Nga Mimoza Dervishi
Në Partinë Demokratike po kërkohet dorëheqja e kryetarit, një fenomen i padëgjuar aty qysh nga fillesat e asaj partie, kur Berisha përjashtonte cdo zë kundër, shoqëruar edhe me një dru nga pas. Ky është efekti i parë pozitiv i përjashtimit të Berishës nga PD: kryetari është lehtësisht i kritikueshëm, dhe tani, ndoshta, edhe lehtësisht i heqshëm!
E ndërsa opozita është nisur në rrugën pa kthim drejt reformimit, në një sistem dy partiak, është i pashmangshëm ndryshimi në krahun tjetër.
Partia Socialiste mund të duket e patrazuar nga ajo c’ka ndodh në PD, e supërkënaqur, që fiton e vazhdon të fitojë, edhe kur fitoret nuk i duhen më. Por në fakt një detaj i “vogël”, ku komisionerët socialistë bashkohen me Berishën e Metën, vetëm e vetëm që Basha mos dilte as i dyti, flet shumë. Nga kush dhe nga cfarë ka frikë Rama? Pse i duhen Doshi nga pas dhe Meta e Berisha anash, edhe për një palë zgjedhje sa një kampion sondazhi?
Përjashtimi i Berishës ka rënë si rrufe në qiellin e kthjellët socialist. Ra, edhe aty ku thonë se rrufeja nuk bie, në TV Klan.
Dy janë modelet që kanë shenjuar tranzicionin shqiptar, modeli berishist në politikë dhe modeli fevzist në televizion.
Kryetari që i ka të gjitha, quhet parti! Një shkop dhe katër karrige, quhet emision!
Në politikë, kryetari bën listat e deputetëve dhe të kabinetit qeveritar, heq këdo e vë këdo, zgjedh madje dhe pasardhësin, si një monark.
Modeli mediatik është një televizion i ngritur i tëri mbi korrupsion, që serviret si vendi ku bëhen debatet më të “forta” për korrupsionin, ku i bëhet “opozitë” Edi Ramës duke aspiruar kthimin e Berishës dhe Metës në pushtet, si sjellësit e demokracisë shqiptare!
Kur ka edhe ngjarje të “mëdha”, ftohet dhe vetë i “plotëfuqishmi”, pronari, që nuk është gjë tjetër, vecse, pikëtakim i korrupsionit shtetëror me atë mediatik, të të gjitha kohërave.
Aty është shembulli, sesi politika dhe media janë pjellë e njëra tjetrës dhe të dyja sëbashku, notojnë në llum. Për të parë sa protektues janë ndaj asaj që kanë krijuar, shihni sharlatanizmin e debatit të 5 muajve të fundit, kur të gjithë u c’orientuan me shpalljen e Berishës non grata. Hutimi, shokimi i parë, ia la vendin agresivitetit banal dhe burracakërisë tipike shqiptare edhe ndaj ambasadores së Amerikës. Po prishet rendi, ashtu sic ata e duan dhe njohin. U rritën, edukuan dhe pasuruan me modelin Berisha. C’do devijim, u prish rehatin, u rrënon mirëqenien.
Përjashtimi i Berishës nga PD, hapi një dritare për rinovimin e gjithë spektrit politik shqiptar. Prandaj dhe lufta është kaq e ashpër, kaq cinike dhe e paprinciptë.
Në fjalimin e fitores së 25 prillit, Rama tha, se, mbase PD duhet zh’bërë deri në fund, që të ringrihet. Dëshira po i realizohet! Por, sic thotë një shprehje e vjetër, ruhu nga ajo që dëshiron më shumë. E ndërsa duket si urgjencë kombëtare zhbërje-bërja e PD-së, po kaq urgjente është dhe reformimi i PS-së. Që nga 25 prilli deri më sot, ka dy momente që e kanë tronditur mazhorancën: nxjerrja e Berishës mes katër rrugëve, dhe një kontratë plehrash, që detyroi pushtetarët të uleshin përballë opozitës në një komision hetimor. Pas kaq vitesh, opozita po bënte punën e saj.
Qeveria ishte nervoze dhe askush nuk e njihte firmën që kishte marrë një kontratë të majme! Në një kohë, që, nuk ka mbetur shqiptar, pa mësuar emra studiosh dhe arkitektësh shëtitoresh, për kontrata shumë herë më modeste.
Sic Rama thotë me të drejtë, sistemi korrupton individin. E pra, ky sistem i sotëm partiak, berishist, i kudondodhur, destinacion ka korrupsionin.
PD-ja sot duket në pikë të hallit, edhe për faktin se Basha, është produkt dhe përfitues direkt i sistemit të përcudnuar të “babait”.
Po c’punë kishte PS-ja të kopjonte modelin berishist? Kjo nuk është partia që Rama mori. Partia Socialiste ishte një parti vibrante, ku gëlonin zëra dhe karriera. Jo perfekte, jo tërësisht demokratike. Por, Fatos Nano, (i cili pluskonte në korrupsion dhe anarki), nuk ndërpriste karriera dhe kundërshtarët i zgjidhte në kryesi dhe qeveri.
Partia Socialiste, prej kohësh në pushtet dhe pothuaj pa opozitë, nuk ka sot, as konkurencë të brendshme, as zëra ndryshe, as sistem vetëkontrollimi. Vini pak veshin tek mbledhjet dhe analizat e kryesisë. Do dëgjoni vetëm zërin e Ramës dhe zhurmën e ventilatorit. Asnjë gjallesë tjetër nuk pipëtin! Arsyeja është e thjeshtë; sistemi ka eleminuar antarësinë e partisë. Në botën demokratike, karrierat i përcakton votuesi, në Shqipëri është kthyer përmbys, ato i përcakton kryetari.
Në Partinë Socialiste sot, karrierën ta ndërpret kryetari pa shkak. Kur merr më shumë vota nga të gjithë, s’postohesh.
Cfarë e motivon një socialist sot dhe në përgjithësi, pse i hyjnë njerëzit politikës?
Ku janë sot ata? Si u vlerësuan për punën e tyre? Morën një falenderim publik dhe pastaj hapën krahun, që njerëz të panjohur, të korrnin frytet e punës së tyre. Cështja është se, vota, është i vetmi sistem matës në politikë.
Stacey Abrams dhe Beto O’Rourke, ishin dy të panjohur të Partisë Demokratike amerikane, nga dy zona larg Washingtonit politik dhe mediatik. Njëra në Georgia, tjetri në Texas, zona thellësisht republikane. Në vitin 2018, shkëlqyen në garat përkatëse, për guvernatore dhe senator. Të shkëlqesh në politikë, jo domosdoshmërisht do të thotë të fitosh. Ata nuk fituan, por ndryshuan trendin e votave dhe erdhën më afër fitores se asnjë demokrat para tyre. Partia menjëherë vuri në dispozicion të të dyve, gjithë makinerinë e saj me burime njerëzore dhe financiare. O’Rourke hyri në garë për president (nuk ia doli), dhe Abrams vazhdon të jetë ylli në ngjitje i demokratëve dhe do të garojë për guvernatore sërish, në nëntor. Votuesit, votat, detyruan partinë t’i mbështeste.
Esenca e një partie demokratike, janë pikërisht zgjedhjet brenda partisë, primaret, sic rëndom thuhet në Shqipëri, pa ia ditur kuptimin. Një deputet që zgjidhet nga antarësia, ka gjithë autoritetin dhe dinjitetin t’a kundërshtojë kryetarin, sepse nuk i ka asnjë borxh atij. Borxhin ia ka zonës ku është zgjedhur. Ashtu sic ka dhe përgjegjësinë. Joe Manchin, senator demokrat (West Virginia), ka bllokuar gjithë paketën e brendshme legjislative të demokratëve, sepse nuk i shkon përshtat asaj, që ai dhe elektorati i tij beson dhe përfaqëson. Senati është 50 me 50, dhe vota e tij është vendimtare. Me opozitën që po i bën pushtetit dhe partisë së tij, ai është më efikas se gjithë republikanët e marrë sëbashku.
Joe senatori, nuk i lëpihet Joe presidentit. Eshtë në fakt Biden, që e merr në telefon dhe i lutet. Presidenti i vendit më të fuqishëm të botës, nuk ka c’ti bëjë senatorit të një shteti të vogël të partisë së tij. As e heq, as i ndërpret karrierën. Vetëm i lutet dhe negocion.
Mosleximi drejt i votës, është mungesë respekti për elektoratin dhe shkatërrim i sistemit të vlerave. Dhe nuk ka arrogancë dhe mospërfillje më të madhe ndaj votuesve, kur kryetari merr një laps e letër dhe thërret emra të panjohurish për kabinetin e ri, sikur po thërret goglat e telebingos. Të thërriturit, janë edhe më të habiturit! U ka rënë llotaria, pa blerë as biletën!
Dhe kur gjërat shkojnë vaj, meritat i merr i pari. Kur nuk shkojnë mirë, përgjegjësitë pastaj, bëhen individuale! Por, c’përgjegjësi ka një individ i panjohur, që nuk ka lidhje me elektoratin, nuk është zgjedhur me votë, nuk është lodhur për të qenë aty ku është, nuk ndien asnjë detyrim moral apo shpirtëror ndaj antarësisë së partisë? Përgjegjësia e vetme e individëve të tillë, (mediokër në masë), është t’a mbajnë mirë me kryetarin. Ata as kanë pasur, as do kenë karriera politike. Në momentin që kryetari i heq, kthehen në anonimë, sic edhe ishin.
E njejta skemë përsëritet sa herë ka zgjedhje, sa herë bëhen listat për deputetë, në të gjitha partitë politike. Laps, letër, kryetari dhe goglat. Tallja bëhet dhe më e rëndë, kur një kuksian caktohet të kandidojë në Vlorë, apo ata që fituan kësaj radhë në Elbasan, herës tjetër, shkojnë në Lezhë. Mos u përpiqni të gjeni logjikën këtu. Nuk ka! Eshtë thjesht ekperiment për hir të eksperimentit, sepse vota nuk ka asnjë vlerë. Aq sa, e bën të pakuptimtë emërimin e deputetëve nga rrethet. Mund të zgjedhësh 50 copë nga Tirana e t’i shpërndash ku të duash, sepse zgjedhja e tyre është pa kriter. Rezultati do ishte i njejtë. Kjo është dhe arsyeja pse zgjedhjet personalizohen dhe quhen gara mes Berishës dhe Ramës, Nanos dhe Berishës, Bashës dhe Berishës, kur Shqipëria nuk është një republikë presidenciale. Eshtë parlamentare, packa se, edhe parlamenti është formal. Organi më i fuqishëm mbetet Kryeministria.
Por, një parti jo konkuruese nga brenda, pa mekanzima vetëkontrollues, pa sistem vlerash, prodhon një qeveri të ngjashme.
Ka tre ose katër rryma sot, respektivisht, në partitë kryesore të Amerikës. Të gjithë të përfaqësuar në Kongres dhe në kabinet. Me votat e tyre. Disa nga ata, që konkuruan Biden në garën për president brenda partisë, jane sot pjesë e kabinetit te tij, përfshirë atë që e sulmoi më shumë, nën-presidenten. E njejta gjë ndodhi mes Obamës dhe Hillary Clinton, të cilët zhvilluan një nga betejat më të forta brenda partisë. Në fund të ditës, Clinton mori postin më të rëndësishëm të kabinetit, atë të sekretares së shtetit.
E pra, Amerikës nuk mund t’i kopjojmë vetëm patronazhistët dhe fjalën “primare’. “Primarja”, pasi të kuptohet cfarë është dhe si funskionon, duhet futur në statut, sepse është thelbi i demokracisë. Kandidatët i zgjedh elektorati, i cili gjithashtu përcakton karrierat dhe vlerat.
Partia Socialiste tani që është në pushtet, ka luksin e madh t’i bëjë këto ndryshime. Eshtë shumë e vështirë të reformohesh në opozitë. Socialistët duhet t’u japin shqiptarëve një ofertë të re. Janë në mandatin e tretë, tejet konsumues nga natyra. Në zgjedhjet e ardhshme nuk garon dot me argumentin, se vota në krahun tjetër shkon për Berishën dhe Metën. Ata, nuk do të jenë më, po edhe po të jenë, sic duken bathët, votat do t’i bashkojnë me PS-në! Për pandeminë dhe tërmetin, nuk mund të flasësh pafund, sepse ishin kauzat e zgjedhjeve të kaluara. Me frikëra luftrash nuk e shtyn dot, sepse në fund të ditës, luftës do t’i japin dejtim, ata që kanë fuqi t’i japin drejtim. Socialistëve u kanoset i njejti rrezik si demokratëve. Ashtu si PD-ja, dhe si gjithë sistemi politik shqiptar, edhe PS-ja, nuk është gjë tjetër, vece, një “house of cards”, shtëpi e ngritur me letra bixhozi. Hiq një letër, bie e gjitha përtokë. Me konsumimin e kryetarit, është konsumuar e gjithë partia.
Rama ndërkohë e ka zgjidhur problemin e moshës së tretë, post-PS, post-gjithcka. Sic ka premtuar, do bëhet rrobaqepës!
Por, Partia Socialiste, nuk mbijeton dot si punishtja e tij.
Mos e qaj kalorsin se i varen këmbët. Shiko gjetke , tek opozita se si do të ringrihet. Rama vetë korigjohet sa herë ka zëra nga qytetarët e vet. Si në rastin e fundit. U ul dhe korigjoi mjaft nga ato që u reflektuan si kohë lufte.
rama eshte nji palaco nga paraqitja dhe nga reagimi,qe e provon 100% palacollikun ne televizione,takime e kudo,shkurt ndytsire i neveritshem.
Po jetojme ne sistem autokrat. Te lumte pena, duhet te shkruash me shpesh.