Pas Venezuelës, Donald Trump i kthen sytë nga Groenlanda, duke shkaktuar alarm në Danimarkë. Kryeministrja e këtij shteti, Mette Frederiksen, i bëri thirrje presidentit amerikan të ndalë kërcënimet mbi marrjen e ishullit të pasur me minerale.
Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të qeverisë, ajo kujtoi se Danimarka dhe, rrjedhimisht, Groenlanda janë anëtare të NATO-s dhe të mbuluara nga garancitë e sigurisë. Frederiksen tha se Danimarka tashmë ka një marrëveshje mbrojtjeje me SHBA-në, e cila i jep asaj akses në Groenlandë, dhe se vendi ka rritur investimet në siguri në rajonin e Arktikut, shkruan A2 CNN.
“Nuk ka asnjë kuptim të flasësh për nevojën e Shteteve të Bashkuara për të marrë Groenlandën. SHBA nuk ka të drejtë të aneksojë asnjërin nga tre vendet që përbëjnë Mbretërinë Daneze. I bëj thirrje Shteteve të Bashkuara të ndalojnë kërcënimet kundër një aleati historikisht të ngushtë dhe kundër një populli që e ka thënë shumë qartë se nuk është në shitje”, tha Mette Frederiksen.
Deklarata e saj erdhi pasi Katie Miller, bashkëshortja e një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Trump, Stephen Miller, postoi në Twitter një hartë të Groenlandës me ngjyrat e flamurit amerikan, shoqëruar me shkrimin “Së shpejti”, shkruan A2 CNN.
Trump ka folur vazhdimisht për idenë e aneksimit të Groenlandës, duke cituar pozicionin e saj strategjik dhe pasuritë minerale, dhe i përsëriti pretendimet edhe pas komenteve të Frederiksen. “Kemi nevojë për Groenlandën nga pikëpamja e sigurisë kombëtare. Ajo është e rrethuar nga anije ruse dhe kineze dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje t’i dalë për zot”, theksoi Trump nga avioni i tij presidencial Air Force One.
Vendimi i fundit i administratës Trump për të emëruar një të dërguar të posaçëm për Groenlandën ka nxitur zemërim në Danimarkë. Me një popullsi prej rreth 57 mijë banorësh, Groenlanda vetëqeveriset që nga viti 1979, edhe pse politika e mbrojtjes dhe e jashtme mbetet në duart e Danimarkës. Ndërsa shumica e banorëve janë në favor të pavarësisë nga Danimarka, sondazhet sugjerojnë një kundërshti të fortë ndaj idesë së bashkimit me SHBA-në.











