• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, September 22, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

“Keni parë ndonjë film të këtij regjisori?!”- ‘Ndizet’ debati për kinemanë, Mevlan Shanaj i përgjigjet Ilir Butkës: Në art mbeten veprat, jo…

by A. Q
22/09/2026 11:21
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Regjisori Ilir Butka ka reaguar për zhvillimet e fundit në kinematografinë shqiptare, duke kritikuar atë që e cilëson si “rezistencë të status quo-së” dhe duke akuzuar një grupim të ngushtë se për vite me radhë e ka trajtuar sektorin si “pronë private e familjare”.

Në një reagim të gjatë, Butka shkruan se acarimi i shfaqur së fundmi në publik është, sipas tij, pasojë e humbjes së kontrollit mbi atë që e konsiderojnë pronë të tyre.

“Përballja me rezistencën e status quo-së ishte e pashmangshme. Acarimi i shfaqur së fundmi përmes retorikës së pakontrolluar, teatrale dhe harbute nuk është gjë tjetër veçse simptoma e qartë e panikut që sjell humbja e kontrollit mbi atë që ata e konsiderojnë pronën e tyre: kinematografinë shqiptare”, shprehet Butka.

Ai sjell në vëmendje emrat e Dhimitër Anagnostit, Viktor Gjikës dhe Kristaq Dhamos, duke pyetur nëse figurat e mëdha të kinematografisë shqiptare janë parë ndonjëherë të flasin me të njëjtën gjuhë apo të përfshihen në përplasje publike.

Më tej, Butka pretendon se për dekada sektori është kontrolluar nga një grupim i ngushtë, të cilin e akuzon për akses të vazhdueshëm në fondet publike.

Sipas tij, sot përplasja lidhet edhe me kërkesën e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për zbatimin e detyrimeve ligjore dhe kontraktuale.

“Qendra Kombëtare e Kinematografisë kërkon sot me të drejtë zbatimin e ligjit: ose dorëzimin e veprave filmike të realizuara, ose kthimin e parave të marra nga buxheti i shtetit. Kjo i ka tërbuar fare”, shkruan Butka.

Në pjesën tjetër të reagimit, ai kritikon një individ, pa e përmendur me emër, duke e akuzuar se prej kohësh “shpif e gënjen” dhe se produksionet e financuara me para publike janë zvarritur për vite me radhë.

Butka mbron gjithashtu zhvillimet e Festivalit Kombëtar të Filmit, duke thënë se edicioni i 14-të tregoi një panoramë të re të kinematografisë shqiptare.

Sipas tij, në festival morën pjesë 75 regjisorë, 58 meshkuj dhe 17 femra, mes tyre edhe kineastë të rinj që kanë ndërtuar rrugën e tyre pa ardhur domosdoshmërisht nga familje me traditë në kinema.

“Ky është drejtimi i sigurt dhe i pakthyeshem ku po shkon e ardhmja e filmbërjes shqiptare”, shkruan Butka, duke e mbyllur reagimin me argumentin se kinematografia shqiptare është bërë më e hapur dhe më e integruar në sistemin evropian.

Reagimi i plotë i Ilir Butkës:

“Përballja me Zhgënjimin e Kontrollit të Humbur

Në këtë udhëtim transformues që solli Festivali, përplasja me rezistencën e status quo-së ishte e pashmangshme. Acarimi i shfaqur së fundmi përmes retorikës së pakontrolluar, teatrale dhe harbute nuk është gjë tjetër veçse simptoma e qartë e panikut që sjell humbja e kontrollit mbi atë që ata e konsiderojnë pronën e tyre: kinematografinë shqiptare.

E kishit parë apo dëgjuar ndonjëherë të flisnin me këtë arrogancë Dhimitër Anagnostin, Viktor Gjikën apo Kristaq Dhamon? Korifejtë e kinematografisë sonë i kishit parë apo dëgjuar ndonjëherë të bënin skandale në media apo të përflisnin individë me emër e mbiemër? Sa më të mëdhenj ishin, aq më të vetëkontrolluar shfaqeshin.

Për dekada me radhë, ky sektor u trajtua nga një grupim i ngushtë si pronë private e familjare, e ndarë mes dy apo tri familjeve që garantonin akses të përhershëm në fondet publike sa herë që konkurronin. Në atë realitet të vjetër, përgjegjësia për mungesën e cilësisë ishte zero, ndërsa të njëjtët emra merrnin rolin e gjyqtarit suprem për të vendosur mbi fatin e veprave të të tjerëve, duke i vënë notën çdo iniciative e çdo kineasti jashtë rrethit të tyre të mbyllur. Asnjë entuziazëm, empati apo aq më pak dashuri për ata që duhej të kishin marrë stafetën sot, atë stafetë që nuk duan ta lëshojnë nga dora dhe që, sipas tyre, duhet ta meritojnë vetëm bijtë e tyre. Për ta nuk ekziston kinematografi shqiptare jashtë asaj që krijohet brenda familjes së tyre. Fatkeqësisht, kanë pasur për vite me radhë dhe kanë akoma në duart e tyre monopolin e shkollave të kinematografisë.

Agresiviteti i sotëm nuk lind nga shqetësimi për artin apo për ndryshimet ligjore. Nëse do të ishte kështu duhet të kishim parë apo lexuar një artikull kritik serioz për shqetësime reale profesionale sikundër bënë të gjithë ata që kishin diçka për të thënë lidhur me propozimet pë ligjin e ri të kinematografisë. Nuk e bënë kurrë sepse dinë të analizojnë, nuk dinë të sugjerojnë, nuk kanë asgjë për të thënë lidhur me organizimin dhe administrimin sepse ështe dicka që nuk e kuptojnë, ndaj shkruajne vetëm pamflete të përçartura me fyerje dhe ofendime në facebook.

I vetmi shqetësim real i tyre në fakt është frika e llogaridhënies administrative. Qendra Kombëtare e Kinematografisë kërkon sot me të drejtë zbatimin e ligjit: ose dorëzimin e veprave filmike të realizuara, ose kthimin e parave të marra nga buxheti i shtetit. Kjo i ka tërbuar fare.

Më aktivi ndër ta, shpif e gënjen prej kohësh me papërgjegjshmërinë e një të fandaksuri për gjëra që as nuk i di e as nuk i kupton. Përgjatë viteve, ky individ ka dëshmuar një qasje shumë personale për dimensionin kohë, ku produksione të financuara nga paratë publike zvarriten me dekada pa pyetur për asnjë afat kontraktual. Me një narrativë viktimizuese, ky personazh ankohet vazhdimisht për buxhete të pamjaftueshme, ndërkohë që ka detyrimin të paraqesë preventivët e shpenzimeve për financimet e përfituara ashtu siç janë deklaruar në projekt. Ai e kupton shumë mirë këtë që po them…

Asnjë sjellje brutale, asnjë e folur vulgare dhe asnjë shfaqje prej të hakërryeri apo viktime nuk mund t’i shpëtojë më ata që për vite me radhë u mësuan të silleshin si të paprekshëm. Këto performanca ofensive nuk frikësojnë askënd; ato konsumojnë thjesht aktin e fundit të degjenerimit të një pushteti të humbur monopolizues.

Edicioni i 14-të i Festivalit Kombëtar të Filmit tregoi me fakte se ku qëndron e vërteta. Ai nxjerr në pah kineastët e vërtetë të këtij vendi, ata që punojnë e  krijojnë me energjinë, pozitivitetin e, profesionalizmin e punëve të tyre. Ky është drejtimi i sigurtë dhe i pakthyeshem ku po shkon e ardhmja e filmbërjes shqiptare.

Në këtë festival morën pjesë gjithsej 75 regjisorë, prej të cilëve 58 regjisorë meshkuj dhe 17 regjisore femra. Ka mjaft të rinj midis tyre me mendësi të re, që e kanë çarë rrugën e tyre pa privilegjin e të pasurit një baba apo një nëne domosdoshmërisht kineastë. Ekzistencën e tyre “elitat” e refuzojnë, filmat e tyre nuk duan t’i shohin, sukseset e tyre i acarojnë.

Nëse ka sjellë një kontribut ky festival, është pikërisht profilizimi i të gjithë personazheve që popullojnë botën e industrisë së filmit me karakteristikat e tyre esenciale: me dëshirën për t’u bërë pjesë e këtij komuniteti apo për të qëndruar mënjanë; me dëshirën për të dhënë apo vetëm për të marrë; ata që mendojnë pozitivisht për festivalin dhe e shohin si festë të filmit, dhe ata që në çdo formulim fjalie nuk fshehin dot pakënaqësinë ndaj çdo gjëje e gjithkujt.

Asnjë baltë e hedhur në çastet e panikut individual nuk e zbeh dot faktin se kinematografia shqiptare ka ndryshuar rrënjësisht: ajo është sot më e hapur, më meritokratike dhe e integruar në sistemin evropian si asnjë art tjetër në Shqipëri. Kjo udhë është e pakthyeshme, ndërsa zhurma e fundit e një monopoli të rrëzuar mbetet vetëm një ambalazh i zbrazët i së shkuarës”.

Pas këtij reagimi ka ardhur edhe përgjigjja e regjisorit Mevlan Shanaj.

Shanaj e ka titulluar reagimin e tij “Fuçia bosh që zhurmon në kalldrëm” dhe e ka zhvendosur debatin te veprat artistike të Ilir Butkës.

Në fillim, Shanaj u bën thirrje mediave që të verifikojnë informacionin përpara se të përdorin cilësime profesionale për persona të caktuar.

“Verifikoni faktet. Kjo është detyra e standardit më minimal profesional të mediave. Njihni ndonjë film të këtij njeriu?”, shkruan Shanaj.

Ai ngre më pas disa pyetje të drejtpërdrejta për Butkën: “Çfarë kemi realisht nga Ilir Butka si regjisor, si aktor, si producent, si krijues? Ku janë veprat? Cilët janë filmat që kanë lënë gjurmë në kinematografinë shqiptare?”.

Shanaj thotë se në art janë veprat ato që mbeten, ndërsa postet, titujt, konferencat dhe deklaratat mediatike nuk mund t’i zëvendësojnë ato.

“Sepse në art mbeten veprat. Jo postet. Jo titujt. Jo konferencat. Jo deklaratat mediatike. Jo CV-të e stërzgjatura”, shprehet ai.

Duke iu referuar përvojës së tij në film dhe televizion, Shanaj thotë se ka punuar në filma artistikë e dokumentarë dhe ka bashkëpunuar me figura të njohura të kinematografisë shqiptare.

Në fund, ai e lidh debatin me atë që e quan standard në kulturë dhe ngre pyetjen nëse në shoqëri “zhurma” po zëvendëson veprën.

“Ku jemi si shoqëri kur zhurma fillon të zëvendësojë veprën, kur postet fillojnë të zëvendësojnë autorësinë?”, shkruan Shanaj.

Ai e përfundon reagimin me një apel: “Duhet mbrojtur minimalisht një standard!”.

Reagimi i plotë i Shanajt:

“FUÇIA BOSH QË ZHURMON NË KALLDRËM

Në radhë të parë, kërkoj dhe u bëj thirrje mediave që, përpara se të emërtojnë një individ me një cilësim profesional — si në rastin e personit të vendosur krahas meje, i cili cilësohet “regjisor” — të verifikojnë informacionin: cilat vepra ka realizuar ky person si regjisor?

Verifikoni faktet. Kjo është detyra e standardit më minimal profesional të mediave. Njihni ndonjë film të këtij njeriu?

Keni parë ndonjëherë një film të vetëm që mban emrin e z. Butka si regjisor? Cili film është ky?

Më vjen ndër mend një fabul e vjetër: fuçia bosh që zhurmon me zhurmë në kalldrëm. Sot, në këtë fabul, fuçia ka edhe një emër: Ilir Butka.

Çështja që më shqetëson është shumë më e rëndësishme: çfarë ka sjellë realisht në art njeriu që vendoset në qendër të kësaj zhurme?

Sepse në art mbeten veprat. Jo postet. Jo titujt. Jo konferencat. Jo deklaratat mediatike. Jo CV-të e stërzgjatura.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja ime: Çfarë kemi realisht nga Ilir Butka si regjisor, si aktor, si producent, si krijues?

Ku janë veprat? Cilët janë filmat që kanë lënë gjurmë në kinematografinë shqiptare?

Filmi i një regjisori, qoftë edhe një film i vetëm, ose është, ose nuk është!

Kam kaluar një jetë në këtë profesion. Kam punuar në film dhe televizion, kam bërë filma artistikë e dokumentarë, kam bashkëpunuar me njerëz të mëdhenj të kinemasë shqiptare dhe di shumë mirë se çfarë do të thotë të krijosh një vepër.

Prandaj kam të drejtën të pyes median që e quan regjisor këtë person. Ku jemi si shoqëri kur zhurma fillon të zëvendësojë veprën, kur postet fillojnë të zëvendësojnë autorësinë?

Ndoshta kemi një problem shumë madhor sot me kulturën e një vendi. Pse po lejojmë që një art me një histori kaq të pasur të drejtohet nga zhurma dhe jo nga vepra?

Kjo është arsyeja pse sot po flas. Duhet mbrojtur minimalisht një standard!”. /TCH/

Next Post
Kryebashkiaku i New York-ut: Po shqyrtojmë autoritetin për arrestimin e Netanyahut gjatë vizitës së tij në OKB

Mamdani sulmon sërish Netanyahun pas takimit me Trumpin: Ai duhet të arrestohet kur të vijë në New York!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Erdogan reagon pas përgjigjes së Hamasit: Hap i rëndësishëm drejt paqes, Turqia do të vijojë misionin e saj

Erdogan: Gaza është kthyer në kampin e përqendrimit më çnjerëzor të kohës sonë

September 22, 2026
Vrasja në Roskovec/ Letra e motrës së autorit: Konfliktet me ish të fejuarën dhe borxhet, kronologjia para tragjedisë

Vrasja në Roskovec/ Letra e motrës së autorit: Konfliktet me ish të fejuarën dhe borxhet, kronologjia para tragjedisë

September 22, 2026
Zjarr në kodrat e Pojanit. Rrezikohet Parku Arkeologjik i Apolonisë

Zjarr në kodrat e Pojanit. Rrezikohet Parku Arkeologjik i Apolonisë

September 22, 2026
Referendumi popullor – “çelësi i arte” per rrogat e gjykatësve dhe proukurorëve

Referendumi popullor – “çelësi i arte” per rrogat e gjykatësve dhe proukurorëve

September 22, 2026
Zjarri përfshin fshatin Delisuf në Vlorë, zjarrfikësit dhe banorët në operacion për shuarjen e tij

Zjarri përfshin fshatin Delisuf në Vlorë, zjarrfikësit dhe banorët në operacion për shuarjen e tij

September 22, 2026
“Fajin e keni ju”, Haxhiu “shpërthen” në studio ndaj Këlliçit dhe Garos!

Vlora Hyseni, mes Bakusë dhe arrestit

September 22, 2026
Skandali me lëndët narkotike në Turqi, shoqërohet në polici aktorja e njohur

Skandali me lëndët narkotike në Turqi, shoqërohet në polici aktorja e njohur

September 22, 2026
“Mund të sulmohej Europa”, Trump në OKB: Irani s’do ketë më armë bërthamore

“Mund të sulmohej Europa”, Trump në OKB: Irani s’do ketë më armë bërthamore

September 22, 2026
“Standard & Poor’s” konfirmon vlerësimin e Shqipërisë në “BB”

“Standard & Poor’s” konfirmon vlerësimin e Shqipërisë në “BB”

September 22, 2026
Dy gjysmat e PD me dy drafte/ Zbulohet formula e demokratëve për reformën territoriale: Ja sa bashki më shumë kërkon Alibeaj!

Nga Elbasani në Delvinë, 15 bashki nisin regjistrimin e pasurive, çelet tenderi 3.5 mln euro

September 22, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com