se ka shkelje të qëllimshme proceduriale për linçim, nga një ish-ndërhyrës për leje ndërtimi, në konflikt interesi me Bashkinë.
Po të kishte ILD të qartë detyrën e saj, natyrisht nuk do kishim këtë paradoks. Nuk është detyrë e ILD të ruajë Pajtimen dhe shoqet e saj nga presioni publik, por publikun nga pislleqet e saj apo të Olsi Dados me shokë. ILD ka detyrë kushtetuese të jetë element presioni mbi sistemin gjyqësor dhe atë të prokurorisë, dhe jo t’i mbrojë ata nga presionet. Rruga e vetme që t’i mbrojë ata nga presionet është t’i bëjë gjyqtarë të drejtë dhe prokurorë të drejtë.
Por kjo duket mision i pamundur nga një institucion që mirë që nuk vihet në lëvizje, por edhe kur vihet në lëvizje formalisht nuk i arsyeton veprimet.
Pashë sot këtë shkresën për prokuroren Gjeli të Shkodrës, që ka sulmuar Edi Rama për ndërtimet pa leje në Theth. Shkresën ja ka çuar Ministrisë së Drejtësisë sot në ditën e ndërrimit të ministrit, dhe nuk ka asnjë arsyetim ligjor përse i është mbushur mendja ILD-së që nuk ka arsye të niset hetim ndaj saj. Ndoshta nuk ka vërtet arsye, por duhet arsyetuar ligjërisht, duke analizuar faktet e inspektuara dhe ju referuar ligjeve dhe duke e konsultuar me praktika të tjera. Ashtu si e ka shkruar ILD komunikatën, duket sikur thotë: “nuk ma mbushi mendjen kërkesa e Ulziut”.
Nëse Gjykata e Lartë shikon këtë shkresë, atëherë ajo s’ka nevojë fare të mblidhet, të lexojë dosje, por mund të thotë si ILD: “nuk ma mbushi mendjen kjo dosje, nuk ka arsye ta gjykoj” dhe e kthen mbrapsht. Ose më tej, ajo kryetarja e KLP-së që shkon me qenin me vete në punë mund të thotë: “e pa dhe qeni im këtë dosjen, po nuk ju mbush mendja se nuk lehu kur e lexoi”.
Bastardim i tillë i standardit profesional të hetimit dhe gjykimit për një dosje nuk ka pasur kurrë në sistemin e drejtësisë. Edhe drejtësia e Enver Hoxhës ishte profesionale në padrejtësinë e saj. Kur vendoste të të dënonte, gjente ca dëshmitarë dhe prodhonte ca fakte që të dukej se kishte bërë punë. Nuk thoshte: “s’ma mbush mendjen ky armiku që është burrë i mirë, duhet pushkatuar”.
Duke qenë institucioni më i lartë kushtetues i sistemit të drejtësisë që kontrollon punën e gjithë sistemit, ILD duhet të ishte shembull jo vetëm i mbikëqyrjes së sistemit dhe ushtrimit të presionit mbi të, por shembull profesional dhe i hartimit të shkresave apo krijimit të standardeve të ndëshkimit për gjyqtarët dhe prokurorët.
Në fakt, është kthyer në model se si nuk duhet shkruar një raport apo shkresë zyrtare dhe si nuk duhet të jetë institucioni më i lartë i kontrollit të drejtësisë. Akoma më keq, ka dhe një keqkuptim publik për rolin e tij, sikur është gardian i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga populli dhe politika, dhe jo përçues i shqetësimeve të shoqërisë dhe politikës për drejtësinë.
Dhe do ishte gjysma e së keqes sikur ta bënte si qëndrim politik. Nuk e ka as politik, as profesional. E ka thjesht stil jete – që mos ta shqetësojë njeri në rehatllëkun e vet.












Ne themi si popull qe shoresa per drejtesi eshte SPAKu dhe Gjykata e krimeve te rend dhe harrojme se gardiani per zbatueshmerine e ligjit nga prokuriret dhe gjykatesit eshte ILD . Cfar te presim?