Nga Filip Çakuli
Vajta të hidhja plehrat, por nuk gjeta kosha. Desha të kaloja rrugën, por semaforët ishin shkatërruar. Shkova të bëja psonisjet, por dyqanin e gjeta të djegur.
Te bankomati, shkatërrim. Në rrugë, gurë të shkulur nga bulevardi. Pastaj, Banka Kombëtare dhe Gjykata e Lartë, të shkrumbuara.
Dhe pyeta veten: kë po ndëshkojnë këta të rinj? Kryeministrin apo veten tonë?
Djegien dhe plaçkitjen e bizneseve, shkatërrimin e pronës publike e të institucioneve, nuk ma nxë goja t’i quaj protestë studentore. Sepse kryeministrit nuk i digjet dyqani, nuk i mungon semafori dhe nuk i duhet të kalojë mes gurëve. Ai vazhdon të qeverisë. Ne vazhdojmë të paguajmë faturën.
Këta të rinj mund të mendojnë se, duke shkatërruar Tiranën, po i japin një goditje qeverisë. Në të vërtetë, po i japin një goditje qytetit të tyre, pronës sonë dhe jetës së përditshme. Po djegin atë që nesër do t’u duhet ta rindërtojnë me taksat e tyre.
Kjo nuk do të thotë se zemërimi ndaj qeverisë është i padrejtë. Përkundrazi! Është krejtësisht i ligjshëm. Hallet e grumbulluara, arroganca e pushtetit dhe refuzimi për të njohur e zgjidhur problemet janë arsye të mjaftueshme për të protestuar. Qeveria nuk mund të fshihet pas vandalizmit të disa protestuesve për t’u larë nga përgjegjësitë e veta.
Por as zemërimi nuk është licencë për të shkatërruar. Nëse e ke me kryeministrin, përse ia djeg dyqanin qytetarit? Nëse kërkon drejtësi, përse sulmon gjykatën? Nëse kërkon një shtet më të mirë, përse shkatërron pronën publike?
Po policia? Ajo ka detyrimin të mbrojë qytetarët, bizneset dhe institucionet, por edhe të garantojë të drejtën për protestë. Nuk mund të rrijë duarkryq kur mbi efektivët hidhen gurë të shkulur nga bulevardi. Por as uniforma nuk i jep askujt të drejtën të godasë pa kriter. Forca duhet të jetë e domosdoshme, proporcionale dhe e kontrollueshme. Çdo teprim duhet hetuar, çdo shkelje duhet ndëshkuar.
“Në kushte anarshie, forca është një masë e së drejtës”, shkruante Platoni, 2200 vjet më parë. Pamjet shtazarake të rrahjes së një polici, të rënë në tokë, dëshmojnë më së miri se cilët janë këta vandalë, të ashtuquajtur studentë. Dhe nëse qenkan vërtet studentë, mjerë ne për brezin e nesërm. Po edhe pamjet, që policët tejkaluan masën, duke rrahur barbarisht një të ri, ishin tmerruese. As me armikun, që dorëzohet, apo zihet rob, nuk sillesh kështu. Po, ndërkohë, ata policë janë pezulluar, por protestuesit, që dhunuan policin, vazhdojnë vandalizmat.
Policia nuk është armik i protestuesit, as protestuesi armik i policit. Të dy janë qytetarë të këtij vendi, me të drejta dhe detyrime. Dhe askush nuk duhet të përdoret si mburojë për gabimet e tjetrit.
Kryeministrin mund ta rrëzosh me votë, me protestë dhe me presion qytetar. Por, kur djeg qytetin për ta goditur atë, në fund qyteti digjet, qytetari paguan dhe pushteti mbetet.
Prandaj, protestoni sa të doni, kërkoni llogari pa u lodhur, mos ia falni qeverisë asnjë arrogancë. Por mos e ktheni zemërimin tuaj në një dhuratë për të. Sepse një qytet i shkatërruar nuk është humbja e kryeministrit. Është humbja jonë.
Por, ndoshta zemërimi u ka errësuar sytë. Se duhej t’u kishin dëgjuar me kohë, kur kërkonit paqësisht të drejtat tuaja, se, siç ka thënë Kenedi,
“Kush bën të pamundur revolucionin paqësor, bën të pashmangshëm revolucionin e dhunës”. Megjithatë, ju drejtohem si bashkëqytetar i juaj, mos e shkretoni qytetin, ku jetojmë dhe merruni me qeverinë, me lloj-lloj mjetesh demokratike.











