Nga Ben Andoni
Në ndonjë nga analizat e shumta bërë nga studiuesit në politikën shqiptare patjetër që është shënuar edhe sasia e numrit të deputetëve pas viteve ‘90. Në mungesë të të dhënave nuk po hamendësojmë. Veçse duhet të jetë bajagi e lartë, pasi na ndodh të prezantohemi me dikënd dhe të na thuhet se ishte pjesë e legjislaturës aksh. Gjurma? E kush e di vallë. Po cilët lanë gjurmë të vërteta në nëntë legjislaturat tona, deri më tani? Janë më pak se një grusht i vockël politikanësh dhe deputetësh, që me fjalimet e tyre ose me iniciativat e ligjeve kanë bërë ndonjë ndryshim. Të tjerët mbeten numërorë me fjalë të përgatitura prej të tjerëve. Dhe, aq për t’u neglizhuar është e gjitha, sa në legjislaturën e re kur do të debatohej për programin e Ekzekutivit “Rama”, më e shumta e diskutimeve u la në mesnatë, kohë e cila përkon normalisht me orët biologjike të gjumit e ku pakkush është i interesuar të dëgjojë një Kuvend, mbajtur mënd thjesht për batutat jo për idetë dhe platformat. “Në një vend ku gjetja e një kopje online të programit të qeverisë konsiderohet privilegj dhe ku në parlament janë emëruar/zgjedhur edhe individë që nuk kanë asnjë orë “politike” në jetën e tyre publike e profesionale, dhe ku pasi dëgjon fjalime të gjata por monotone të liderëve kryesore politikë nuk të mbetet në mendje asnjë thënie apo premtim i rëndësishëm, praktika të tilla quhen normalitet dhe sukses”, shprehej ditët e fundit politologu Afrim Krasniqi.
Po si ndodh që katapultohen individë pa kontribute reale në politikën tonë? Si ndodh që Shqipëria nuk ka mundësi të filtrojë njerëz më të arsyeshëm? Pse ndodh që pjesëmarrja e shumtë që krijoi tashmë tek ne armatën e politikanëve bëhet jo në bazë të kulturës politike, angazhimit dhe moralit, por shpesh sipas konjukturave bajate? Studiuesi i politikës Giovanni Sartori, duke u nisur në përvojën e hidhur të Italisë, do e shprehte të thjeshtësuar vëzhgimin e vet për këtë fenomen: “Është shtuar shumë e është konsoliduar klasa e njerëzve që merren me politikë, e që s’dinë të bëjnë gjë tjetër në këtë botë”. Logjika e tij ishte e qartë: ky lloj politikani i sotëm, nëse e humb postin , humbet çdo gjë e mbetet i papunë, sepse realisht nuk di të bëjë asgjë. E sa të tillë vallë kemi syresh në historinë tonë të demokracisë që krahas viteve kalendarikë të CV-ve të tyre na thonë se çfarë kanë bërë realisht në jetë?
Në stadin sfidues ku ka arritur demokracia e vendit tonë dhe në të paktën asistimin e plotë që u bëhet nga organizata dhe fondacione të huaja konsiderohet si e pasens që në fushatat kryetarore të PS dhe PD-së, dy partive tona të mëdha, nuk arrin të kuptosh realisht të justifikuar edhe me burimet financiare se ku po çojnë modelet respektive qeverisëse. Ishte fare neglizhente PS-ja në fushatën e fundit, megjithëse drejtoi dy mandate në vite realisht sfiduese për vendin; ashtu si ekspertët e PD-së shpesh ngatërroheshin me njëri-tjetrin, pa ditur të zbërthenin si duhet programin e tyre; apo znj. Kryemadhi e LSI-së me lapsuse të njëpasnjëshme për përshkrimin e këtij apo atij drejtimi të buxhetit. A mund të ketë disi më shumë seriozitet për t’i thjeshtëzuar premtimet e pafund elektorale drejt kaheve origjinale të drejtimeve të sotme ideologjike? A mund të ketë ndonjë lloj përkushtimi idealist nga ata që e konsiderojnë tashmë politikën si profesion dhe prej saj sigurojnë jo thjesht jetesën por edhe paqtimin e vetëdijes? Nga çfarë kemi parë në shumicën e rasteve prej politikanëve shqiptarë pak gjëra të mbesin në mëndje. Pak fjalime, pak ide që kanë zënë vend, pak dialog dhe shtjella logjike dhe shumë konflikte bajate. Tek e fundit logjika të jep një përgjigje: atë formim kanë, atë lloj përgjegjësie mbartin për vendin. Veçse kemi vërejtur se për një pjesë jo të vogël të kësaj armate, politika ka qenë një burim bajagi i mirë dhe i përhershëm i të ardhurave, kurse për shqiptarin ka mbetur vetëm soditja dhe mbijetesa në informalitet. Dhe, çdo të thotë kjo?
Në mënyrën sesi zhvillohet demokracia në vendet e ardhur nga kampet socialiste ka një informalitet të madh dhe njerëzit që katapultohen jo pak herë janë krejt të panjohur. Ka dy mekanizma, që përdoren nga politika për të përcjellë ose më saktë për të rekrutuar personazhe për armatën e politikanëve: E para vjen përmes rekrutimit dhe urdhrit direkt të kryetarit, sidomos pas marrëveshjes Berisha-Rama të vitit 2008 kjo është e ligjëruar (anipse, në vitin 2021 u përdor një formulë me propozimet e bazës, gjoja më demokratike, e që kontrolloheshin nga një Komision, i cili rezultoi nul te PD; Po kështu njësoj te PS-ja, por me mbulesë tjetër, e gjithsesi në fund do vendosnin sërish respektivisht kryetarët Basha dhe Rama); E dyta lidhet me median. Ata që katapultohen me anë të medias, me bekimin e politikës, janë aktivë dhe luftarakë për muajt e fundit ose në një mandat prove, për të zënë vend pastaj në parlament.
Në fakt, situata në Shqipëri, megjithë përplasjet nuk është se ndryshon shumë nga vendet e tjera në Ballkan. Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Kosova por edhe vendet e BE-së Kroacia dhe Sllovenia nuk qëndrojnë aq larg, ku zakonisht janë dy kampe të mëdha politike që përfshijnë militantë të gatshëm me çdo mjet për t’iu hedhur në grykë njëri-tjetrit. “Mungon kultura politike, pasi bëhet degradimi i kundërshtarit politik, eliminimi si kundërshtar, madje ndoshta edhe sulmi fizik ndaj tij. Këto janë gjëra që nuk përfytyrohen dot në Evropën Perëndimore”, thoshte pak kohë më parë analisti gjerman Thomas Brey për DW, duke shtuar po në një të njëjtën intervistë se: “Dhe kjo kulturë politike mungon, sepse politika në vendet e Ballkanit është një biznes, ti mund të bëhesh dikush si person dhe të ecësh përpara me oportunizëm kur hyn në politikë. Kush dëshiron të bëhet dikush edhe në profesion në këto vende duhet të arranzhohet me të fuqishmit e t’i mbështesë ata. Ky nuk është problem tipik i Shqipërisë, por e ndesh kudo në Ballkan”.
Sartori, në një kohë që i parapriu kohës sonë, e tepronte në logjikën e tij pasi bënte një diferencim të madh social, ku mendonte dhe logjikonte se: “individë nga klasat e varfra tashmë kanë mundësi për t’u penetruar në politikë dhe për të koha ishte kur me politikë merreshin vetëm zotërinjtë e kamur, të cilët s’kishin nevojë të paguheshin nga politika e të cilët politikën e zgjidhnin si pasion civik”. Veçse të ashtuquajturit “e varfër” të Santorit janë shumë nga ata në armatën tonë të politikanëve ngritur prej informalitetit të thellë dhe jo prej klasave, të cilat po formësohen me shumë vështirësi në kohën tonë. Ndaj, prej këtij sfondi shumë prej tyre nuk arrin të lënë gjurmë ose të mendojnë për të ardhmen. I gjithë grupimi i politikanëve ndarë në ngjyrat përkatëse nuk e nxjerr dot sepse pushtetit është vertikal. Vendosin pak veta dhe kryesisht në interes të tyre. Pak herë kemi parë dorëheqje në momentin dhe kohën e duhur dhe akoma më pak partitë nuk tërhiqen për interesa madhore të Shqipërisë, kuptohet vetëm kur ka interesa më të mëdha. Të mos harrojmë Eksodin e Kosovës, ndërkohë që serbët afroheshin dhe bënin batërdinë më të madhe ndaj popullsisë së pambrojtur, Shqipëria kishte debatin absurd të politikës me Berishën dhe Majkon. Të mos harrojmë tre ligjet e bllokuar nga socialistët që i kushtuan vazhdimin e integrimeve evropiane Shqipërisë. Të mos harrojmë bllokimin absurd vitet e fundit të institucioneve nga demokratët me lënien e mandateve. Sikur të flasi tamam sot, jo vetëm për politikanët e vendit të tij, Sartori cilësonte:” Politikanët profesionistë ekzistojnë kudo, por në Itali janë më shumë se gjetkë, e prandaj jemi në vendin e 69 për sa i takon korrupsionit”. Në fakt, Shqipëria në renditjen e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit 2020, të hartuar nga Transparency International ka mbetur në vend të 104-të në mes 180 vendeve, falë këtyre politikanëve. Dhe arsyetimi është i thjeshtë: Shqipëria mbetet e tillë se ka realisht një armatë politikanësh që mendojnë sesi të përfitojnë nga politika, por nuk nxori kurrë një shtetar të vërtetë pas viteve ’90, që të vinte kombin dhe interesin publik të parin. Apo si e thoshte më thuktas de Gasperi: “Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme. “A nuk është ky rasti i vërtetë i Shqipërisë me politikanët e saj! (Homo Albanicus)