Nëse kërkoni të largoheni nga jeta e përditshme e qytetit për të kaluar disa ditë të paharrueshme mes natyrës së virgjër malore, ku njeriu veç i ka shtuar mrekullisë së natyrës mrekullitë e duarve të tij, nëse dëshironi të njihni kultura e tradita të paprekura si natyra, nëse doni të shijoni gatime karakteristike me produkte të mrekullueshme lokale, natyrisht që Kelmendi është vendi ideal ku do të ndjeni vlerat e vërteta të dialogut shumëshekullor të njeriut me natyrën.
Rruga e re deri në Tamarë tanimë e ka shkurtuar largësinë me këto mrekulli dikur thuajse të paarritshme. Shtigjet e hershme përmes malesh tanimë me sinjalistikat ndërkombëtare dhe guidat turistike që shoqërojnë turistët në vendet më mbresëlënëse të fshatrave e maleve të Kelmendit, i kanë bërë më të prekshme e më reale bukuritë thuajse irreale të komunës.
Shpellat, kanionet, ujëvarat, rrjedhat e lumenjve, burimet, pllajat, peizazhet e magjishme do t’ju shoqërojnë në çdo çast me të papriturat e tyre që të lenë pa fjalë.
Nisim itinerarin tonë nëpër fshatrat e Kelmendit.
Fshati Tamarë, qendra administrative e komunës së Kelmendit, ndodhet në 280 m lartësi, mes malesh, atje ku bashkohen lumenjtë Cem i Selcës dhe Cem i Vuklit. Fshati e ka marrë emrin nga Tamara, gruaja e Vezirit të Shkodrës, e cila ndërtoi urën e famshme që mori emrin e saj e që i dha të njëjtin emër fshatit.
Fshati ka rreth 500 banorë, paraardhësit e të cilëve kanë ardhur kryesisht nga Selca, Vukli, Broja, Kozhnja, etj.
Rreth 2 km larg fshatit Tamarë, në lartësinë 1165 m mbi nivelin e detit, ndodhet shpella e Malqe Grudës, me gjatësi 310 m. Guidat turistike ju shoqërojnë në thellësi të shpellës, ku do të zbuloni një liqen të vogël, puse vertikale dhe stalaktitet e stalagmitet e kudondodhura. Një eksperiencë e mrekullueshme për të pasionuarit pas shpellave dhe për këdo tjetër që kërkon të përjetojë emocione krejt të veçanta në thellësi të malit.
Lulet e malit: sherbela, trumza, bliri, balsami, kafshët e egra: dhitë, derrat, lepujt, kaprojtë, trofta e egër, që mund ta peshkoni në lumin Cem, shtëpitë karakteristike të fshatit, gjithçka i jep eksplorimit tuaj një ndjesi idilike.
Tre festat kryesore të fshatit Tamarë janë: festa e Zojës Ndihmëtare në datën 24 Maj, festa e Zojës Rruzare në datën 7 Tetor dhe festa e Zojës së Trieshit, që kremtohet të dielën e parë të Tetorit.
Fshati Selcë, një simbol i mirëfilltë i mrekullive të natyrës, ku duket sikur një dorë fuqiplotë nuk ka kursyer asgjë për të krijuar bukuritë mbresëlënëse të mbitokës, ujit, lartësisë dhe thellësisë së tokës. Fshati Selcë ndodhet 8 km në veri të fshatit Tamarë dhe ngrihet nga 350 deri në 1100 m lartësi mbi nivelin e detit. Shtëpitë 1 apo 2-katëshe janë me gurë e me tjegulla të kuqe, si edhe me ballkonin karakteristik në gjithë gjatësinë e fasadës.
Fshati përshkohet nga kanioni i Gerrlës, 900 m i gjatë, i krijuar nga rrjedhat e fuqishme të lumit Cem, duke përftuar kësisoj një mrekulli të papërsëritshme mu në mes të fshatit.
Shoqëruar nga guida turistike, duke kaluar nëpër shtigje mbresëlënëse malore, do të mbërrini në ujvarën e Sllapit, ujërat e së cilës lëshohen teposhtë në lartësi rreth 30 m.
Karramanet, shkëmbinjtë gjithëformësh të lagjes Pepaj, shpellat të panumërta e të larmishme, si Shpella e Pogonicёs, Shpella e Gradёs, Shpella e Rrugёs, Shpella e Vllojakut, Shpella e Pajës apo Shpella e Turçinit, burimet e ujit, si Gurra e Zanёs dhe ujёt e Kritё apo Bjeshka e Jeshnicёs, njё nga qendrat mё tё mёdha blegtorale tё Alpeve perёndimore, lëndina e Greçës, me lule shumëngjyrëshe dhe bimë mjekësore, si salepi, çaji i malit, gjithçka e bën fshatin Selcë një muze të vërtetë të natyrës që kërkon ditë të tëra për t’u eksploruar.
Në datën 7 Tetor kremtohet festa e Zojës Rruzare. Në oborrin e kishës së fshatit, është gdhendur në një pemë të moçme trupi Jezu Krishtit, një vepër vërtet interesante për t’u parë, a thua se dora e skulptorit nuk ka dashur aspak të shkëputet nga natyra, në fshatin ku gjithçka është e lidhur me natyrën.
Fshati Nikç, 15 km në lindje të fshatit Tamarë, që ngrihet nga 600 deri në 850 m mbi nivelin e detit, është një nga perlat e Kelmendit. Fshati është si pikë kalimi drejt Bogës, Thethit e Valbonës dhe nga lartësitë e të ashtuquajturit ballkoni i Kelmendit, mund të mrekulloheni me Alpet Shqiptare, të cilat shpalosen si në pëllëmbë të dorës.
Në periudhën e lulëzimit, fshati mund të quhet thjesht fshati i luleve, pasi aromat e sherbelës, trumzës apo blirit shekullor që ngrihet në qendër të tij, pushtojnë gjithçka.
Në Shpellën e Gjaçkës, që ndodhet vetëm 200 m larg fshatit, ka liqene nëntokësore, stalaktite e stalagmite, kolona shkëmbore me forma të papritura.
Burimet e shumta malore të ujit, si gurra e Musovatit, e Komanit, Ledit, Jezercёs dhe Ujëvara e Vizhnёs, janë mrekulli të tjera të natyrës së fshatit Nikç.
Forca e Kelmendit, një pllajë e lartë shkëmbore, ngrihet në 1000 m lartësi mbi nivelin e detit dhe rrethohet nga rrëpira të pakalueshme, të cilat e kanë kthyer atë përgjatë shekujve në një mburojë të vërtetë për banorët e Kelmendit, gjë që i ka dhënë pllajës këtë emër simbolik.
Koha duket sikur ka ndalur në epoka të tjera, tek sheh shtëpitë e bukura alpine dy-katëshe dhe mullinjtë për të bluar grurin, misrin dhe elbin si në kohë të hershme.
Në datën 24 Maj, kremtohet në fshatin Nikç festa e Zojës Ndihmëtare.
Fshati Kozhnjë, që ngrihet 550 m mbi nivelin e detit, ndodhet 6 km larg fshatit Tamarë.
Fshati është i njohur për blegtorinë e tij, ku spikat dhia e famshme e Kozhnjës. Kozhnja njihet për bimësinë e pasur, sidomos për bimët mjekësore, si edhe për faunën e pasur që ka favorizuar gjuetinë e dhive të egra, lepujve, derrave të egër.
Kozhnja ndahet në dy lagje me reliev krejt të ndryshëm: Kozhnja e thellë dhe Kozhnja breg. Shpellat, burimet dhe përrenjtë, shoqërueset e paevitueshme të Kelmendit, janë të shumta edhe në Kozhnjë: shpella e Lule Gjokёs, shpella e Fratit, shpella e Shnikut dhe shpella e Stёrnikut, pёrroi i Kozhnjes, kroi i Mulajve.
Shtëpitë e fshatit janë ndërtuar në formë kullash, një arkitekturë krejt e veçantë kjo për Kelmendin.
Në datën 24 Maj, kremtohet në fshatin Kozhnjë festa e Zojës Ndihmëtare.
Fshati Vukël, që ngrihet nga 525 deri në 1150 m lartësi mbi nivelin e detit, ndodhet 18 km larg fshatit Tamarë. Fshati dallohet për bimësinë e pasur, ku spikasin bimët mjekësore, lajthitë, arrat dhe kullotat alpine.
Burimet e shumta ujore, si gurra e Pepushajve, janë shpallur monumente të natyrës.
Shpella e Prekë Calit, shpella e Shkëmbinjve të Gurrës së Gegëve dhe shpella e Vushës janë ndër pikat më interesante për t’u eksploruar. Shpella e Vushës ndodhet rreth 1000 m larg qendrës së fshatit, ka 10 dhoma të vogla e të mëdha shumë të veçanta e të bukura për t’u vizituar.
Fshati Vermosh, pika më veriore e Shqipërisë, një fshat malor i Alpeve perëndimore, që ndodhet 95 km në veri të Shkodrës dhe 31 km në veri fshatit Tamarë, qendrës së komunës së Kelmendi, është njëherazi edhe fshati më i madh i Alpeve të Shqipërisë.
Vermoshi ndodhet në një pllajë në lartësi1100 m mbi nivelin e detit dhe rrethohet nga faqe të thepisura plot gjelbërim.
Malet që përqarkojnë luginën e Vermoshit, ngrihen deri në 2000 m lartësi mbi nivelin e detit dhe janë të pasura me burime ujore dhe strehë e shumë shpendëve e kafshëve të egra, si ariu i murrmë, kaprolli, ujku, derri dhe dhia e egër.
Banesat janë 2-3-katëshe, me mure të trasha me gurë, me ballkon dhe shkallë të jashtme, me çati të tipit alpin, shumë të pjerrëta. Mjediset e brendshme janë zbukuruar me punime leshi të realizuara nga gratë e fshatit.
Në Vermosh rriten mbi 30 lloje bimësh mjekësore dhe aromatike si: boronica, mjedra, salepi, balsami, bliri, cermedelli, etj. Vermoshi spikat për prodhimin e bulmetrave dhe papates.
Kanioni i Gerçarës ndodhet në dalje të luginës së Vermoshit. Kanioni ka një gjatësi prej 1 km dhe lartësi deri në 40 m dhe mund të vizitohet nëpërmjet shtigjesh të shenjuara.
Vermoshi qendron mbi 100 ditë të vitit i mbuluar me dëborë, trashësia e së cilës arrin deri në 150 cm.
Bjeshkët e Vermoshit në Seferçë, Greben dhe Vilë kanë bukuri të rrallë. Ujëvarat e Jaçicёs, Rroshajve dhe Gjamёve, si edhe shpella e Jaçicës janë ndër vendet më mbresëlënëse për t’u vizituar.
Ngjitjet malore dhe shëtitjet e organizuara apo edhe peshkimi i troftës së egër janë disa nga mënyrat më tërheqëse për të shijuar qendrimin në bukuritë e fshatit alpin.
I japim fund itinerarit tonë të gjatë mes perlave të Kelmendit.
Eksplorimi i shpellave, lundrimi me kajak në lumin Cem, ecjet me mountain-bike në terrenet e pashkelura, trekking-u mes magjisë së natyrës, kalërimi mes të papriturave të mrekullive të Kelmendit, jeta fshatarore, ushqimet karakteristike, mikpritja, arkitektura alpine, folklori origjinal, gjithçka është një përjetim unik, i paharrueshëm, që kërkon rikthim, atje në thellësi të Bjeshkëve.
Suplement informues dhe argëtues. Botim i Agjencisë Kombëtare të Turizmit-www.albania.al