Këtë të mërkurë, më 18 mars, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur që të kalojë për gjykim dosjen në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë.
Raportohet se të pandehurit Fatime Kryemadhi, Ema Coku dhe Pirro Xhixho kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.
Sjellim ndërmend se para nisjes së seancës, avokati i Metës, Kujtim Cakrani dha një prononcim të shkurtër për mediat, ku u shpreh i bindur se sot do të kishte një vendim.
“E kemi pritur këtë ditën sot, kemi 7 muaj.”, tha ai, duke shtuar se “sot do të ketë një vendimmarrje”.
Duke shkëmbyer batuta me gazetarët, Cakrani kujtoi bastin që ka vënë me ta se brenda këtij muaj, ish-presidenti Meta do të lirohet nga qelia.
“Mua më dalin bastet, do ta shikoni. Këtu do të jemi. Dakord?!”, deklaroi Cakrani.
Sjellim ndërmend se javën e kaluar, gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, mbylli shqyrtimin e dosjes.
Kujtojmë se Meta akuzohet për tre vepra penale, të cilat iu komunikuan më 4 gusht 2025, sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA. Ai akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.
Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje. Dosja “Meta” përfshin gjithashtu hetime ndaj nënës së Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.
Të pandehurit akuzohen për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave dhe mosdeklarimin e pasurive.











