Për ata që i kanë ndjekur me vëmendje zhvillimet politike në Shqipëri dhe, veçanërisht, sjelljet dhe veprimet e aktorëve politikë gjatë procedurave për përgatitjen dhe miratimin e Reformës në Drejtësi, ato që po ndodhin sot nuk përbëjnë të papritura dhe, prandaj, kurrfarë çudie. Madje, më tepër të çudit fakti se pse Ilir Meta dhe disa sivëllezër moralë dhe politikë rreth tij nuk kanë hyrë ende në çadër, por i vijnë asaj rrotull. I vijnë rrotull me fjalë, me veprime dhe me qëndrime, gjithnjë të maskuara me deklarata dhe recitime populiste, demokratike dhe paqësuese.
Të folurit në emër të popullit, mashtrimet në emër të popullit dhe aktet kriminale po në emër të popullit nuk janë karakteristike vetëm për regjimet moniste por edhe për ato pluraliste. Ata që kanë ngritur çadrën në mes të Tiranës flasin përditë në emër të popullit, por janë pikërisht ata që ia kanë çuar thikën në kockë disa herë popullit dhe Shqipërisë dhe mu për këtë populli i dërgoi si pakicë në opozitë. Tani, në emër të cilit popull flasin këta “jaranë” kurorëshkelës të përhershëm të sistemit politik pluralist? Në emër të cilëve qytetarë flet një fëmijë i veshur me kostum politik që është vënë në kupolën e LSI-së si objekt reklamimi dhe mashtrimi politik për adoleshentët?
Ajo që po ndodh me pluralizmin politik dhe me zgjedhjet në Shqipëri qysh prej 27 vjetësh të kujton Fan Nolin që i quante zgjedhjet e lira një komedi. Por këtu tek ne, përfshi edhe kohën tonë, janë më tepër se kaq. Përveç se mashtrim dhe tallje ato janë shndërruar edhe në fyerje për popullin. Janë bërë të tilla pasi janë manipuluar, falsifikuar e dhunuar disa herë dhe jo pak herë vullneti popullor është nëpërkëmbur, shtrembëruar, keqpërdorur dhe hedhur në koshin e plehrave. Këtë gjë duan të bëjnë edhe tani. Pa harruar të përsërisin se e bëjnë për popullin dhe në emrin e tij, por në të vërtetë e bëjnë e duan ta bëjnë për interesa të disa individëve që s’kanë lënë gjë pa i bërë popullit. Duke u përgjëruar për popullin, po përpiqen që vullnetin e tij të shprehur në kutitë e votimit ta zëvendësojnë me pazare gangsterësh politikë.
Vese, padrejtësi dhe amoralitet mund të gjesh në të gjithë Shqipërinë, por askund dhe asnjëherë nuk gjenden kaq pranë dhe kaq dendur mashtrimi, hipokrizia, fyerja, hileja, krimi, frika nga ndëshkimi, por edhe rezistenca ndaj ndëshkimit sa në çadrën e ngritur në mes të bulevardit. Me ngritësit e çadrës, Metën dhe disa bashkëintrigantë të tij i lidhin shumë gjëra: e shkuara, e tashmja, morali dhe sikletet e përbashkëta. Ka qenë e ditur se LSI ishte skalioni i dytë i atyre që nuk lanë gur pa lëvizur për të vonuar, shtrembëruar dhe penguar Reformën në Drejtësi. Vicklat që hodhi ajo gjatë asaj kohe duke bërë thirrje për “konsensus”, edhe pasi opozitës i ishte dhënë më shumë hapësirë sesa ajo zë në elektorat, e dëshmonin qartë frikën dhe aksionin e përbashkët kundër një reforme të tillë që do t’i shërbente popullit dhe jo dhunuesve dhe grabitësve të tij. Pasi dështuan në këto sjellje dhe përpjekje të dëshpëruara atyre u mbeti vetëm guri i fundit: të imponojnë me dhunë verbale, por edhe fizike, ndryshimin e rrjedhës normale demokratike që funksionon nëpërmjet zgjedhjeve normale kushtetuese pluraliste. Po të arrihej ky imponim nëpërmjet rrëzimit të qeverisë që shpreh vullnetin popullor dhe të krijohet një qeveri që shpreh interesat e një grushti gangsterësh politikë, intrigantë profesionistë, atëherë këtyre gangsterëve u bëhet e mundur të futin në dorë procedurat që u mundësojnë shmangie të tjera, më thelbësore, nga Reforma në Drejtësi, duke siguruar paprekshmërinë e tyre nga ligji.
Për këtë qëllim u ngrit çadra. Nëse skalioni i parë brenda çadrës do ia arrinte qëllimit me anën e presioneve dhe nëse do të bënte për vete opinionin ndërkombëtar, puna “u kry!”. Nëse jo, siç edhe ndodhi, atëherë vihet në lëvizje skalioni i dytë që shërbente si Kalë Troje brenda koalicionit qeverisës. Pikërisht kjo gjë po ndodh. Prandaj vendi i Ilir Metës është në çadër. Tregojnë se kur Fatos Nano u nda me bashkëshorten dhe u martua me dashnoren filluan disa kolegë të tij ta ironizonin. Por Nano ua ktheu paq me një pyetje: Mirë unë që ndava gruan dhe u martova me dashnoren, po ju që mbani edhe gruan, edhe dashnoret, cila është më e moralshme? Këtë punë duhet të bëjë Meta dhe LSI që është thjesht një ndërmarrje biznesi politik familjar që ka mundur të grumbullojë, mjerisht, jo pak dallkaukë dhe interesaxhinj të paskrupuj dhe që prej 13 vitesh po luan rolin e një vatre infeksioni politik shumë të dëmshëm në trupin e Shqipërisë, duke iu dhënë mundësi shqiptarëve të ndërrojnë kuajt e karrocës, por jo të shërojnë sëmundjen. Nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojë më që ditën të punosh për qeverinë dhe natën të bësh flirte dhe intriga me opozitën.
Ilir Meta, duke u hequr si bamirës politik dhe element stabiliteti shoqëror, bëri thirrje për një “qeveri të besimit për zgjedhje të gjithpranuara…”. Me dinakëri politike, por antidemokratike ai kërkon që qeveria e besimit popullor, e votuar në qershor 2013, t’ia lërë vendin qeverisë së dallavereve për hir të një grushti politikanësh që shumica e popullit shqiptar nuk ua ka kursyer neverinë. Ai është ndër të rrallët, në mos i vetmi bashkëqeverisës, që s’ka besim tek qeveria ku bën pjesë, ose luan një rol të tillë, dhe në vend që t’iu kërkonte çadristëve kthimin në jetën normale politike parlamentare, i kërkon pjesës tjetër qeverisëse të “tregojë vullnet politik për zgjedhje të lira dhe dhënien e të gjitha garancive të mundshme për opozitën që të jetë pjesë e procesit zgjedhor…”. Ç’janë këto garanci ekstraligjore që na i ofrojnë shkelës publik të ligjit me karakter e moral krejtësisht të rrëgjuar?! A nuk po përpiqen që këto garanci t’ia japin vetes dhe një grushti njerëzish që i kanë përdorur për të shkelur ligjet shqiptare me dhjetëra herë? Mos duhet që qeveria të shkojë dhe të betohet në kishë dhe xhami se çadristët do të jenë të sigurt gjatë dhe pas zgjedhjeve? Pse nuk pati kërkuar Ilir Meta “qeveri besimi” pas dhunimit mbarëkombëtar të zgjedhjeve të vitit 1996 apo atyre të vitit 2009? Nëse hiqet si element paqeje e stabiliteti politik, pse nuk i kërkoi Sali Berishës të hapte kutitë e votimit pas zgjedhjeve të 2009, por u bashkua me të dhe ia miratoi edhe vrasjet e protestuesve në janar 2011? Të kesh qenë drejtues i një qeverie me mandate të falsifikuar dhe që vret qytetarët që protestojnë kundër pushtetit të vjedhur dhe tani t’i kërkosh të lëshojë mandatet e ligjshëm një qeverie tjetër ” sepse e kërkojnë qytetarët ” ky është kulmi i hipokrizisë dhe imoralitetit. Kur ishte më e domosdoshme “qeveria e besimit”, pas dhunimeve të vërtetuara të zgjedhjeve dhe vrasjeve të kundërshtarëve politikë, apo sot, përpara “blerjes” së hamendësuar se mund të ndodhë (!) kur qeveria i ruan me rojet e veta çadristët prej dy muajsh se mos i fyen apo rreh kush? Jo zotërinj matrapazë të votës, të krimit dhe të mashtrimit! Ju gaboheni, nëse besoni se populli nuk e kupton pse e keni ngritur çadrën.
Duke u hequr si bujare dhe paqesjellëse, LSI pretendon se është e gatshme të “vërë në dispozicion të zgjidhjes politike të gjitha mandatet e saj politike dhe postet politike…” (?!). Kjo do të thotë se LSI është e gatshme t’ia japë postet ministrore PD-së në një qeveri tjetër “të besimit”, pra është e gatshme që postet që i kanë dhënë votuesit për të qeverisur deri në qershor 2017 t’i dhurojë për pazare politike. Atëherë, si mundet kjo parti t’iu kërkojë sërish votat shqiptarëve kur besimin e tyre e transferon tek ata që shqiptarët i kanë refuzuar si qeverisës? Madje, e bëjnë këtë nëpërmjet “fëmijës-karrem” e kam fjalën për vajzën Mehmetaj me të cilën i përcjellin moshatarëve të saj dhe të rriturve mëtimin: “Ne hoqëm dorë nga çdo gjë….( prandaj ) lëshoni pak nga karriget dhe pushteti se kjo është ajo që presin qytetarët”. Për cilët qytetarë është fjala? Qytetarët e çadrës nuk kërkojnë “besim” dhe as disa karrige. Ata duan krejt pushtetin, edhe atëherë kur shumica e shqiptarëve i refuzon. Në kundërshtim me vullnetin popullor, atyre iu dhanë 50% e vendeve në Komisionin e Reformës Administrative dhe refuzuan pjesëmarrjen. E njëjta gjë ndodhi me Komisionet e Reformës së Drejtësisë, megjithëse gëzojnë vetëm 30% të besimit popullor. Dhe ata përsëri janë të pakënaqur. Nuk mund të heqësh dorë nga mandatet popullore pse këtë e kërkon dikush në rrugë. Me këtë formë të arsyetuari, çdo femër mund të shkonte me dikë që ia kërkon në rrugë, megjithëse kontratën e dashurisë e ka lidhur me bashkëshortin, dhe pastaj të “justifikohej” se “një natë ishte ajo punë”.
Nuk e di a e kupton Ilri Meta se të tjerët ia lexojnë për ligësi personale kur të gjitha lëshimet ia kërkon qeverisë dhe asgjë Pashës së çadrës dhe lulushëve të tij. Madje, ai arrin deri aty sa kërkon “ndryshimin e retorikës nga qeveria dhe drejtuesit e saj” dhe nuk i thotë asgjë çadrës e cila, qysh ditën e parë, ka bërë thirrje për dhunë, tërheqje zvarrë, shpim gomash, plagosje, vrasje, funerale, muzikë funebër etj. Thonë se Meta këtë qëndrim të tijin dëshiron që të tjerët ta lexojnë si dhunti vetjake intelektuale. Nëse është kështu fatkeqësia është vetëm e tij se ora i ka mbetur shumë mbrapa orës së popullit. Pa asnjë argument dhe në mënyrë hipokrite kryetari i LSI-së “këshillon” se “Nuk duhet vendosur opozita në ato kushte kur nuk ka se çfarë të humbasë”. Për cilat kushte e ka fjalën? Për fyerjet, rrahjet, burgosjet dhe vrasjet që i ka pas bërë dikur opozitës Sali Berisha, për të cilin Meta është shprehur se e “kam dobësi”. Pse të mos ketë dobësi për një njeri që shumica dërmuese e shqiptarëve e konsideron fatkeqësi kombëtare? Me sa duket fatet e shqiptarëve dhe të Ilir Metës janë të ndarë për shkak të dallimeve të thella.
Ilir Meta shpall se “Midis të majtës dhe të djathtës, LSI zgjedh gjithmonë të majtën”. Ai kërkon të na e shuaj edhe kujtesën e afërt, atë të viteve 2009-2013 kur bashkëjetoi harmonikisht me PD-në. Dhe vazhdon më tutje me përbetime “emocionuese” duke na thënë se “Midis demokracisë dhe diktaturës zgjedh vetëm demokracinë…”. Mënyra se si Meta e ka trajtuar dhe kërkon ta trajtojë vullnetin popullor nuk dëshmon për respekt demokratik, por për frikë nga shteti ligjor që të shpie pas hekurave kur ke shkelur ligjet, për të mos thënë nga diktatura pasi ajo ata që shpërdorojnë qindra miliona euro në ndërtime rrugësh apo ata që bëjnë llogaritë me blloqe në dorë nuk i lejonte të ndërtonin vila luksoze, por i “internonte” aty rrotull Sharrës apo Shish Tufinës.
Ilir Meta pretendon se “LSI, midis zgjedhjeve demokratike dhe farsës elektorale, pa asnjë diskutim, zgjedh vetëm zgjedhjet demokratike”. Së pari, zgjedhjet nuk mund të konsiderohen farsë kur ndiqen normat demokratike dhe kushtetuese të shpalljes dhe realizimit të tyre, pavarësisht se dikush, për arsye vetjake dhe antikushtetuese, i braktis ato. Së dyti, po të ishin të vërteta fjalët e Metës, LSI nuk do t’i kishte pranuar zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 dhe as ato të bashkisë së Tiranës të vitit 2011. Nuk mund të mos ndiesh keqardhje, por edhe përbuzje kur pretendimet për “farsë elektorale në Kavajë” i dëgjon edhe nga një individ politik si Luan Rama, i cili ia lejon vetes të bëhet pjesë e karnavaleve demokratike që shfaq pjesa e inkriminuar e politikës shqiptare.
Ultimatumi i LSI-së se nuk merr pjesë as në koalicionin e ardhshëm me PS-në dhe as në zgjedhjet e ardhshme, nëse nuk plotësohen kërkesat e saj për “qeveri besimi”, që do të thotë qeveri teknike, nuk janë asgjë tjetër veçse njëjtësi morale, politike dhe antidemokratike me qëndrimet e opozitës çadriste. Këto qëndrime dhe veprime dëshmojnë shumë qartë aleancën kundër Reformës në Drejtësi të asaj pjese të politikës shqiptare që ndihet më e rrezikuar prej saj për shkak të së kaluarës së vet. Kjo aleancë e cila është kundër përparimit shoqëror dhe vendosjes së shtetit ligjor mund të arrijë disa objektiva por, përfundimisht, e ka vendin në koshin e plehrave të historisë. Kjo do të ndodhë kur shumica dërmuese e popullit shqiptar do t’i hapë sytë e mendjes dhe të kuptojë se nuk duhen sakrifikuar interesat mbarëpopullore për një parti politike e cila, ndoshta, të siguron një post apo privilegj të përkohshëm, por haraçin e tij do ta paguash më vonë për shkak të ngadalësimit të proceseve të shtefunksionimit. Proceset e fuqizimit të shtetit ndalin edhe për shkak të votës tënde, edhe për budallallëkun tënd apo mungesën skandaloze të përgjegjësisë shoqërore e kombëtare si qytetar i këtij vendi. Ankimet e mëpastajme pse nuk bëjmë dot shtet apo vajtimet se “ky vend s’bohet”, jo vetëm janë të pavlefshme, por edhe të turpshme pasi kanë si shkak edhe sjelljet dhe qëndrimet e tua.
Gjithashtu, edhe faktori ndërkombëtar duhet të jetë më veprues, më i vendosur dhe më i drejtpërdrejtë në vënien e gishtit në “plagë”, në dënimin moral dhe politik të aktorëve pengues të reformimit dhe vendosjes së shtetit ligjor. Ishte ky faktor ndërkombëtar që s’la gur pa luajtur në vitet 1990-1992, edhe kundër vullnetit të shumicës së shqiptarëve, për t’i sjellë në pushtet ata që janë ngujuar në çadër. Kur i njohu mirë kush janë i quajti “regjim gangsterësh” dhe, për t’i larguar nga pushteti që po e mbanin me falsifikim dhe dhunë, po ky faktor ndërkombëtar ndikoi që Shqipëria ta paguante rëndë me jetë njerëzish të humbura me mijëra dhe me shkatërrime ekonomike shumë miliardësh. Po ashtu, më vonë, edhe pas krimeve të tjera të tyre, siç ishte marrja me dhunë e pushtetit në 1998, Perëndimi ndërhyri për ta shmangur ndëshkimin e tyre për hir të “stabilitetit”. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më kështu pasi ngadalëson shumë përparimin e vendit, i kushton jetës dhe harmonisë shoqërore shqiptare si dhe komprometon rëndë propagandën dhe pretendimet perëndimore për rend demokratik.
DITA